Trajnimi dhe mbajtja e vazhdueshme në pozicione lufte e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, armatosja e pareshtur nga të gjitha anët, kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe agresioni terrorist serb, i vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, marrë parasysh, se autorët e po këtij akti terrorist serb, edhe sot vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi, e bëjnë situatën mjaft serioze.
Kështu shprehet analisti politik Gani Qarri i cili shton se, pas kërcënimeve të hapura të Serbisë për agresion ushtarak si dhe fushatës publike për konflikte të reja në Kosovë, mund të përsëritet serish agresioni i para një viti, me mundësi përshkallëzimi në dimensione edhe më të gjera, deri te një agresion i hapur ushtarak mbi vendin tonë, njëjtë siç ka vepruar Rusia në Ukrainë.
Sipas tij, duke pasur parasysh se edhe Rusia i ka përdor të gjitha këto metoda, para se të fillonte pushtimin ushtarak të Ukrainës, Qeveria dhe shteti i Kosovës, duhet të përgatiten në vijimësi, në mënyrë që të mund tu ofrojnë siguri qytetarëve dhe të mbrojnë çdo cep të territorit të vendit tonë, pa marrë parasysh deklaratat e dyshimta të disa "njohësve" të zhvillimeve politike, se kinse gjendja është nën kontroll, siç deklaronin edhe para një viti mu në prag të aktit terrorist të Banjës, duke akuzuar kryeministrin Kurti se deklaratat e tij, ishin propagandë për të marrë vëmendje ndërkombëtare.
“Madje siç u shpreh, vetëm para pak ditësh edhe vet profesori i mirënjohur në Institutin amerikan për Politika Botërore (IËP) në Uashington, z. Glenn Corn, në Konferencën e sigurisë të organizuar nga Instituti Nju Lines për Strategji dhe Politika, në Sarajevë, tanimë nuk është luftë vetëm në Ukrainë, por konflikti është përhapur edhe në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Kaukaz dhe në mbarë botën, e me shumë mënyra që konsiderohen akte lufte, Rusia u ka shpallur luftë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj SHBA përveç Ukrainës, duhet të fokusohet edhe ndaj aleatëve në Ballkan, ku padyshim bënë pjesë edhe vendi ynë-Kosova. Pra, derisa vërejtje të tilla serioze, vijnë pikërisht nga një person që për kohë të gjatë, ka punuar në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës amerikane(CIA), si profesori me renome i Institutit amerikan për Politika Botërore z Glenn Corn, i cili ka qenë i angazhuar mbi 34 vite në hierarkinë e inteligjencës dhe atë të diplomacisë së SHBA-ve, me detyrën e përfaqësuesit të jashtëm të SHBA-ve në Rusi, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Turqi, konsideron se rajoni i Ballkanit Perëndimor “është ende një fuçi baruti”, që mund të shpërthejë në çdo moment, besojë se qytetarët e Kosovës, duhet t’i kuptojnë drejtë, paralajmërimet e kryeministrit Kurti, sepse ai ka argumente dhe arsye të bazuara në fakte, kur thotë se Kosova vazhdon të rrezikohet, në mënyrë të vazhdueshme nga Serbia hegjemoniste”, thotë Qarri.
Analisti shprehet se, shto gjithë kësaj eskalimin e fundit katastrofal të gjendjes ndërmjet Izraelit, Libanit, Iranit dhe vendeve tjera arabe, interesimin e madh të Putinit që me bashkëpunëtorët e vet, ta destabilizojë me çdo kusht Ballkanin Perëndimor, për të larguar vëmendjen e BE-së dhe SHBA-ve nga Ukraina, si dhe veprimet hibride të Serbisë, e cila në sinkron me armatimet e fuqishme që blenë nga Rusia, Kina e së fundi edhe nga Franca, si aeroplanët ushtarak “Rafale”, vazhdon edhe kërcënimet e pareshtura ndaj vendit tonë dhe Bosnjës e Hercegovinës, si dhe faktin se kohëve të fundit edhe KFOR, duket se ka arsye të forta që po sjellë trupa, herë pas here në Kosovë, krejt këto dëshmojnë publikisht, se jemi realisht të rrezikuar dhe njëjtë si në Rusi dhe Lindjen e mesme, edhe në Ballkan, Serbia me insistimin rus, mund ta shfrytëzojnë gjendjen e krijuar, për fillimin e luftërave të reja me qëllim të gllabërimit të territoreve të vendeve fqinje dhe krijimin e Serbisë së madhe.
“Duke ditur se po pati sukses Rusia në okupimin e Ukrainës, për shkak të kufizimeve që ka Ukraina në ndihma ushtarake e armatime si dhe ndalimin e përdorimit të armëve me rreze të gjata veprimi, nga vendet perëndimore, në mënyrë që Ukraina ta ndalojë agresionin rus, pasi që Rusia, duket se edhe sot po arrin të përdor me sukses varësinë e disa prej këtyre vendeve nga nafta, gazi dhe energjia ruse duke u diktuar atyre edhe se si të pozicionohen ndaj Rusisë, viktimat e radhës, për okupimin ushtarak të territoreve të tyre, në objektivat serbo-ruse, janë Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Në anën tjetër, megjithëse Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ajo lidhi marrëveshje për shitjen e litiumit në Gjerman, u ofroi kinezve minierat dhe vende të veçanta për investime kapitale, blen aeroplan ushtarakë francezë, dhe nënshkruan kontratë me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, për ndërtimin e komplekseve jo vetëm banesore por edhe sanimin e atyre ushtarake, të gjitha këto e bëjnë situatën e sigurisë, për Kosovën aq të ndjeshme, sa që përveç përpjekjeve për lidhje sa më të forta me SHBA dhe NATO-n, Kosova duhet në vijimësi të përgatitet edhe ushtarakisht dhe forcojë sa më shumë edhe strukturat e veta mbrojtëse, medoemos në të gjitha nivelet dhe në mënyrë sa më bashkëkohore, që në rast nevoje, të jetë në gjendje, ti dal zot vetvetes”, përfundon analisti politik Gani Qarri.