Ende nuk dihet se kur do të hapet ura e Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, megjithëse Bashkimi Evropian ka deklaruar se dëshiron ta përfshijë këtë çështje në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi.
Ndërkohë, ka një marrëveshje të mëparshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hapjen e urës, por zbatimi i saj ka hasur në pengesa. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka përmbushur kërkesat ndërkombëtare sa i përket hapjes së urës, por vazhdon konsultimet dhe koordinimin me ta për të siguruar një zgjidhje të përbashkët.
Deputetja Albana Bytyçi, në një intervistë për “Bota sot”, thekson se hapja e urës duhet të ndodhë vetëm në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë. Ajo gjithashtu shprehet se tentativat e fundit për hapjen e urës kanë qenë të lidhura me fushatën zgjedhore.
“Pa dyshim që është e domosdoshme hapja e urës, por kjo duhet të bëhet vetëm në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë. Përpjekjet e fundit për hapje kanë pasur më shumë një qëllim elektoral dhe janë pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, duke u përdorur si mjet i politikës populliste nga kryeministri Kurti”, thekson ajo.
Vlen të përmendet se në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit që parashikonte hapjen e saj në vitet 2015-2016.