Kosova krah Izraelit, mesazh i fuqishëm për Brukselin: Serbia nuk mund të...

Politika

Kosova krah Izraelit, mesazh i fuqishëm për Brukselin: Serbia nuk mund të...

Nga: M.Lakna Më: 5 tetor 2024 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Javën e kaluar Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit.

Me këtë filloi edhe shënimi i një përshkallëzimi të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë lëndim dhe, rreth një orë pas fillimit të sulmit, tha se tani izraelitët mund të dilnin nga strehimoret. Ai e përshkroi sulmin si serioz dhe tha se do të kishte pasoja.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Konflikti që çdo ditë e më shumë po merr përmasa serioze u dënua nga liderët botërorë, përfshirë këtu edhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti deklaroi se Kosova e mbështetë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Kurti.

Ky pozicionim i Kosovës nxiti reagime të shumta në opinion, qoftë ato pozitive, por edhe negative.

Analisti Nexhat Haziri e konsideron si të natyrshëm pozicionimin e Kosovës krah Iazraelit, duke thënë se ky pozicionim mbështetet edhe në trashegiminë politike e historike të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës.

Image
Nexhat Haziri

“Është pozicion i natyrshëm dhe korrekt që mbështetët edhe në përcaktimin gjeo-strategjik të Kosovës që nga fillet e procesit dhe përpjekjeve për liri dhe pavarësi të vendit tonë dhe po ashtu mbështetet edhe në trashëgiminëpolitike e historike të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës. Pra, Kosova është në krah të aleatëve të saj, përveç si përkrahje ndaj Izraelit dhe të drejtës së tij për tu mbrojtur, është edhe si mirënjohje ndaj aleatëve tanë për kontributin e tyre për lirinë dhe shtetin tone”, ka thënë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Haziri shprehet po ashtu se ky pozicionim e ndihmon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar dhe e forcon pozitën e saj gjeostrategjike, përkundër Serbisë që është e pozicionuar krah Rusisë dhe Iranit.

“Ky pozicion, natyrisht se ndihmon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar dhe forcon pozitën gjeostrategjike të vendit tonë dhe një mesazh i fortë se Kosova qëndron fort në raport me vlerat perëndimore, të demokracisë dhe lirisë dhe natyrisht se kjo do te na ofroj edhe më afër me aleatët tanë, përkundër Serbisë e cila është përcaktuar përkrah të keqes siç është Irani dhe regjimi i tij, por edhe përkrah Rusisë, dhe kjo duhet të ishte një shqetësim për Brukselin dhe një mesazh i qartë nga Beogradi, se çfarë është Serbia dhe çfarë rruge është duke e ndjekur, në mënyrë që Brukseli t'i ndaloj përkëdheljet ndaj shtetit serb dhe t'ia bëjë të qartë se nuk mund të vazhdoj të ulet në dy karrige”, përfundoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat