Deklaratat tendencioze të Serbisë ndaj Kosovës, kërkohet reagim ndërkombëtar

Politika

Deklaratat tendencioze të Serbisë ndaj Kosovës, kërkohet reagim ndërkombëtar

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 shtator 2024 Në ora: 08:29
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Serbia dhe krerët e saj me çdo kusht duan ta zhbëjnë shtetin e Kosovës.

Ata luftojnë për një gjë të tillë. Ata, madje në çdo takim me ndërkombëtarë e pohojnë një gjë të tillë.

Së fundmi, Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se shteti i saj “kurrë nuk do të heqë dorë nga ajo që Beogradi pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë”, dhe se kjo sipas Bërnabiqit, “është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së”.

Sipas kryekuvendares serbe ata që ajo i quan “të mëdhenjtë e të fuqishmit” ndihmuan Kosovën të shpall pavarësinë më 2008.

Rugova: Kjo deklaratë e Brnabiq është sinkron i deklarimeve që bën çdo herë shefi i saj Vuçiq

Image
Naser Rugova

Ish-deputeti Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, thekson se deklarimet e Bernabiqit janë në sinkron me ato të Vuçiqit.

Kjo deklaratë e Brnabiq është sinkron i deklarimeve që bën çdo herë shefi i saj Vuçiq. Beogradi zyrtar dhe ky lidership i Serbisë do të vazhdojnë të shkelin me të dy këmbët marrëveshjen e Brukselit dhe aneks marrëveshjen e Ohrit duke e injoruar në plotni këtë marrëveshje që tani përveç që është obligative për palët është pjesë e kritereve për anëtarësim në BE për të dy vendet”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë kështu derisa vendet ndërkombëtare ta shohin fytyrën e vërtetë të saj dhe atëherë do të obligohen ta ndalin një politikë të tillë me masa konkrete të njohura tani.

Kjo qasje e politikës së Serbisë do të vazhdojë kështu derisa vërtetë vendet anëtare të Quint-it do ta shohin fytyrën e vërtetë të këtij regjimi dhe do të obligohen ta ndalin një politikë të tillë me masa konkrete që janë të njohura tani. Pa një vendosmëri të madhe dhe unitet funksional për të jetësuar normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi me njohjen reciproke në qendër, Serbia do të vazhdojë me këtë strategji politike që ka ndikim destabilizues në tërë rajonin tonë”, deklaron Rugova.

Lama: Deklarata si kjo e Bërnabiqit janë për konsum të brendshëm, për votuesit e tyre që kanë dëshirë të dëgjojnë vazhdimisht përralla për Kosovën

Image
Alma Lama

Ish-ambasadorja Alma Lama, thotë se ky qëndrim është i njohur tashmë, por që nuk bazohet në realitetin faktik e juridik, sepse Kosova është shtet i pavarur.

“Ky është qëndrimi i përfaqësueses së shtetit serb, qëndrim i njohur tashmë, por që nuk bazohet në realitetin faktik dhe juridik. Kjo sepse së pari Kosova është shtet i pavaruar i njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e madhe e shteteve të OKB-së dhe së dyti Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë opinionin e saj përsa i përket të drejtës ndërkombëtare ku ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thotë ajo.

Kurse, për bisedimet me Serbinë, ajo shprehet se Serbia nuk mund ta pengojë Kosovën në çështjet e brendshme, dhe se Kosova nuk duhet t’ia vërë veshin retorikës politike që vjen nga goja e zyrtarëve serbë.

“Kosova nuk ka nevojë të merret shumë me Serbinë për të ecur përpara. As nuk duhet t’ia vërë veshin retorikës politike që vjen nga goja e zyrtarëve serbë. Qeveria e Kosovës duhet të punojë për të rritur ekonominë, sundimin e ligjit, të zhvillojë diplomaci serioze, të lobojë për intresta e veta, të bashkëpunojë me SHBA-në dhe BE-në për të qebë pjesë e botës demokratike dhe jo të fusë vendin në izolim sicc po bën për shkak të sjelljeve të pakoordinuar nga me ta. Serbia nuk mund ta pengojë Kosovën për agjendën e brendshme, kështu që tendenca për t’u marrë me çdo fjalë të zyrtarëve serbë duket se vjen nga një mentalitet viktimizues. Kosova sot nuk është viktimë por është shtet që ka mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve të QUINT-it e të gjithë botës demokratike. Ndërsa, Serbia ulet sa në tavolinën e Rusisë e të Kinës, sa në të Eurpës, duke mos qenë e besueshme për asnjërën palë”, deklaron ajo.

Derisa, se kush duhet ta ndalë Serbinë, Lama thotë se ndaj shtetit serb duhet të përdoret diplomacia, sepse Serbia e di që nuk guxon të konfrontohet me NATO-n për Kosovën, pasi njëherë e ka provuar dhe ka dalë humbëse.

“Koha e viteve 90 ka përfunduar, sot nuk ka nevojë të përdoren bombat kundër Serbisë por diplomacia. Besoj se fakti që Serbia i ka duart e lidhura në çështje të sigurisë, lidhet me faktin se është humbëse e luftës me NATO-n dhe se nuk guxon as të mendojë të konfrontohet me të për Kosovën. Deklarata si kjo e Bërnabiqit janë për konsum të brendshëm, për votuesit e tyre që kanë dëshirë të dëgjojnë vazhdimisht përralla për Kosovën”, përfundon Lama për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat