Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se situata në veri është e qetë. Ai theksoi se në katër komunat veriore, situata është krejtësisht ndryshe nga ajo që ishte më parë.
“Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë - qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe”, ka deklaruar ministri në një intervistë për REL.
Profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë edhe pse gjendja e sigurisë në veri duket e qetë, nuk është siç thuhet nga politikanët, duke thënë se pushteti atje po mbahet me anë të forcës.
“Gjendja e sigurisë në Kosovë nuk është ashtu sikundër deklarojnë njerëzit e pushtetit.
Në Kosovë kemi një gjendje që në shikim të pare të duket e qetë, por që është në shpërthim.
Pakënaqësi ka në shumë fusha. Punësimi, korrupsioni, gjendja në arsim, në sigurinë sociale dhe në veri të Republikës nuk është e mirë. Veriu po mbahet me anën e forcës së pushtetit. Minoriteti serb është larguar nga pushteti.
Atje po kryhen kohë pas kohe akte kriminale kundër organeve të pushtetit dhe pasurisë shtetërore”, thotë ai.
Ai thotë se Serbia po vazhdon të përgatit grupe kriminale dhe se ata janë të gatshëm për të vepruar.
Kelmendi thotë se Serbia duhet të ndëshkohet dhe të ndalet nga BE dhe SHBA
“Janë në pritje edhe aksionet tjera të kryhen.
Serbia po përgatit grupe kriminale. Rreth Kosovës gjinden mbi 45 baza ushtarake e policore-vullnetare serbe. Të gatshëm për të vepruar.
E gjithë kjo mund dhe duhet të ndërpritet. Një hap i rëndësishëm është që pushteti të gjejë mënyrën e integrimit të minoritetit serb në shtetin e Kosovës.
Si do të bëhet kjo nuk ka një çelës.
Megjithatë kërkohet angazhim i Kosovës në këtë anë.
Por, edhe i faktorit ndërkombëtar. BE dhe SHBA kërkohet të ndalin Serbinë. Me këtë shtet kriminal dhe agresive ndaj Kosovës nuk kemi paqe të qëndrueshme. Shteti serb duhet të ndëshkohet dhe të ndalet. Këtu është çelësi i paqes në Ballkanin jug-lindor. Serbia po kërcënon me luftë”, përfundon ai për “Bota sot”.