Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës po vazhdojnë të jenë në fuqi që nga viti 2023.
Pavarësisht thirrjeve që këto masa të largohen, të njëjtat nuk janë larguar ende.
E së fundmi është shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ajo e cila ka deklaruar se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë, pasi si të tilla kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta.
Ajo tha se pret që pas vendosjes së strukturave të reja të BE-së, pas zgjedhjeve të fundit atje, të ketë vendimmarrje pozitive për largimin e masave, si dhe të ndryshojë qasja, siç e quan ajo diskriminuese ndaj Kosovës.
Kusari-Lila mes tjerash deklaroi se propozimi për masat ishte i emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.
“Deri tani masat ndaj Kosovës kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta…Kosova është ende nën masa për arsye të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë me shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në mënyrë legjitime në komunat veriore, ndërsa Serbia nuk është ndër masa dhe s’ka pasuar pasoja nga mbështetja e një sulmi terrorist në Kosovë dhe cenimi i sovranitetit tonë. Është dashur sa më parë që këto të hiqen, natyrisht duke marrë parasysh veprimet dhe gatishmërinë e institucioneve tona për të qenë në përputhje dhe bashkërendim me politikën e jashtme të BE-së…Ne shpresojmë që të ketë qasje krejtësisht tjetër, e kemi pa të gabuar dhe diskriminuese qasjen ndaj Kosovës dhe në veçanti propozimin e ndërmjetësit Lajçak për t’i vënë masa Kosovës”, theksoi Kusari-Lila.
Kujtojmë që BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri.
Kosova, në vazhdimësi ka shfaqur pakënaqësitë e saj ndaj BE-së dhe emisarit Miroslav Lajçak, i cili në të shumtën e rasteve ka qenë i njëanshëm duke ia mbajtur krahun Serbisë.
Batusha: Duhet të ritheksojmë që Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por pala serbe jo
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Agon Batusha.
Ai thotë se ndërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm, mirëpo që kjo nuk ka ndodhur në rastin tonë.
Duke vazhduar deputeti thekson që Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por pala serbe jo.
“Ndërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm dhe lehtësues i procesit. Kjo nuk ka ndodhur me ndërmjetësuesin aktual jo vetëm në rastin e masave, por edhe në rastet e deklaratave apo qëndrimeve të ndryshme gjatë këtij procesi. Duhet të ritheksojmë që Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruaj marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por pala serbe jo. Madje e ka mohuar ekzistencën e këtyre marrëveshjeve me letër zyrtare. Dhe cila është “masa” e ndërmarrë ndaj Serbisë”, u shpreh deputeti.
Më tej, Batusha shton që Lajçak me keqardhje e ka humbur kredibilitetin e ndërmjetësit të paanshëm.
“Prandaj, që dialogu të ketë rezultat dhe marrëveshjet të jenë të zbatueshme, duhet që qasja në këtë dialog të ndryshoj. Pra, qasja e ndërmjetësuesit, BE-së si etnitet, sidomos përfaqësuesit të saj si ndërmjetësues.
Z. Lajçak me keqardhje e ka humbur kredibilitetin e ndërmjetësit të paanshëm”, foli Batusha për “Bota sot”.
Tahiraj: Nëse e shikojmë në retrospektiv, veprimet e ndërmjetësuesve Lajçak dhe Borrell, kanë qenë të njëanshme në favor të Serbisë
Ndërsa, veprimtari nga Diaspora, Saim Tahiraj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka folur për këtë çështje.
Ai e sheh të pamatur deklaratën e Kusarit – Lila duke u shprehur që BE i ka çelësat në dorë dhe të njëjtit vendosin për këto masa.
“Kjo deklaratë e shefes së grupit parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje është në vazhdën e deklaratave të pamatura të drejtuesve të VV dhe qeverisë që e drejtojnë. Në këtë rast Mimoza Kusari-Lila po japë ultimatum Bashkimit Evropian pa llogaritur fare pozicionin e Kosovës karshi tyre. Sado të drejta të jenë kërkesat ultimative të z.Kusari-Lila, Bashkimi Evropian i ka çelësat në dorë dhe ai vendosë kur do të hiqen këto masa, jo në bazë të drejtësisë por në bazë të interesave të tyre”, thotë ai .
Në bisedë e sipër, veprimtari nënvizon që veprimet e Lajçak dhe Borrell kanë qenë të njëanshme dhe në favor të Serbisë,
“Nëse e shikojmë në retrospektiv, veprimet e ndërmjetësuesve Lajçak dhe Borrell, kanë qenë të njëanshme në favor të Serbisë dhe hetrogjenitetit i Bashkimit Evropian nuk ka mundur të eliminoj këtë njëanshmëri. Mu për këtë arsye lidershipi i Kosovës duhet t’i forcojë koordinimet me SHBA dhe Anglinë si të vetmit garantues të shtetësisë së Kosovës”, thekson veprimtari.
Në fund, Tahiraj shton që masat nuk largohen me këto veprime mirëpo me një diplomacy të matur dhe të koordinuar me SHBA.
“Kosova duhet të kundërshtoj në të ardhmen të mos pranojnë ndërmjetësues nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e aq më pak nga shtetet sllave. Nuk hiqen masat e Bashkimit Evropian me ultimatume dhe veprime të pamatura, por me një diplomaci të matur dhe të kordinuar me SHBA-ës. Duhet të largohen paraqitjet populiste që përdoren për fushatë elektorale sepse po dëmtohet shteti i Kosovës. Interesi i shtetit duhet të jetë mbi të gjitha, ka mjaft tema tjera që të përdoren për fushat elektorale”, përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.