Driton Tali tregon pse Kosova e mbështet Izraelin në luftën kundër aleatit të ngushtë të Rusisë

Politika

Driton Tali tregon pse Kosova e mbështet Izraelin në luftën kundër aleatit të ngushtë të Rusisë

Nga: A.SH Më: 3 tetor 2024 Në ora: 12:32
Albin Kurti

Lindja e Mesme po “vlon” nga lufta.

Irani, mbrëmjen e 1 tetorit ka sulmuar Izraelin me raketa.

Në lidhje me këtë ka reaguar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka dënuar sulmin e Iranit mbi Izraelin.

Ai ka thënë se i bashkohet qeverive të shteteve të tjera për të dënuar këtë sulm. Kurti tha se rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante, duke shtuar se Izraeli e ka të drejtën ta mbrojë vetën.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Pozicionimin e Kosovës krah Izraelit dhe perëndimit e ka komentuar njohësi i çështjeve politike, Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”.

Tali, shpjegimin e tij e nis nga datimi i Palestinës si vend, për të cilën thotë se zanafillën e ka në Rezolutën 181, të OKB-së, të vitit 1947.

Ai madje, thotë se në gjithë këtë përfshihet edhe Rusia për interesa të saj.

“Saga që po zhvillohet në Lindjen e Mesme e ka zanafillën në Rezolutën 181, të OKB-së, të vitit 1947, e cila nga kolonia e mandatuar Britanisë, prej Ligës së Kombeve, e të cilën Britania e pagëzoi me "Palestinë Mandatore" (në konatacion të Filistinës antike) krijoi dy shtete: atë hebreje dhe arabe.

Ideja e shtetit hebre në Levant u refuzua nga të gjitha shtetet arabe andaj edhe plasi "Lufta e Parë" hebrejo - arabe, në maj të 1948, të cilën e fituan hebrenjtë në mars të 1949. Nga atëherë rajoni është pothuajse në luftë të pandërprerë me viktima civile të shumta nga dy anët.

Është interesant se deri me Revolucionin Islamik në Iran, të vitit 1979, marrëdhëniet në mes Iranit dhe Izraelit ishin shumë miqësore. Irani ishte shteti i dytë mysliman, pas Turqisë, që e njohu Izraelin.

Gjersa, fuqia tjetër myslimane, Arabia Saudite, edhe pse akoma nuk e njeh Izraelin megjithatë qasjen e ka ndryshuar dukshëm. Tashmë është futur në procesin e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmes të ashtuquajturës "Marrëveshja e Abrahamit".

Dhe ndërkohë, në konfliktin arabo-hebre, involvohet Rusia për interesat e saja.

Duhet cekur se Rusia, në Luftën Civile në Siri, ishte në anën e diktatorit Asad. Në anën e diktatorit Asad ishte edhe Hezbullahu (shiitë) i cili u akuzua për krime të rënda ndaj civilëve synitë. Siç dihet lufta e fundit hebreje - arabe, filloi pas sulmit terrorist të Hamasit (që është organizatë synite) në Izrael.

Dhe nga momenti i parë kur filloi Izraeli sulmin hakmarrës në Rripin e Gazës kundër terroristëve të Hamasit, Hezbullahu filloi të gjuaj me raketa Izraelin.

Pra, Hezbullahu i cili në Siri masakronte synitë tashti mbron synitë në Gaza!?

Po ashtu duhet përmendur edhe lidhjet e ngushta që ka Hamasi me Rusinë.

Nuk ishte e rastit që Hamasi reagoi nga të parët në dënimin e sulmit terrorist në Qendrën Tregtare të Moskës, të marsit të këtij viti. Pra Hamasi i cili para pesë muajve vet ndërmori "sulm xhihadist mysliman" e dënoi "sulmin xhihadist të myslimanëve" në Rusi.

I ceka gjithë këto për ta ilustruar atë se çka po ndodhë aktualisht në Lindjen e Mesme”, shpjegon Tali.

Kurse, krejt në fund, Tali thotë se Kosova duhet ta mbështes shtetin që na njeh duke e shpreh keqardhjen tonë për viktimat e pafajshme.

“Andaj, duke i pasur parasysh gjitha këto, shtrohet pyetja se cilat ishin alternativat e Kosovës së vogël? Ta mbështesim Izraelin, i cili na njeh, duke e shpreh keqardhjen tonë për viktimat e pafajshme dhe dëshiruar që lufta të përfundojë sa më shpejtë ose ta përkrahim Iranin shiit, aleatin e ngushtë të Rusisë (së bashku me dy organizatë terroriste) i cili nuk na njeh, dhe i cili këtë përkrahje të sunitëve të Gazës e ka me hile”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat