“Do të përfundojë në tragjedinë e vet”/ Ish-ambasadori flet për dialogun Kosovë-Serbi: Ja pse nuk arrihet normalizimi!

Politika

“Do të përfundojë në tragjedinë e vet”/ Ish-ambasadori flet për dialogun Kosovë-Serbi: Ja pse nuk arrihet normalizimi!

Nga: A.SH Më: 29 shtator 2024 Në ora: 12:29
Takimi mes dy liderëve

Mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu ka “stagnuar”. Ndërmjet kryeministrit të Kosov, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka pasur më takime, madje edhe ato që janë zhvilluar nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Serbia edhe ashtu është deklaruar që nuk i zbaton marrëveshjet.

Ish-ambasadori, Sylë Ukshini nënvizon se Beogradi nuk është i interesuar për serbët e Kosovës, por i ka përdorur ata për qëllime politike. Ai e cilëson vetëviktimizimin serb si një pjesë të strategjisë për legjitimimin e politikës hegjemoniste.

“Dialogu i Brukselit, pas 13 viteve, është rikthyer te Ura në Ujëbardhë dhe Kosovën po e trajton si çështje trafiku. Krejt ky dialog si lajtmotiv ka Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës. Është e vërtetë që edhe Plani i Ahtisaarit e parasheh një asociacion, por kjo ofertë ishte bërë me detyrimin që Serbia dhe serbët të njohin Republikën e Kosovës dhe që Kosova të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Kërkesat tash nuk mund të jenë vetëm në njërin krah. I duan të gjitha ato që janë të mira në Planin e Ahtisaarit për ne, por kur vjen puna e lojalitetit dhe respektimit të Republikës së Kosovës, atëherë të deklaroheshin “Kosova është Serbi”. Këto dy gjëra nuk shkojnë.

Të gjithë duhet ta kenë të qartë, Beogradi nuk është i interesuar për serbët e Kosovës, sepse ata gjithmonë i ka përdor për qëllime politike, por për ta minuar shtetin e Kosovës dhe në këtë pikë edhe Asociacioni shihet si zgjatje e Serbisë brenda Kosovës.

Unë mendoj kjo temë duhet të shtrohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe të njohjes së Kosovës nga 5 vendeve e BE-së si dhe të pranimit të Kosovës në NATO. Të kërkosh koncesione të pafundshme në një Kosovë jashtë OKB-së, jashtë BE-së, jashtë NATO-s, jashtë OSBE-së, jashtë KiE, është një thirrje për ta bërë Kosovë një shtet jofunksional. Ne nuk duhet me qenë naiv. Boshnjakët paguan çmim të lartë me “Republikën Serbe”, të krijuar në mënyrë gjenocidale, por tash pikërisht kjo krijesë shpërfaq kërkesa irracionale dhe të shfrenuara”, ka thënë ai në një intervistë për “Bota sot”.

Sipas tij, Serbia ka punuar dhe punon pa rreshtur për të mohuar krimet e kryera nga formacionet shtetërore serbe në Kosovë.

Madje, duke përmenduar raste të ndryshme, Ukshini thotë se edhe vetëviktimizimi serb është pjesë e strategjisë për ta legjitimuar politikën hegjemoniste.

“Paramendone sikur 25 vjet pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani të kishim president një ministër të Hitlerit dhe ai t’u vinte kushte Polonisë, e cila ishte viktimë e regjimit nazist. Por, atje kishim një kancelar Willy Brandt, një luftëtar të madh kundër regjimit të Hitlerit, i cili me 1970 u gjunjëzua para memorialit të viktimave të kryengritjes në geton e Varshavës. Imazhet e Kancelares Federale të gjunjëzuar në sheshin e heronjve të getos, gjermanit që përkulet para viktimave të gjermanëve, përmbajnë një dramë që është e rrallë në politikë. Nuk është rastësi që ishte Willy Brandt ai që zgjodhi këtë gjest nxitës të ndjeshmërisë. “Në greminë të historisë dhe nën barrën e miliona të vrarëve, bëra atë që njerëzit bëjnë kur gjuha dështon," tha Willy Brandt.

E nëse ju keni varrezat masive në Batajnicë dhe për 25 vjet asnjë lider serb nuk e bënë një gjest ndjeshmërie dhe respekti, por ngrini zëri për ta mohuar masakrën e Reçakut, ngrini zërin për ta mohuar Izbicën, ngrini zëri për ta mohuar depërtimin e afro një milion shqiptarë, atëherë tregon se shoqëria serbe, elita politike e mbetur e kontaminuar me ideologji naziste. Kështu as nuk arrihet normalizimi dhe as nuk mund të ketë sukses procesi i Brukselit.

Serbia ka punuar pareshtura për të mohuar krimet e kryera nga formacionet shtetërore serbe, duke zmadhuar në të njëjtën kohë vuajtjet e serbëve në rajon. Ajo provon të thotë se nga të gjitha anët kishte viktima dhe kriminelë. Në këtë funksion e shoh edhe intencën e krijimit dhe misionin e Gjykatës Speciale në Hagë, për të krijuar një lloj simetrizimi mes krimit shtetëror serb dhe krimeve individuale si pasojë e luftës. Prandaj, nuk janë të rastit edhe disa ngjarje, si vrasja e bujqve serbë në fshatin Graçkë, që është vështirë të kuptohet se kishte për qëllim të dëmtonte imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Pra, ky vetëviktimizim serb është pjesë e strategjisë për ta legjitimuar politikën hegjemoniste. Dhe kjo tregon se Vuçiq, ngjashëm si Millosheviq, duket se po harron që Evropa nuk jeton më në vitin 1937, por se ka arritur në vitin 2024 dhe bazohet në vlera krejtësisht të tjera. Prandaj, Vuçiçi dhe serbët tjerë si ai duhet të mësohen të jetojnë në një Serbi normale dhe të mos e kërkojnë lumturinë e tyre jashtë kufijve të saj, sepse, siç pati paralajmëruar Ibrahim Rugova më 1989 “...edhe serbët janë një popull i vogël. Dhe në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luaj rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e vet”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat