Krijimi i shtetit bektashi, Ngjela ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Tradhti kombëtare, nuk e lejon as…!

Politika

Krijimi i shtetit bektashi, Ngjela ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Tradhti kombëtare, nuk e lejon as…!

Nga: A.M. Më: 28 shtator 2024 Në ora: 18:06
Spartak Ngjela.

Ditë më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri publike synimet e tij për ndërtimin e një shteti të stilit të Vatikanit për bektashinjtë në Shqipëri, si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.

E në lidhje me këtë synim të Ramës dhe ndikimin e krijimit të “shtetit bektashi” foli për “Bota sot” avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Së pari, ai u shpreh se kjo ide është një marrëzi e Ramës, që në thelb mban tradhti kombëtare.

Sipas tij, kjo gjë nuk mund të realizohet juridikisht, pasi nuk e lejon Kushtetuta e Shqipërisë.

“Ç'punë kanë shqiptarët me një mikroshtet fetar. Kjo është një ide mesjetare, para krijimit të shtetit modern në Evropën Perëndimore.

Ku ka shtet fetar më në konceptin e shtetit modern!

Si ka mundësi të mendohet kjo?!

Kjo, ose është një marrëzi e Edi Ramës, ose është ide retrograde që në thelb mban tradhtinë kombëtare. Vetëm si ide, se praktikisht dhe në fakt, ajo nuk mund të realizohet juridikisht, ngaqë nuk e lejon Kushtetuta e Shqipërisë që në nenin e parë të saj me përcaktimin: Territori i Shqipërisë është një dhe i pandashëm”, deklaroi avokati.

Po ashtu, Ngjela tha se nuk dihet ende si i ka ardhur Ramës kjo ide, por që në realitet krijimi i këtij lloj shteti, është pamundësi absolute.

“Nuk mund ta dimë se si i ka ardhur Ramës kjo ide, por unë e theksova që ajo është një ide që nuk e lejon Kushtetuta e Shqipërisë, që në nenin e parë të saj. Ky është një nen që nuk mund të preket. Dhe prandaj nuk mund të flitet për funksionimin e tij, sepse, edhe praktikisht, krijimi i këtij lloj shteti, është pamundësi absolute që mund të kryhet”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, sa i përket mundësia që kjo ide të krijonte një precedent për kishën ortodokse serbe në Kosovë apo kudo në Ballkan.

Në këtë pikë, ai hodhi dyshime se ajo çka paraqiti Rama mund të ketë qenë një kërkesë e Moskës dhe Beogradit.

“Sigurisht që do ta krijonte, sepse mendja atje të shkon.

Është shumë e qartë se, ajo që na paraqiti kryeministri Rama për krijimin e një mikroshteti fetar në territorin e Shqipërisë, mund të ketë qenë një kërkesë e Moskës dhe Beogradit.

Por tani është e kotë që të merremi me të, sepse ajo ishte një flluskë sapuni që u ça menjëherë sapo doli.

Ideja për krijimin e atij shteti brenda territorit të Shqipërisë, ishte një antikombëtarizëm i pastër - kjo është ideja themelore që duhet thënë për këtë rast”, përbylli Spartak Ngjela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat