Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë.
Këto komente, Kurti i bëri në fjalimin e tij mbi temën ndërlidhjes mes Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian, me vëmendje të veçantë te Ballkani Perëndimor, në kuadër të sesioneve të Forumit të Varshavës për Siguri (ËSF).
Kreu i ekzekutivit tha se sot, siguria rajonale në Evropë është siguri kolektive për Evropën sepse “ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën”.
“Për ne në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike”, u shpreh Kurti.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
Ai thotë se siguria e vendit dhe Ballkanit është në rrezik, pasi në vazhdimësi kemi të bëjmë me organizime të aktiviteteve që kanë për qëllim destabilizim.
Sipas tij, krerët e shtetit duhet të jenë në koordinim me ndërkombëtarët që të marrin masa për mos përballje të eskalimit të sigurisë.
“Referuar raporteve të sigurisë lokale dhe atyre ndërkombëtare atëherë del se situata e sigurisë është e cenueshme dhe ka dyshime që mund të organizohen aktivitete që kanë për qëllim destabilizim të vendit dhe Gadishullit Ballkanik. Paralajmërimet e tilla po vinë në vazhdimësi edhe nga ato më serioze siç janë ata të SHBA, përkatësisht shefi i CIA-së.
Në fakt duhet të kenë një kujdes më të shtuar krerët e shtetit për këtë situatë të tanishme dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për parandalimin e eskalimit të situatës së sigurisë së vendit. Prandaj duhet të bashkëpunojnë në vazhdimësi me akterët ndërkombëtar e posaçërisht me SHBA”, u shpreh ai.
Eksperti i sigurisë vazhdon tutje duke kërkuar koordinim mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve.
Ai shton që Kosova është e ekspozuar para një situate të rrezikshme të sigurisë dhe të gjitha veprimet e institucionet e sigurisë duhet të jenë në pajtueshmëri me ato të ndërkombëtarëve.
“Ne jo gjithmonë mund të zbatojmë drejtësinë ose të shtrimë sovranitetin, kur nga ai aktivitet mund të shkaktojmë josiguri. Prandaj në këto raste krerët e shtetit më shumë i takon që të merren me veprime konkrete për mos justifikim të aktiviteteve të dhunshme , koordinim të fuqishëm me faktorin ndërkombëtar dhe atë të sigurisë lokale për parandalimin e çdo rreziku që mund të i vjen Kosovës.
Ne mund të themi se Kosova është e ekspozuar para një situate të rrezikshme të sigurisë dhe të gjitha veprimet e institucionet e sigurisë duhet të jenë konfort me ato të ndërkombëtarëve, e të mos kemi të kundërt gjë nga Kosova në raport me ndërkombëtarët”, përfundoi Elezi për “Bota sot”.