“KQZ-ja nuk ka ndonjë rregull që ndalon parafushatën zgjedhore, pasi ju konvenon partive politike”

Politika

“KQZ-ja nuk ka ndonjë rregull që ndalon parafushatën zgjedhore, pasi ju konvenon partive politike”

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 29 shtator 2024 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Kanë mbetur edhe pak më tepër se katër muaj që nga zgjedhjet e reja parlamentare. Partitë politike i pret një garë e fortë në këto zgjedhje, pasi zgjedhjet e fundit sollën ndryshim në vend.

Megjithatë, partitë politike duken se janë të gatshme për ‘garën e madhe’, pasi ende pa u përcaktuar data e zgjedhjeve, kishin filluar bisedimet për koalicione, e takimet e fushatat zgjedhore nëpër hapësira të ndryshme.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përzgjodhi datën 9 shkurt si datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamantare. Këto zgjedhje vijnë pasi qeveria aktuale e udhëhequr nga Albin Kurti përmbyll mandatin katër vjeҫar.

Ani pse ka ende kohë kur zyrtarisht fillon fushata zgjedhore, partitë politike edhe kësaj radhë kanë nisur fushatën, ndonëse jo zyrtarisht. Kanë filluar takimet, polemikat e diskutimet rreth njëri tjetrit, për të treguar në të njëjtën kohë ‘punët e tyre të mira’.

Mirëpo, a ka ndonjë ligj që ndalon fushatën e parakohshme të partive politike?

Në ligjin e ri për zgjedhjet, i miratuar në gusht të këtij viti, thuhet se ‘fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 do të fillojë më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën e zgjedhjeve, pa një periudhë të heshtjes zgjedhore një ditë para votimit. KQZ-ja ka vendosur që shpenzimet maksimale të subjekteve politike për fushatën zgjedhore të jenë 2 milionë e 47 mijë euro, për të promovuar një garë më të barabartë dhe transparente mes partive politike’.

Burjani: Fatkeqësisht deri më tash KQZ asnjëherë nuk ka nxjerr asnjë rregull që ndalon parafushatën

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai thekson se nuk është e rregulluar kjo me ligj, megjithatë ligji e përcakton kohën kur duhet të filloj fushata. Por kjo gjë sipas tij, nuk është respektuar asnjëherë nga partitë politike

“Kjo nuk është rregulluar me ligj apo me ndonjë rregull zgjedhor, por ligji e përcakton kohën kur duhet të filloj fushata. Partitë politike asnjëherë deri më tash nuk e kanë respektuar fushatën sipas ligjit për zgjedhje se kur duhet bërë, por gjithmonë janë marrë me parafushata”, vlerëson profesor Burjani.

Ai ka thënë se KQZ-ja nuk ka nxjerrë ndonjë rregull për parafushatën.

“Fatkeqësisht deri më tash KQZ asnjëherë nuk ka nxjerr asnjë rregull që ndalon parafushatën, kjo iu konvenon të gjitha partive me u marr me parafushatë dhe mos me dhënë llogari fare”, thekson ai.

Shkodra: Fushata zgjedhore pritet të fillojë pas datës shtatë janar

Image
Magbule Shkodra

Po ashtu, sa i përket kësaj teme, ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo thotë se fushata zgjedhore do të filloj pas datës 7 janar.

Siç jeni në dijeni, pra me nëntë shkurt do të mbahen zgjedhjet. Për herë të parë, pas shpalljes së pavarësisë, pra kemi zgjedhje të rregullta. E sipas asaj që është thënë nga Presidenca, fushata zgjedhore pritet të fillojë pas datës shtatë janar. Kur llogaritet se do të përfundojnë këto festat e fundvitit që janë dhe atëherë pra pritet të fillojë fushata zgjedhore”, thotë Shkodra.

Ajo thotë më tutje se aktivitetet që bëjnë tani partitë politike, nuk llogariten si fushatë zgjedhore. Fushata do të filloj atëherë Presidentja shpall fushatën në koordinim me KQZ-në.

Dua të them po ashtu se këto aktivitete të cilat ju po thoni se partitë politike kanë filluar fushatën zgjedhore, dëshiroj të them se tani të gjitha subjektet politike të cilat garojnë për zgjedhjet parlamentare, të gjitha aktivitetet e tyre i bëjnë në shërbim të fushatës zgjedhore, por ato nuk llogariten që janë, pra, fushatë zgjedhore. Zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore, atëherë kur presidentja të shpall se fillon edhe fushata zgjedhore në koordinim me KQZ-në”, thekson ajo.

Analistja Shkodra thotë se vetëm pas asaj date, aktivitetet e reklamat e ndryshme të partive politike, llogariten si fushatë zyrtare.

Dhe me këtë nënkuptohet që të gjitha aktivitetet e partive politike të jenë të transmetuara nëpër televizione, të ketë reklama të ndryshme për aktivitetet e subjekteve për kandidatët, pra atëherë llogaritet se ajo është fushatë zyrtare”, vlerëson analistja.

Ndryshe, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka caktuar datën 9 gusht të vitit 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës. Të tri partitë opozitare, në takimin e thirrur nga presidentja e vendit për të folur mbi datën e zgjedhjeve e patën propozuar 26 janarin si datën më të përshtatshme.

Ndërsa, ishte kryetarja e grupit parlamentar të VV-së dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila, që i pati propozuar dy data, 9 apo 16 shkurt të vitit 2025. E, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, kishte propozuar 2 shkurtin si datën më të përshtatshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat