10 “kurthet” e Edi Ramës kundër Kosovës/ Vjen reagimi i ashpër: Nuk zhbëhesh si “vëlla i Vuçiqit” me një fjalim në OKB

Politika

10 “kurthet” e Edi Ramës kundër Kosovës/ Vjen reagimi i ashpër: Nuk zhbëhesh si “vëlla i Vuçiqit” me një fjalim në OKB

Nga: M.Lakna Më: 30 shtator 2024 Në ora: 17:52
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin social Facebook, një pjesë nga fjalimi i mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nga ku bëri thirrje edhe për njohjen e Kosovës.

Ai ka thënë mes tjerash se Kosova është realitet i pakthyeshëm ndërkombëtar dhe se s’duhet mbajtur peng nga askush.

Krahas videos, Rama me ironi shkroi se “kështu flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës” duke thumbuar ata që po e kritikojnë për raportin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic.

“Ja si flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës, i cili me këtë rast iu dërgon të fala vëllazërore krejt atyre që prej Kosove, e shajnë me nanë e me babë si ‘vëllaun e Vuqiqit’”, shkruan kryeministri Rama në Facbook.

Por, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, tradhtia nuk lahet edhe sikur njëmijë “trimëri patriotike” t’i bëjë zoti Rama!

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” Bytyçi e ka komentuar deklaratën e Ramës duke thënë se shënimi i lart shkruar na dëshmon se ai fjalim ishte një intrigë e radhës, një mashtrim i madh dhe një përpjekje për të shfaqur në publik një Edi Ramë si “vëllai i Kosovës” dhe jo si “vëllai i Vuqiqit”, siç e shkruan ai.

“Kryeministri i Shqipërisë është rrekur t’u mbushë mendjen qytetarëve shqiptarë të Kosovës se fjalimi i tij i para dy ditëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është një fjalim patriotik, që buron jo nga “vëllai i Aleksandër Vuçiq”, por nga “një patriot i vërtetë”! Për këtë qëllim Edi Rama ka postuar një vidio me të cilën transmetohet pjesa e fjalës së tij në OKB për Kosovën, duke e shoqëruar me shënimin: “Ja si flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës, i cili me këtë rast iu dërgon të fala vëllazërore krejt atyre që prej Kosove, e shajnë me nanë e me babë si ‘vëllain e Vuqiqit”!

Nëse ai do ta kishte postuar fjalën e tij në OKB pa këtë shënim, ndoshta do të kishte njerëz, të cilët do të besonin në sinqeritetin e Edi Ramës. Ndërkohë shënimi i lartshkruar na dëshmon se ai fjalim ishte një intrigë e radhës, një mashtrim i madh dhe një përpjekje për të shfaqur në publik një Edi Ramë si “vëllai i Kosovës” dhe jo si “vëllai i Vuqiqit”, siç e shkruan ai. Shënimi i këtillë do të kishte sërishmi njëfarë kuptimi, sikur Edi Rama në atë fjalim të kishte denoncuar kërcënimet e përditshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq kundër shtetësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Por as këtë ai nuk ka guxuar ta bëjë. Se çfarë lidhje ka kritika që Edi Rama u bën vendeve të BE-së që nuk njohin Kosovën, me të qenit ose jo “vëlla i Viçiqit”, këtë mund ta shpjegojë vetëm ai”, ka thënë Bytyçi.

Profesor Bytyçi ka shtuar se në këtë reagim të kryeministrit shqiptar e sheh inkoherencën e tij.

“Ndaj dhe nuk është aspak i besueshëm. Është thjesht një mashtrues ordiner. Të mbash fjalim në OKB e të thuash se “Kosova nuk mund të mbahet peng”, është njëra anë dhe të reflektosh për kurthet që ia ke ngritur Kosovës është tjetër gjë”, shprehet ai.

Bytyçi i ka radhitur me këtë rast edhe 10 kurthe të Edi Ramës kundër Kosovës, nga dakordimi për një “Jugosllavi të re” deri tek përçarja e skenës politike në Kosovë.

“Cilat janë kurthet e Edi Ramës kundër Kosovës?”

1.Dakordësimi i Edi Ramës në vitin 2015 për t’u bërë pjesë e një Jugosllavie të Re në emër të Shqipërisë e të Kosovës, sipas projektit të presidentit të Serbisë.

2.Marrëveshja me Aleksandër Vuçiq për ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territioreve dhe ndarjen e Kosovës në vjeshtën e vitit 2016 në takimin Rama-Vuçiq të Nishit.

3.Promovimi i librit “Kurbani” në Beograd, përkthyer e botuar në serbisht, po ate kohë, si shenjë besnikërie e tij për betejën kundër nacionalistëve shqiptarë sidomos në opozitë në Shqipëri e në Kosovë. Ndryshe do të ishte promovuar edhe në Prishtinë.

4.Aleanca me Macron dhe me Moskën, në kërkim të ndihmës për ndarjen e Kosovës, gjithnjë me ndërmjetësimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Po jap vetëm faktin se si Rama dhe Thaçi, së bashku me Vuçiq udhëtuan për në Armeni në pranverën e vitit 2018, me alibinë e Samitit të Frankofonisë, por me përkushtimin që ta aktivizonin presidentin francez, Macron, për zbatimin e projektit serb për aneksimin e veriut të Kosovës përmes marrëveshjes së përbashkët.

5.Porositë që Edi Rama u ka dhënë ambasadorëve dhe trupit diplomatik të Shqipërisë për të pushuar së punuari për njohjen e Kosovës, sepse ajo, sipas tij, do të ndahej me Serbinë dhe pjesa e mbetur do të bashkohej me Shqipërinë.

6.Themelimi së bashku me Vuçiq dhe Zaev të inicativës së Minishengenit Ballkanik në vjeshtën e vitit 2019 në Novi Sad, me qëllim izolimin e Kosovës. Ne i njohim deklarimet e kryeministrit shqiptar, sidomos gjatë vitit 2020-2021 në samitet e Shkupit, Beogradit, Ohrit e Tiranës kundër Kosovës dhe kryeministrit Kurti, pse këta kundërshtuan të bëhen pjesë e këtij Minishengeni, të shndërruar me prorosi të Aleksit të Sorosit në Open Balkan.

7.Anullimi e Mbledhjes së qeverive të përbashkëta të qershorit 2023, si paralajmërim për vendosje sanksionesh kundër Kosovës dhe mbështetja që ai i bëri publikisht këtyre sanksioneve.

8.Kundërshtitë e vazhdueshme të Edi Ramës për çdo përpjekje të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani për rivendosjen e sovranitetit në veri të Kosovës. Dhe madje formulimi që ai bëri për territorin e katër komunave në veri si “Tokë e askujt”, me paralajmërimin se ai territor do të vihej nën administrim ndërkombëtar! Kjo ishte një nga kërkesat e Vuçiq!

9.Pas Banjskës Edi Rama nuk e trajtoi aktin terrorist serb si tël tillë. Nuk kërkoi asnjëherë të zbulohen lidhjet e bandës terroriste me presidentin e Serbisë, Vuçiq. Përkundrazi, kërkoi që për zgjidhjen e konfliktit “të merren të dy liderët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, dhe të mbyllen në nje konferencë ndërkombëtare. Të mbahen aty derisa të gjejnë një zgjidhje”! Ideja e konferencës ndërkombëtare ishte dhe mbetet e Serbisë, sepse Beogradi me organizimin e një konference ndërkombëtare realizon qëllimin e saj për ta kthyer në null pavarësinë e Kosovës. Edi Rama, duke e ditur këtë, kërkoi në një formë më të rafinuar atë që kërkon prej fillimit e deri më sot Aleksandër Vuçiq!

10.Dëmi dhe tradhtia më e madhe e Edi Ramës për Kosovën është përçarja e skenës së saj politike. Deri te përpjekjet e tij për të përçarë edhe dy liderët e sotëm, presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti! Jo vetëm kaq! Edi Rama ka përçarë edhe faktorin ndërkombëtar, duke lobuar për ndarjen e Kosovës e duke vepruar kundër saj. Duke u miqësuar me përkrahësit e ndarjes dhe duke u distancuar me liderët evropianë kundër, siç ishte Merkel. Ai asnjëherë nuk është parë në krah të ndonjë lideri të rëndësishëm perëndimor si mbrojtës i Kosovës dhe kritik i Beogradit. Na kujtohet kur në vjeshtën e vitit 2023 u mbajt në Tiranë Samiti i Procesit të Berlinit. Para dite dha konferencë në krah të kancelarit Scholz dhe nuk e përmendi Kosovësm, ndërkohë që kancelari gjerman foli në mbështetje të saj. Ndërsa në mbrëmje me presidentin francez, Macron, ai e nxiti atë që ta shantazhojë Kosovën me anulimin e liberalizimit të vizave. Madje i bëri jehonë këtij shantazhi”, ka potencuar ai.

Sipas profesorit, ka me dhjetëra e qindra fakte e prova se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka punuar me vullnet të plotë dhe përkushtim kundër Kosovës dhe pavarësisë e shtetësisë së saj.

Të gjitha do të zbulohen përmes dokumenteve një ditë. Ndërsa në Neë York, ku ai mbajti fjalimin, pati edhe takime sekrete me Aleksandër Vuçiq!

Konkluzioni është shumë i qartë: Tradhtia është akt. Si e tillë nuk lahet me fjalë. Edhe nëse Edi Rama betohet e stërbetohet se na qenka “patriot”, me fjalë e betime nuk bëhesh i tillë. Janë veprat ato që të klasifikojnë. Nga ana tjetër, nëse njëherë kryen akt tradhtie, edhe sikur njëmijë trimëri patriotike t’i bësh, sërishmi mbetesh tradhtar. Dhe së fundmi, nuk zhbëhesh si “vëlla i Vuçiqit” me një fjalim në OKB kundër pesë vendeve që nuk kanë njohur Kosovën! Denoncoje fuqishëm, njësoj si Vjosa dhe Albini, Aleksandër Vuçiq dhe sërishmi nuk lahet tradhtia!”, përfundoi Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat