Dëmtim apo pastrim? ‘Zbërthehet’ dorëheqja e deputetëve të VV-së

Politika

Dëmtim apo pastrim? ‘Zbërthehet’ dorëheqja e deputetëve të VV-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 tetor 2024 Në ora: 11:58
Behgjet Pacolli, Eman Rrahmani, Visar Korenica

Lëvizja Vetëvendosje nga dita e martë do të mbetet me dy deputetë më pak në parti, kjo pasi deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica kanë dhënë dorëheqjet e tyre.

Njoftimin për dorëheqje e ka bërë vetë deputeti Eman Rrahmani përmes një konference për media, duke treguar se ata tashmë janë pjesë e një koalicioni me Partinë e Drejtësisë së Ferid Aganit dhe AKR-në e Behgjet Pacollit.

“Unë dhe deputeti Visar Korenica nga sot nuk do të jemi pjesë e VV. Tash është caktuar data e zgjedhjeve dhe parimisht ka përfunduar mandati i deputetit”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka shtuar se pjesë e koalicionit do të jenë edhe personalitete publike, gjersa ka ftuar qytetarët të vazhdojnë të votojnë çdo iniciativë që është në të mirë të qytetarëve dhe ta kundërshtojnë çdo iniciativë që është në dëm të qytetarëve.

Aleanca Kosova e Re, deputetët e dorëhequr i konsideron prurje të madhe dhe mjaft kualitative.

Makolli: Suksesi i këtij koalicioni në zgjedhjet e 9 shkurtit është i garantuar

Anëtari i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se familja është qeliza themelore e kombit dhe shtetit dhe për këtë sa më e shëndosh të jetë ajo aë më i zhvilluar është shteti.

Image
Vesel Makolli

“Lista për Familjen, është koalicioni që AKR-ja e ka me PD-në. Vetë motoja jonë, Lista për Familjen, tregon se target kryesor në programin tonë zgjedhor, do të jetë familja, gjëja më e shenjtë për çdo njeri të këtij planeti. Familja është qeliza themelore e kombit dhe shtetit, andaj sa më e shëndosh dhe e iluminume që të jetë familja, aq më i zhvilluar dhe më i kulturuar do të jetë kombi - shteti. Në këtë kontekst, programi jonë zhvillimor synimet kryesore i ka zhvillimin e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe ngritjen e rejtingut të shtetit tonë në rrafshin ndërkombëtar”, shprehet Makolli për “Bota sot”.

Me aderimin e Rrahmanit dhe Korenicës si dhe grupit të intelektualëve dhe ekspertëve të prirë nga z.Fatmi Smajli, Makolli thotë se suksesi është i garantuar.

“ Dy deputetë e VV-së Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe grupi i intelektualëve dhe ekspertëve të prirë nga z.Fatmir Smajli, që sot iu bashkuan PD-ës, është një prurje e madhe dhe shumë kualitative që ka përfituar PD-ja, gjegjësisht koalicioni ynë. Me këto aderime të sotme dhe me shumë tjera që do të vijnë gjatë ditëve në vijimë, suksesi i këtij koalicioni në zgjedhjet e 9 shkurtit, është i garantuar. Koalicionin e ka bashkuar programi i harmonizuar për të mirën e vendit. Kur kemi të bëjmë për temat që janë jetike për zhvillimin e vendit dhe për raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë, e në veçanti me nunin e pavarësisë - SHBA-të, dallime nuk ka dhe të gjithë jemi unik, për të mirën e vendit. Presidenti Pacolli dhe AKR-ja, me punë, angazhime e veprime, kanë treguar se, gjithmonë interesi i vendit është mbi të gjitha”, shton Makolli.

Dorëheqjet e dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, na rikthejnë në kohën e dorëheqjeve “masive” të vitit 2018, kur nga kjo parti kanë dhënë dorëheqje disa deputetë, por edhe figura të tjera mjaft të rëndësishme në të.

Disa prej tyre janë në Partinë Socialdemokrate, parti kjo që nuk kishte arritur ta kalojë pragun e zgjedhjeve, ndërsa disa kanë “përfunduar” si analistë nëpër studio televizive.

Haziri: Dehja e madhe kolektive 14 shkurtit të 2021, nuk do të përsëritet ma

Analisti politik, Nexhat Haziri thotë largimi i deputetëve shfaq mënyrën sesi funksionon organizata politike.

Sipas tij, partia e deputetëve të Rrahmanit dhe Korenicës edhe mund ta kalojë pragun.

Image
Nexhat Haziri

“Largimi i deputetëve Rrahmani dhe Korenica nga LVV-ja, por edhe paralajmërime të tjera për largim nga organizata e Kurtit, natyrisht se do të ketë ndikim në vota dhe kjo do të pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të LVV-së më 9 shkurt. Ky largim i këtyre deputetëve, por edhe atyre më parë dhe të tjerëve që pritet të largohen shpërfaq mënyrën se si ka funksionuar kjo organizatë politike, ku përpos interesave personale e karrieriste, nuk kanë pasur asgjë të përbashkët as ideologjike apo ndonjë vizioni të përbashkët politik e zhvillimor për vendin. Unë pres që koalicioni të cilët iu bashkuan deputetët Rrahmani dhe Korenica mund ta kalojnë pragun , por kush do të jetë deputet e kush do mbetët analist politik, mbetet për tu parë pas 9 shkurtit, por ajo dehja e madhe kolektive 14 shkurtit të 2021, nuk do të përsëritet ma. U panë edhe këta (LVV), dhe treguan se janë të njëjtit sikur ata nga i ashtuquajturi "regjimi i vjetër"”, deklaron Haziri.

Kujtojmë se deputetet Rrahmani e Korenica pas largimit nga VV kanë thënë se janë munduar që çështjet si projekt kodi civil do t’i zgjidhin brenda “Vetëvendosjes”, por për një të tillë s’ka pas vullnet e dëshirë që të tejkalohen dallimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat