Alarmi i Ministrit italian të Mbrojtjes/ A ka rrezik për shpërthim konflikti Kosovë-Serbi?

Politika

Alarmi i Ministrit italian të Mbrojtjes/ A ka rrezik për shpërthim konflikti Kosovë-Serbi?

Nga: P.Rudi Më: 3 tetor 2024 Në ora: 22:03
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Duke iu referuar situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme, Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto ka shprehur shqetësimin e tij për krizën në Kosovë, që sipas tij, ka potencial shpërthimi.

“Ekziston një front tjetër që më shqetëson, jo në të njëjtën masë si Lindja e Mesme, por që potencialisht mund të bëhet po aq shpërthyes sa ai”, tha Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përpara komisioneve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë.

E ky paralajmërim i Ministrit Crosetto duhet të merret seriozisht sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit.

"Rrallë herë politikanët e lartë të Italisë janë shprehur për mundësinë e një tensionimi të situatës së sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë. Deklarata e ministrit të Mbrojtjes, Guido Crosetto, me shqetësim për krizën në Kosovë me një potencial shpërthyes duhet marrë seriozisht. Kur Crosetto thotë se “Ekziston një front tjetër që më shqetëson, jo në të njëjtën masë si në Lindjen e Mesme, por që potencialisht mund të bëhet po aq shpërthyes sa ai”, do të thotë se pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës është ende larg. Aq më tepër që një deklaratë e tillë u bë përpara Komisionit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit Italian", thotë profesor Bytyçi.

Sipas tij, kjo deklaratë e shefit të mbrojtjes italiane lidhet edhe me faktin se pas dhjetë ditësh komandën e KFOR-it në Kosovë e merr një general italian.

Image
Enver Bytyçi

"Ai do të zëvendësojë gjeneralin turk, mandati i të cilit përfundon këto ditë. Dhe ky fakt më shqetëson më shumë sesa deklarata e Ministrit Italian të Mbrojtjes. Fillimi i misionit të gjeneralit Italian me nota të tilla vlerësimi të situatës është një sinjal i keq për rajonin. Ose ministri Crosetto ka për qëllim që pas një viti të shpallë fitoren e trofesë së paqes që Italia e fitoi në krye të KFOR-it. Ose paralajmëron palët në konflikt që të mos agravojnë situatën e brishtë", shton Bytyçi.

"Sa i përket paralajmërimit të tij për palët, besoj se adresa e tij është më shumë te Kosova, sesa te Serbia. Pra te Albin Kurti, sesa te Aleksandër Vuçiq. U bë e modës tani që të vihet nën presion viktima dhe jo agresioni. Kjo po ndodh vazhdimisht. Prandaj kam përshtypjen se shefi i Mbrojtjes italiane kërkon të vazhdojë statuskuoja në veri të Kosovës. Pra të vazhdojnë bisedimet midis palëve në kushtet e para Banjskës. Që Kosova të mos përpiqet të jetë sovrane edhe në veri të vendit, derisa palët në dialog të merren përfundimisht vesh me njëri-tjetrin", shton Bytyçi.

Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Kosovës që t'i bëjë lëshime Serbisë.

"Halli i Italisë, por mesa duket edhe i Gjermanisë, është që Kosova të bëjë lëshime ndaj Serbisë. Francës po ashtu. Vetëm Britania e Madhe dhe Turqia janë në pozitën që ta ndihmojnë Kosovën në të drejtën e saj. Prandaj dhe deklarata e zotit Guido Crosetto besoj se shkon në këtë linjë. Të bëjë presion sidomos ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, me qëllim që ato të heqin dorë në planet për hapjen e Urës së Ibrit dhe të aksioneve të tjera për shtrirjen e sovranitetit në veri. Unë mendoj se shteti dhe shoqëria kosovare kanë mundësi të shumta për të arrit integrimin e serbëve, sidomos në veri, në institucionet e vendit. Besoj se hapja e Urës së Ibrit mund të shoqërohet me koncerte dhe veprimtari sportive të shumta në katër komunat e veriut, por edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në jug të Kosovës. Nuk i kushton asgjë buxhetit të shtetit të organizojë veprimtari të tilla çdo ditë e dy herë në ditë, duke shfrytëzuar çdo mundësi materiale dhe avantazh. Veprimtaritë kulturore nuk duhet të jenë vetëm të një komuniteti, serbëve ose shqiptarëve, por mix. Të ftohet edhe Dua Lipa ose Rita Ora, apo të dyja së bashku, për konverte në Mitrovicën e Jugut e të Veriut, në Leposaviç, Zubin Potok apo Zverqan e deri në Graçanicë. Njrëzit, qytetarët e Kosovës, serbë e shqiptarë, duhet të fillojnë të bashkohen me zemër", thekson Bytyçi.

Më tej, ai thotë se aksionet e derisotme qofshin këto edhe me polici, e kanë sjellë situatën në atë gjendje që tani të krijohen mundësi të tilla.

"Dhe kur qeveria e hap Urën e Ibrit në kushtet e atmosferës festive me pjesëmarrjen e serbëve e të shqiptarëve, edhe pa koordinim me KFOR-in e aleatët, askush nuk ka më gojë të flasë. Jam i bindur se e gjitha kjo do të shkojë më së shumti në interes dhe shërbim të banorëve të veriut. Serbët në veri ishin lodhur nga presionet e organizatës kriminale të Radoiçiq. Tani ata duhet të ndjehen plotësisht të çliruar nga ai presion. Megjithëse do të ketë Radoiçiqë të tjerë që do të përpiqen ta prishin marrëdhënien midis serbëve e shqiptarëve dhe sidomos me institucionet e Kosovës. Sepse po të ndodh pajtimi real, atëherë presidentit serb i hiqet nga dora pretendimi se “Kurti ushtron dhunë kundër serbëve në veri“! Fola për një mundësi. Por ato janë të shumta. Mjafton vullneti i qeverisë së Kosovës për t’i shfrytëzuar mundësitë e afrimit dhe integrimit social, kulturor, ekonomik e politik të serbëve në Kosovë. Dhe kjo do të bëjë që nesër t’i themi ministrit Italian të Mbrojtjes se “Ia ke fut kot plako”! Nuk ka asnjë potencial shpërthimi në Kosovë. Nuk ka krizë në Kosovë. Kriza dhe konflikti janë strehuar që prej vitit 1992 në kokën e ish-ministrit të Milosheviçiq, presidentit të sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiq".

"Arritjet e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për sovranitet në veri të vendit janë spektakolare krahasuar me situatën e para vitit 2020. Nuk duhet asnjë hap prapa. Por me shumë kujdes, me shumë zgjuarsi. Ndërkaq akuzat e fajësimet e miqve të Serbisë kundër Kosovës nuk duhet të ndikojnë për kompromise kundër shtetësisë dhe integritetit territorial", nënvizon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thekson se duhen plotësuar dhe dy kondita të tjera.

"E para, asnjë politikan shqiptar kudo të jetë, e sidomos ata në Kosovë, nuk duhet të venë në pikëpyetje qëndrimin dhe vendosmërinë për ta ruajtur, forcuar dhe mbrojtur shtetin e Kosovës. Çdo deklarim për “bashkim me Shqipërinë” apo të natyrave të tilla, krijon perceptimin se “Kosova është shtet I përkohshëm”! Dmth se “nuk ia vlen të mbrohet dhe të konsolidohet”!”.

“Së dyti, por që lidhet me të parën. Duhet rrit edhe më tej aftësia mbrojtëse. Kosova duhet ta konsiderojë veten në luftë të pashpallur ose gjysmë të shpallur prej Serbisë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm duhet të planifikojë 500 milionë deri një miliard euro. Me këtë akt jep sinjalin se Kosova është e vendosur për ta mbrojtur me çdo sakrificë shtetin dhe territorin e saj!", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat