Zgjedhjet e reja me ligjin e ri, a do të ndryshojë skena politike në Kosovë pas 9 shkurtit 2025?

Politika

Zgjedhjet e reja me ligjin e ri, a do të ndryshojë skena politike në Kosovë pas 9 shkurtit 2025?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 tetor 2024 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt 2021, shpallën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, duke sjellë ndryshime të mëdha në qeverisje pas një periudhe të gjatë. Vetëvendosje qeverisi për katër vjet radhazi, pa bërë koalicion me partitë e mëdha, të cilat mbetën në opozitë për një mandat të plotë.

Brenda pak muajsh priten zgjedhje të reja parlamentare, dhe partitë kanë filluar përgatitjet, duke realizuar sondazhe e anketa. Deri më tani, partitë janë zotuar se do të garojnë pa koalicione, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve priten fillimisht, për të vlerësuar më pas mundësitë për koalicionet pas-zgjedhore.

Megjithatë, lind pyetja: a priten rezultate të ndryshme edhe në këto zgjedhje, si ato të katër viteve më parë, që sollën ndryshime të thella? Për këtë çështje, "Bota sot" ka biseduar me njohës të politikës.

Prof. Dr. Fejzullah Berisha, profesor në Fakultetin e Drejtësisë, thekson se zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë sollën ndryshime të rëndësishme në peizazhin politik dhe qeverisës të vendit, duke reflektuar një transformim të dukshëm në vullnetin e votuesve dhe prirjet e elektoratit.

Prof. Dr. Berisha: Zgjedhjet e ardhshme mund të jenë vendimtare për të treguar se si do të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe çfarë roli do të luajë faktori ndërkombëtar në këtë proces

Image
Prof. Dr. Fejzulla Berisha

“Një nga faktorët kryesorë që kontribuoi në këto ndryshime ishte zhgënjimi i qytetarëve me disa nga qeveritë e mëparshme, veçanërisht në lidhje me çështjet e korrupsionit, transparencës dhe zhvillimit ekonomik. Po ashtu, pandemia COVID-19 dhe pasojat e saj socio-ekonomike ndikuan në rritjen e kërkesës për ndryshim dhe stabilitet. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli si fitues i zgjedhjeve, duke fituar shumicën e votave, çka i mundësoi formimin e qeverisë me një bazë të fortë në Kuvendin e Kosovës. Kjo fitore e Vetëvendosjes u pa si një reagim kundër klasës politike të vjetër dhe një mbështetje për një platformë më progresive, anti-korrupsion dhe kombëtare”, vlerëson profesor Berisha.

Ai thotë më tutje se, retorika e Kurtit për drejtësi sociale, barazi dhe zhvillim të drejtë gjeti jehonë në mesin e votuesve, veçanërisht tek të rinjtë.

“Partitë tradicionale, si Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pësuan rënie të ndjeshme në mbështetjen elektorale. Këto parti, të cilat për një kohë të gjatë kanë dominuar skenën politike në Kosovë, u përballën me sfida të mëdha në mbajtjen e bazës së tyre të mbështetjes, për shkak të perceptimeve të publikut mbi qeverisjen e tyre të mëparshme. Ndryshimi në qeverisje solli gjithashtu ndryshime në qasjen ndaj politikës së jashtme, me fokus të ri në çështjet e dialogut me Serbinë dhe integrimit në organizatat ndërkombëtare. Qeveria e Kurtit ka marrë një qasje më të ashpër ndaj bisedimeve me Serbinë, duke kërkuar njohje reciproke dhe duke insistuar për trajtimin e çështjeve të brendshme të Kosovës me më shumë sovranitet, mirëpo praktika shoqërore po e dëshmon me zhgënjim”, thekson ai.

Ai thotë po ashtu se, zgjedhjet e ardhshme, të cilat pritet të mbahen brenda pak muajsh, kanë një rëndësi të veçantë, pasi do të tregojnë nëse mbështetja për qeverinë aktuale do të mbetet e fortë apo nëse do të ketë një rikthim të forcave politike të vjetra.

“Këto zgjedhje do të zhvillohen në një kontekst ku qeveria e tanishme është përballur me sfida të mëdha, përfshirë tensionet me Serbinë në veri të Kosovës dhe vështirësitë ekonomike që ende vazhdojnë pas pandemisë. Në këtë periudhë parazgjedhore, partitë kryesore politike pritet të përqendrohen në mobilizimin e bazës së tyre dhe në artikulimin e strategjive të reja për të tërhequr votuesit. Debatet pritet të përqendrohen rreth çështjeve si lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, politikat sociale dhe çështjet e integrimit ndërkombëtar, si anëtarësimi i Kosovës në KE, si dhe në organizata ndërkombëtare si OKB-ja dhe NATO-ja. Po ashtu, zgjedhjet e ardhshme mund të jenë vendimtare për të treguar se si do të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe çfarë roli do të luajë faktori ndërkombëtar në këtë proces”, vlerëson profesor Berisha për ‘Bota sot’.

Majkovci: Kosova ka ditë të realizoj procese zgjedhore demokratike me rezultate të pa-kontestuara dhe kjo traditë duhet të vazhdojë

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe politologu dhe njohësi i çështjeve politike, Fahredin Majkovci.

Ai kujton se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit 2020, ushtruesja e detyrës së presidentes shpërndau kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021, të cilat sollën ndryshime të mëdha në skenën politike duke prodhuar rezultatin historik të votave për Lëvizjen Vetëvendosje.

Image
Fahredin Majkovci

“Tri partitë politike më të mëdha LVV, LDK dhe PDK garuan vetë në ato zgjedhje. Vjosa Osmani me listën e saj të kandidatëve të quajtur "Guxo" u bashkua me LVV para zgjedhjeve. Ashtu siç e përshkruan edhe Raporti final i Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian-BE në Kosovë, fushata e zgjedhjeve të vitit 2021 u karakterizua me këto tema; 

“Rimëkëmbja ekonomike ishte në qendër të programeve të fushatës, praktikisht e të gjitha partive, duke përfshirë premtime dukshëm joreale si rritja e ndjeshme e pagës minimale, pensioneve, etj. Lufta kundër korrupsionit ishte gjithashtu një temë qendrore në programet e kandidatëve së bashku me sundimin e ligjit, përfshirë në platformat e AAK-së, PDK-së dhe LVV-së. LDK i dha prioritet shëndetësisë dhe arsimit. Dialogu me Serbinë u përmend në programet zgjedhore, por vetëm në një mënyrë të përgjithshme dhe pa propozime konkrete”, vlerëson ai.

Majkovci thotë se, një element dallues në raport me zgjedhjet e mëhershme ishte edhe numri i aplikantëve për votim jashtë Kosovës.

“Sipas raportit të lartcekur “ Regjistrimi i votuesve dhe periudha e votimit jashtë Kosovës u ndikua negativisht nga afati i shkurtër kohor dhe në të njëjtën kohë kishte afërsisht tre herë më shumë aplikantë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, dhe mendohet gjerësisht se është rezultat i një fushate nga LVV e cila është përfituesja më të madhe e votimit jashtë Kosovës.”.  Në zgjedhjet e vitit 2021 numri i votueseve jashtë Kosovës ishte 102,100 votues krahasuar me 35,087 votues më 2019. Bazuar në rezultatet përfundimtare;  LVV mori 438.335 vota apo 50.2 %, PDK mori 148.285 vota apo 17 %, LDK mori 110.985 vota apo 12.7 %.  Për më tepër, rezultati në fjalë solli ndryshim dhe krijoj mundësinë që për herë të parë një parti politike e vetme të qeverisë me vendin”, thekson ai.

Sipas politologut Majkovci, zgjedhjet e reja në vend do të organizohen duke u bazuar në Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2023.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me ligjin e ri janë bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda dhe jashtë vendit. Duke filluar nga zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë të një subjekti politik. Për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që nga këto zgjedhje, lehtësohet procesi i votimit. Përveç dërgimit të fletëvotimeve me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e nëntë shkurtit do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike”, nënvizoi ai.

I pyetur nëse këto zgjedhje do te sjellin ndryshime të reja, ai thotë se, në brendësi të një procesi zgjedhor shtrihen lirshëm arteriet kryesore, që ushqejnë të gjitha proceset, dhe reformat demokratike të një vendi apo të një populli, që aspiron vërtet demokraci.

“Procesi zgjedhor është një proces, që sjell natyrshëm rotacionin, ose rikonfirmimin e një pushteti, të një partie apo grupimi partish në koalicion. Kosova ka ditë të realizoj procese zgjedhore demokratike me rezultate të pa-kontestuara dhe kjo traditë duhet të vazhdojë. Sfida përpara Kosovës janë të shumta në rrjedhojë duhet të krijohet një kulturë politike e hapur, pjesëmarrëse dhe transparente. Për më tepër, ciklet zgjedhore përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës për katër vitet e ardhshme, në këtë pikëpamje edhe zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 janë moment i rëndësishëm për perspektiven e mëtejshëm të shtetit dhe shpresojmë në ndryshime të reja pozitive”, vlerëson Majkovci për ‘Bota sot’.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat