Më 24 shtator u bënë një vit nga sulmi në Banjskë, ku nga terroristët serb mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla një vit pas sulmit në Banjskë, ka deklaruar se situata atje është e mirë, duke thënë se në katër komuna veriore situata është komplet ndryshe.
“Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë - qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe”, ka deklaruar ministri në një intervistë për REL.
Deputeti nga radhët e Listës “Guxo” Haxhi Avdyli, ka thënë se situata në veri duke e karahsuar atë me para 4 viteve është si nata me ditë.
Sipas tij, deri tani atje është toleruar një Serbi e vogël që më nuk ekziston sepse atje janë instaluar institucionet e shtetit të Kosovës.
“Situata në veri të Kosovës tani me atë para 2021 është si nata me ditën.
Në aspektin e sigurisë, administratës, ekonomik e politik, tani veriu është njëjtë si çdo pjesë tjetër e Kosovës. Në të kaluarën atje ishte toleruar një Serbi e vogël, por tani aty janë instaluar institucionet demokratike të shtetit të Kosovës.
Tani në veri respektohen drejtat e njeriut dhe ligjshmëria”, thotë ai.
Tutje, deputeti thotë se qytetarët e kanë mirëpritur këtë duke shtuar se vetëm disa akterë politkë opozitare po e shohin këtë si sukses të Kurtit.
“Kjo situatë e qetë, demokratike, qarqeve ekstreme të shteti serb s’po i konvenon dhe janë shqetësuar. Por qytetarët pa dallim kombi po e mirëpresin përveç disa akterëve politik opozitar që suksesin e Kosovës në veri po e shohin si sukses të Albin Kurtit.
Ata po ndjehen edhe si me faj që për 20 vite e kanë lënë veriun pa zot dhe në dorë të kriminelëve dhe shovenistëve serbë”, përfundon ai për “Bota sot”.