Kanë mbetur edhe pak muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, ato të 9 shkurtit 2025.
Të gjitha partitë politike kanë filluar angazhimet e tyre dhe në vazhdimësi po punojnë për fushata parazgjedhor.
Shumë të përfolura janë edhe koalicionet zgjedhor, e në këtë pikë vëmendje marrin dy partitë e mëdha opozitare, LDK e PDK, si dhe partia në pushtet, LVV.
Ka shumë spekulime në lidhje me atë se si mund të rrjedhin gjërat pas 9 shkurtit dhe se cilat parti mund t’i “bashkojnë forcat” mes vete.
Së fundi, Partia Demokratike e Kosovës bëri të ditur se nuk ka vija te kuqe për koalcionet me partitë shqiptare. Megjithatë, zyrtarët e kësaj partie kanë shprehur preferencat e tyre se me cilën parti do të dëshironin të qeverisnin vendin në mandatin e ardhëm.
Ndonëse pas takimit të Memli Krasniqit dhe Albin Kurtit, në maj të këtij viti, ishin shtuar zërat për një marrëveshje në mes të këtyre dy partive, udhëheqësit e PDK-së kanë thënë se nuk preferojnë një koalicion me partinë e Albin Kurtit.
Një gjet ë tillë e ka thënë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Në një intervistë, Hamza ka thënë se parapëlqen një koalicion me LDK-në.
Ai ka treguar arsyet se pse preferon një koalicion me LDK-në pas zgjedhjeve.
“Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit dhe koncepteve politike janë partitë në opozitë, do të thotë me LDK-në. Për shkak të dallimeve konceptuale, programore, të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar, por vijat e kuqe janë treguar të paqëndrueshme dhe një diçka që nuk e kam bërë në të kaluarën dhe nuk e bëj as sot kur e kam parë që kanë dështuar. Nëse i kemi numrat me partitë opozitare, nuk bëjmë qeveri pa VV-në. Kjo qëndron”, është shprehur Hamza.
Edhe Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ka thënë se nuk preferon një koalicion pas zgjedhor me VV-në.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri me tani kanë pasur dy herë koalicion qeverisës. Koalicionin e parë e kishin lidhur në janar të vitit 2008. Kurse, koalicioni i dytë qeverisës ishte lidhur në nëntor të vitit 2014, ku edhe pse PDK-ja kishte dalë fituese e zgjedhje kishte pranuar që postin e kryeministrit të ia jep kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Isa Mustafa.
Duke marrë parasysh edhe qeverisjet në të kaluarën, se çfarë realisht mund t’i japin Kosovës PDK dhe LDK si koalicion qeverisës, folën njohësit politik.
Po ashtu, treguan edhe gjasat që këto parti kanë për të qeverisur me vendin, marrë parasysh fuqinë elektorale të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ramabaja: Nuk bëhet fjalë për “marrje të pushtetit” nga ana e këtij koalicioni të parapëlqyer [PDK/LDK} për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025
E në lidhje me një koalicion të mundshëm PDK-LDK, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli profesori Sadri Ramabaja.
Si fillim, ai komentoi zhvillimet politike qe po kalon shoqëria jonë, derisa kërkoi forcimin e kohezionit politik e kombëtar.
Ramabaja komentoi edhe paraqitjen e fundit të Hamzës, derisa shprehu dyshimet e tij për këtë gjë.
“Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në një intervistë ka potencuar se s`kanë vija të kuqe, por s`preferojnë koalicion me VV-në, por me LDK-në.
Në gjithë sferën e demokracive tradicionale liberale ka zhvillime politike që po cilësohen si proces i "ndarjes së shoqërisë". Për rrethanat politike që po kalojmë si shoqëri shqiptare, rendi do ta donte që ta forcojmë kohezionin tonë politik e kombëtar. Në pamje të parë, askush nuk mund të kishte asgjë kundër kërkesës për kohezion - përveç ndoshta dyshimit se shumë paraqitje për frymën publike, siç është kjo që përshkon prononcimi i kandidatit të PDK-së për kryeministër, janë në një garë për gënjeshtra më të mira, më të pranueshme. Megjithatë, në shikim të dytë, dikush mund të pyesë se si thirrja për kohezion përshtatet në të vërtetë me një koncept tjetër qendror në diskursin demokratik të Republikës sonë, për të cilin me sa duket ka ekuivalent vetëm në gjuhën gjermane: atë të kulturës së debatit. Sepse, mendohej, nuk është vetë konflikti politik ai që është rrezik për komunitetin; përkundrazi, kultura e debatit ka rrezik të ngulfatet nga mungesa elementare e dinjitetit njerëzor dhe dominimi i injorancës politike.
Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka krijuar një lloj identiteti të saj politik që ndërlidhet thellësisht me interesin nacional dhe drejtësinë sociale. Pyetja lind në këtë rast, kush ka frikë nga politika e identitetit të VV-së– dhe pse?”
Krahas kësaj, profesori sqaroi deklaratën e kandidatit të PDK-së për kryeministër, derisa e ndërlidhi me kohezionin politik dhe vlerat e tij.
“Kandidati i PDK-së për kryeminsitër pohon në rrjedhë të këtij prononcimi se “për mua koalicion i preferuar për shkak të programit dhe koncepteve politike janë partitë në opozitë, do të thotë me LDK-n2”.
Kohezioni, siç thekson filozofi Rainer Forst, nuk është një vlerë në vetvete nëse ai nuk bazohet në vlera dhe parime (tek strukturat mafioze njerëzit qëndrojnë së bashku në fund të fundit për të ndarë debitin]. Kohezioni, sipas Forst-it, është më tepër një koncept i varur normativisht. Kjo do të thotë: pa u ngulitur në një kontekst më të madh vlerash, termi mbetet i papërcaktuar politikisht dhe moralisht. Kjo do të thotë: për të bërë diçka pozitive me kohezionin politik në një demokraci, duhet të lidhet një koncept specifik me idetë themelore të lirisë dhe barazisë. Vetëm atëherë fjala nuk bëhet një stenografi për të gjitha llojet e kitsch-it që prodhon çdo ditë opozita kosovare”, nënvizoi ai.
Më tej, tregoi edhe pse kjo preferencë e PDK-së për të bërë koalicion me LDK-në, derisa tha se ajo gjithë rrjedhën e saj politike e ka bazuar në imitimin e LDK-së
“E qartë, ky parapëlqim ka të bëjë me identitetin politik që ka krijuar PDK-ja në rrjedhën e ekzistencës së saj, duke imituar LDK-në. Ndërkohë, siç e kam potencuar në një rast tjetër, meqë një lagje e LDK-së realisht udhëhiqet nga element gri të PDK-së, që dikur drejtonin SHIK-un, ky parapëlqim është krejt i natyrshëm”
Ndër të tjera, Ramabaja tha ky përafrim me LDK-në, PDK-së mund t’i krijojë parakushte për një reformë të përfillshme dhe një lloj çlirimi të saj të brendshëm.
Ndërsa, sa i përket mundësisë për marrjen e pushtetit nga këto dy parti, profesori tha se nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, pasi fitorja e VV-së më 9 shkurt 2025 do të jetë një reprizë e plotë, në mos më e thellë, se e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021
“E mira që potencialisht sjellë ky përafrim i PDK-LDK-së deri në shkrirje të mundshme, është krijimi i një blloku opozitar të përfillshëm dhe të reformueshëm. Aktualisht, PDK-ja në trajtën si funksionon sot, ku strukturat drejtuese realisht nuk mund të marrin dot vendime pa përfilljen e zërit të të “fuqishmëve” që veprojë si struktura mafioze, ky përafrim me LDK-në, mund të krijojë parakushte për një reformë të përfillshme dhe një lloj çlirimi të saj të brendshëm.
Ndërkaq këtu nuk bëhet fjalë për “marrje të pushtetit” nga ana e këtij koalicioni të parapëlqyer [PDK/LDK} për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por për përgatitje terreni të një shkrirje të këtyre dy forcave për zgjedhjet pasuese, meqë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër ashtu si edhe kolegu i tij nga LDK-ja, e kanë të qartë se fitorja e VV-së më 9 shkurt 2025 do të jetë një reprizë e plotë, në mos më e thellë, se e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.
Burjani: PDK ka disa arsye dhe kuptohet se mund të jetë më e afërt me LDK
Kurse, Blerim Burjani tha se është e kuptueshme që PDK të jetë më e afërt me LDK-në dhe të preferojë më shumë koalicion me këtë parti.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” përmendi edhe faktin që këto parti edhe më herët kishin qeverisur së bashku.
“PDK ka disa arsye dhe kuptohet se mund të jetë më e afërt me LDK për të bërë koalicion. Fatkeqësisht LDK nuk ka qeverisur asnjëherë vetëm me institucionet, më herët kishte koalicione PDK-LDK-AAK’ LDK-AAK.
Për shumë vite, LDK dhe PDK e quajnë veten si shtet formuese, por kanë pas më herët bashkëpunim ndërmjet tyre. Çështja tjetër është se këto parti kishin kuadro shumë apo të mjaftushme, mirëpo nuk arritën të zgjidhin për shumë kohë problemin e sigurimit shëndetësor, reformën pensionale”.
Krahas kësaj, ai përmendi disa dështime në aspektin ekonomik, shëndetësor, arsim…, të cilat fatkeqësish nuk janë zgjedhur as pas sa viteve.
“Me rëndësi është se me LVV-në nuk e lidh asnjërën prej këtyre partive, të cilat e quajnë me emra të ndryshëm duke e nënçmuar LVV, si të padijshëm dhe jo të shkolluar. LVV dihet se vetëm nëse reformohet mund të rri në skenën politike, kështu si është nuk ia vlen me u marr me këtë parti, për shkak se as për katër vjet nuk arriti të reformohet brenda vetës së vet.
PDK-së i konvenon për të bëjë koalicion, për shkak të politikës së jashtme po thuajse të njëjtë. Problemi më i madh në Kosovë mbetet: zhvillimi ekonomik, sigurimet shëndetësore, reforma pensionale dhe reforma në arsimin e lartë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.