“Amerika s’i do servilët që bëjnë pazare me vendin e tyre”, Bekteshi sqaron raportet e Kosovës me SHBA-në – ka disa mesazhe për Hovenier

Politika

“Amerika s’i do servilët që bëjnë pazare me vendin e tyre”, Bekteshi sqaron raportet e Kosovës me SHBA-në – ka disa mesazhe për Hovenier

Nga: A.M. Më: 30 shtator 2024 Në ora: 12:03
Albin Kurti dhe Jeffrey Hovenier

Së fundi, raportet Kosovë-SHBA janë komentuar mjaft shumë. Ka pasur deklarime dhe komente të ndryshme sa i përket kësaj çështje.

E lidhur me këtë, si asnjëherë më parë, ditë më parë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier drejtoi një mesazh të hapur dhe të qartë Kosovës.

“Gjyshi im njëherë thoshte dhe më falni për natyrën e pagdhendur të saj (thënies): Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos urinoni në dyert e shtëpisë së klubit. Nuk e di se si bëhesh anëtar i BE-së pa pajtimin e BE-së. Dhe kjo nënkupton pajtim me shtetet anëtare të BE-së. Nuk shoh se si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Ju duhet t’i bindeni ato. Ne duam të ndihmojmë/ Disa nga gjërat që unë i shoh shumë befasuese nga bisedat e mia me akterë këtu në Kosovë është: janë sugjerimet e padeklaruara se ka një rrugë përveç dialogut. Është një sugjerim se amerikanët, apo gjermanët apo njerëzit tuaj favoritë, në ndonjë mënyrë veç do të kërcasim gishtat tonë ose do ta përdorin shkopin magjik dhe të bëjnë bisedat e duhura dhe këto probleme do të zgjidhen dhe Kosova do të jetë menjëherë anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe BE-së. Bota nuk funksionin kështu dhe duhet të jem i qartë për këtë”, tha ambasadori Hovenier në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci të mbajtur në Prishtinë.

E në lidhje me këtë deklaratë të ambasdorit Hovenier dhe raportet SHBA-Kosovë, në një prononcim për “Bota sot” foli veprimtari shqiptar nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Fillimisht, Bekteshi deklaratën e Hovenier e cilësoi si jo diplomatike, derisa kishte edhe një mesazh për të.

Image
Ramazan Bekteshi.

"Nëse doni të anëtarësoheni në një klub, mos përshurrni në derën e klubit." (Hovenier)

Ambasadori Hovenier, me dashje apo pa dashje tashmë shqiptoi frazën e tij të ‘famshme’; "Nëse doni të anëtarësoheni në një klub, mos përshurrni në derën e klubit," dhe si e tillë jo diplomatike meriton përgjigje ekuivalente me të njëjtin arshin, që do të ishte: zoti ambasador, aty ku shërbeni mos gjuani—gurë-e-dru, por ndërtoni ura miqësie ashtu si i kanë ndërtuar paraardhësit tuaj. Respektoni protokollin diplomatik, Konventën e Vjenës, nenin 41 për mos përzierje, respektoni pavarësinë qe e keni njohur te parit, respektoni projektin dhe investimin kapital të shtetit tuaj, sepse me sakrificat sublime të ushtarëve tuaj, Kosova u bë e pavarur dhe është një tregim suksesi. Prandaj, edhe mua si ty, gjyshi më thoshte, “kurrë mos pështy aty ku han!””

Gjithashtu, veprimtari nga SHBA, kishte kritika për ambasadorin amerikan edhe për qasjen e tij dhe përkufizimin për Policinë e Kosovës, ku thoshte se po manipulohet dhe instrumentalizohet nga politika.

Po ashtu, tha se nëse Hovenier do të ‘përzihej’ në punët e Gjermanisë, siç po përzihet në Kosovë, do të përfundonte si Grenell.

“Një deklarate tjetër e juaja, zoti ambasador, që shkaktoi pezëm ishte ajo për Policinë e Kosovës, se institucioni më i besueshëm dhe më profesional në Kosovë po manipulohet dhe instrumentalizohet nga politika. Pra, policia më profesioniste në rajon, që e ngriti dhe e pajisi në këtë nivel profesional Amerika, e që tani ka arrit që të ketë rolin e suksesshëm të reaguesit numër një në Kosovë: të ruaj qytetarët e saj me dinjitet e pa dallim, rendin dhe ligjin, të luftoj krimin dhe kontrabandën, t’i thotë stop narkomafisë, të parandaloj furnizimet me armë të bandave terroriste, parandalimin e sulmit paramilitar si ai i Banjskës, dhe jo pa flijim të jetës. Kjo ishte përzierje, por jo aq flagrante sa e kualifikojnë disa.

Z. ambasador, po të përziheshit në punë të një shteti të fuqishëm e të konsoliduar si Gjermania, ju do të përfundonit si zoti Grenell, ish Ambasador që e dëbuan gjermanët, që më vonë do të vinte në Kosove si ndërmjetësues i dialogut, do ta kërcënonte Kosovën, dhe do të rrëzonte qeverinë Kurti I, në kohë pandemie, sipas The NYT, dhe Kurti pastaj të kthehej edhe më i fuqishëm derisa Grenell humbi kohën e vlefshme për asgjë””, shpjegoi ai.

“Ju z. Ambasador, e keni më lehtë se Hill, sepse në Kosovë ju shohin dhe ju trajtojnë si një shpëtimtar, si një hero”

Më tej, Bekteshi theksoi se Kosovën e mbrojnë ata që i zgjedh populli dhe jo ambasadorët e vendeve të tjera, pasi këta të fundit në momentin që përfundojnë misionin, ‘problemet’ nuk i marrin me vete.

Krahas kësaj, ai përmendi rëndësinë e miqësisë së Kosovës me SHBA, derisa kërkoi nga Hovenier që ta përmbush misionin e tij dhe të krijojë ura afrimi.

“Kushtetutën e Kosovës duhet ta mbrojnë të zgjedhurit e popullit dhe jo ambasadorët nikoqir, sepse ju nesër do të përfundoni misionin dhe problemet nuk i merrni me vete por mbesin këtu. Dhe ne vazhdojmë t’i vuajmë në mënyrë kolektive të gjitha presionet e ndërkombëtarëve që ua bënë ish-qeverive të Kosovës, si me demarkacionin, si me premtimin e stërzgjatur për liberalizim të vizave, si me Asociacionin, si me gjykatën speciale mono-etnike etj.

Z. ambasador, shpesh ndodh që shqiptarët më shumë e duan Amerikën se sa vetë-veten, gjest ky tipik shqiptar për miqtë që të dalin në ndihmë në kohë të vështira. Për këtë mirënjohje në shenjë falënderimi në Kosovë lindi thënia e padëgjuar ndonjëherë për SHBA-të, “Zoti në qiell, Amerika në tokë”, duke iu referuar Amerikës si zoti i tokës.

Si e dini, më mirë se unë, misioni juaj është që të krijoni ura afrimi, bashkëpunimi, t’i afirmoni të vjetrat dhe të krijoni të reja, ashtu siç bënë me fanatizëm ambasadori Hill, që me këmbëngulësi mundohet të ndërtoj ura në mes Serbisë dhe Amerikës, gjithnjë pa sukses, edhe atëherë kur Vuçiqi nuk i vë sanksione Rusisë, edhe atëherë, kur ai armatoset nga Kina, edhe atëherë, kur ishte sponsor i agresionit paramilitar në Banjë, edhe atëherë, kur kërcënon Bosnjën, Malin e Zi, edhe kur i vjedh zgjedhjet në Serbi. Hilli, përkundrazi, vazhdon të përkëdhel dhe ta lavdëroj Vuçiqin, edhe pse, Hill ka ra në kurthin e Vuçiqit duke tentuar më kot që ta fusë atë, në orbitën e perëndimit”, nënvizoi veprimtari.

Gjithashtu, për dallim nga Hill, Bekteshi ia bëri me dije Hovenier, se e ka më lehtë punën se Hill, pasi në Kosovë e trajtojnë si hero dhe e prezin gjithkund me buzëqeshje e ngrohtësi.

“Ju z. Ambasador, e keni më lehtë se Hill, sepse në Kosovë ju shohin dhe ju trajtojnë si një shpëtimtar, si një hero, edhe pse ju jeni vetëm një shërbyes me rrogë i vendit tuaj, por ja që në vendin tim, ju trajtoheni si mik dhe si personazh i famshëm, dhe gjithkund ju presin me buzëqeshje dhe ngrohtësisht. Ne dëshirojmë që kjo ndjenjë mos të ju rrëmbej për t’ia kthyer këtij vendi ashtu si nuk e meriton. Por, unë të falënderoj për anën e shkëlqyeshme të medaljes, për veprat madhështore qe ke bërë, dhe fjalët e mëdha që ke thënë për vendin tim, duke e inkurajuar në kohë të vështira, sepse fjalët tua që s’më kanë pëlqyer janë të pa përfillshme krahasuar me punët që keni realizuar”.

“Kosova është me fat dhe asnjëherë s’duhet të ketë dyshim në SHBA-në se ajo do ta braktisi”

Megjithatë, Bekteshi tha se nuk do duhej të cilësohej deklarata e fundit e Hovenier si ‘bombë’ që prishi marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së, derisa tha se është marrëzi të mendohet se kjo e fundit ia ka kthyer shpinën shqiptarëve.

“Por, të jemi të sinqertë, thënien e Hovenierit, disa media me pa të drejtë e quajtën si një bombë që prishi marrëdhëniet kosovare-amerikane, se Kosovën e presin kohë të vështira, sepse Amerika ia paska kthyer shpinën Kosovës, e marrëzi të tjera të individëve e fanatikëve partiak që e shpallën ambasadorin armik, padrejtësisht.

Duhet kuptuar edhe rrethanat e reja që janë shfaqur vitet e fundit, presionet që ka ambasada nga baza për të rregulluar çështje të pazgjedhura dhe të vonuara të Ballkanit të trazuar, dhe shpesh pa sukses, dhe dështimi krijon një klimë të pakëndshme te të dy palët, posaçërisht te pala më e dobët tentohet gjithmonë të bëhet më shumë presion se te pala më e fortë, edhe pse Serbia është fajtorja për të gjitha problemet e moçme, apo, ato që lindin”, u shpreh ai.

Më tej, veprimtari shqiptar siguroi se SHBA nuk e braktis Kosovën, asnjëherë, derisa shtoi se jemi me fat që interesant amerikane ndërlidhen me interesat e shqiptarëve.

Në këtë pikë, potencoi se është edhe e natyrshme të kemi mospajtime, por që SHBA nuk e sakrifikon Kosovën për një ambasador të saj, e as për një qeveritar të Kosovës.

“Kosova është me fat dhe asnjëherë s’duhet të ketë dyshim në SHBA-në se ajo do ta braktisi. Amerika kurrë s’e braktis pjellën e vet, projektin e saj të kushtueshëm që po bëhet një çerek shekulli me sakrifica sublime të taksapaguesve amerikan dhe bijve dhe bijave të saj më të çmueshme. Jemi me fat që interesat amerikane lidhen me interesat dhe fatin e shqiptarëve.

Mospajtimet janë të pritshme dhe do të këtë edhe në të ardhshmen, por s’do të jenë ashtu si i përshkruajnë disa diletantë të televizioneve të paguara, që pa pushuar përhapin dezinformata e defetizëm te qytetarët. Amerika është shtet serioz dhe kurrë s’e sakrifikon Kosovën për një qeveritar të saj sepse e kritikon Kosovën, si çifti Grenell, Escobar, që përdorën edhe bullizëm ndaj saj. Nuk e sakrifikon Kosovën për një ambasador të saj, e as per një qeveritar kosovar, sepse të gjithë këta janë të zëvendësueshëm, por mbetet e pacenueshme miqësia dhe aleanca shqiptare-amerikane.

Bashkësia ndërkombëtare për të arrirë qëllimin në kohë rekorde i preferon politikanët pakurrizore, ata që nuk e shohin interesin kombëtar aq sa shohin interesin individual e partiak, dhe këta politikanë në të kaluarën tragjikisht e kanë dëmtuar çështjen kombëtare sepse gjithmonë ishin të gatshëm të hanë karota e shkopinjtë s’i duronin dot”.

“As Amerika s’i do servilët që bëjnë pazare me vendin e tyre, posaçërisht për vendin që ata kanë investuar”

Në fund, tha se duhet të ketë komunikim mes dy shteteve, ku tha se presioneve duhet t’i bëhet ballë, pasi Amerika nuk i do servilët që bëjnë pazare me vendin e tyre.

“Në marrëveshjen e Dejtonit ishte Holbruk-u, ai që bëri presion për krijimin e Republika Srpska-s, një gabim fatal i Izetbegoviqit që e pranoi dhe e la vendin e tij të vuaj pafundësisht. Holbruk-u, kërkoj falje për gabimin, derisa shteti boshnjak vazhdon të vuaj e mos të funksionoj. Po ashtu, ishte miku ynë, Presidenti Klinton që bëri presion mbi Ukrainën, që t’i çmontojnë armët bërthamore, dhe i doli keq, Rusia pushtoi toka të Ukrainës, dhe derisa lufta vazhdon, Klinton-i u kërkoi falje ukrainasve për presionin e bëre mbi ta, por kjo sa vlen.

Është në interes të dy shteteve tona që urat e komunikimit dhe të mirëbesimit të shtohen, të komunikohet haptas dhe të pajtohemi që të mos pajtohemi për disa çështje. Amerika s’na e kthen shpinën nëse ne vazhdojmë të punojmë drejtë për projektin e saj e që ka ndodh të jetë shteti ynë, dhe sa më me përkushtim që të punojmë, aq më i qëndrueshëm do të jetë shteti ynë. Presioneve duhet qëndruar si burra, sepse për hatër të asnjë diplomati qoftë dhe amerikan nuk rrezikohet sovraniteti i vendit. As Amerika s’i do servilët që bëjnë pazare me vendin e tyre, posaçërisht për vendin që ata kanë investuar”, përmbylli Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat