Ferizi: Specialja drejt zbulimit të vrasjeve politike, përmend me emra se kush duhet të dëshmojë

Politika

Ferizi: Specialja drejt zbulimit të vrasjeve politike, përmend me emra se kush duhet të dëshmojë

Nga: P.R Më: 6 tetor 2024 Në ora: 07:58
Gjykata Speciale - Hagë

Ish pjesëtari i grupit të armatosur të dhjetorit 1991, të prirë nga heroi Sali Çekaj, Osman Ferizi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” ka folur lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale, ku ndër tjerash, të akuzuarit po gjykohen edhe për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë në mungesë të guximit, ka dështuar në hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike.

Është shumë e dhimbshme dhe prekëse, që 25-vite nga përfundimi i luftës ende mbeten të pa zbardhura vrasjet e shumë figurave e personaliteteve që ishin pjesë e LDK-së (aktivist politik, kryetar degësh, gazetar, epror ushtarak, punëtor arsimi, luftëtar të UÇK-së…), e që sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk e pati guximin e as fuqinë për t’i zbardhur përkundër ankesave, denoncimeve e protestave të familjarëve të të vrarëve. Shpresa u kthye kur në Asamblenë Parlamentare të KE (AKPE), në vitin 2011, ku nga një deputet u ngrit çështja e vrasjeve, kidnapimeve, mbajtjeve të pa ligjshme etj, edhe gjëra që nuk qëndronin, kështu që nga bashkësia ndërkombëtare (SHBA e BE) filloi një presion për të ngritur një Gjykatë për vrasjet, përndjekjet, zhdukjen dhe eliminimin më forcë të individëve të një përkatësie politike”, thotë Ferizi për “Bota sot”.

Ai shprehet se shpresat e fundit të familjeve të vrarëve e qytetarëve të Kosovës janë te Specialja për zbulimin e këtyre vrasjeve.

“Shpresat janë të Gjykata e Hagës për t’i zbardhur vrasjet e pafajshme të krimit stalinist fashizoid, që nxitnin përçarje, polarizim, shpifje, etiketa e urrejtje deri në vëlla-vrasje përmes Gazetës Marksiste-Leniniste “Zëri i Kosovës” organ i LPK-së, poashtu në tubimet e tyre publike, përmes Komunikatave të tyre në emër të UÇK-së dhe ish Shtabit të vetë emëruar që i bënë PUÇ bashkimit dhe unifikimit të UÇK-së në një front të përbashkët, ndaj figurave politike të LDK-së, ish Presidentit Rugova, ish ushtarakëve, gazetarëve, komandantëve të suksesshëm”, thekson Ferizi.

“Nga kjo stuhi shtrigash e tradhtarësh u vranë nga banda e mercenar të paguar: ish MMRK kol. Ahmet Krasniqi, gazetari dhe drejtuesi i QIK-ut, Enver Maloku, kryetari Ismet Rraci, avokati Shaban Manaj, Haki Ymeri, kom.Smajl Hajdaraj, kol. Tahir Zemaj, kom. Ekrem Rexha, kom. Ismet Rrahmani, major Skënder Gashi, veprimtari Behadin Allaqi, veprimtari Ilir Konushevci, gazetarët Shaban Popova, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati, Ukë Bytyqi, kryetarin Hasan Zemaj, Adem Zekaj, eprorin Xhevat Isufi, eprorin Qamil Ilazi, eprorin Sadri Ramqaj, kom. Rashit Mustafa, kom. Karadaku, Selman Kuqi, Naim Beka, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj…. u plagosen për vdekje veprimtari dhe luftëtari Fetah Rudi, prof. Sabri Hamiti, Ejup Visola, kryetari Agim Veliu, Adem Salihaj… e dhjetëra tjera të heshtura e të pa denoncuara nga frika e vrasjeve”, shton Ferizi.

Por pse deri më sot nuk u zbulua asnjë dhe nuk u dënuar askush për këto vrasje?

“Sepse sistemi i ngritur në Kosovë pas lufte nga Qeveria e Përkohshme dhe më pas veproi si regjimi i Enver Hoxhës, duke përvetësuar dhe privatizuar vlerat e luftës, duke shkelur mbi gjakun e dhjetëra e qindra martirëve e dëshmorëve, duke frikësuar kundërshtar politik, duke kidnapuar e vrarë e humb edhe varrin, grabitje të pasurisë, haraq e hajni”, shton Ferizi, i cili flet në detaje edhe për vrasjen e ish ushtarëve të Brigadës “Mërgimi”.

“Ta elaboroi rastin e kidnapimit dhe vrasjes së ish ushtarëve të Brigadës “Mërgimi”(Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Ramë Idrizaj dhe Vesel Muriqi (i gjallë që duhet të dëshmojë), si u torturuan dhe vranë, dëshmitë janë nga Vesel Muriqi, pse u eliminua Avni Elezaj dhe më pas edhe babai i tij Smaj Elezaj, Avni Elezaj ishte i akuzuar dhe duhej humb gjurmët e krimit. Pse u vra tradhtisht Ilir Selimi si pjesë e “Shqiponjave të Zeza””, thekson Ferizi.

“Rasti i vrasjes së kom. Drinit (Ekrem Rexha), dihet që dëshmitar i drejtpërdrejtë ishte Remzi Shala ku Halil Çadraku shprehet se do e vras e do e hedhë në plehra, kjo vrasje ishte nxitur nga ish kom. i SHP të UÇK-së kom. Sali Veseli, si u lirua ky, nga kush.. Po rasti i atentatit ndaj veprimtarit e ish luftëtarit Fetah Rudi, të cilin e shpëtoi Zoti dhe sot është i paralizuar, atentati i përgatitur nga Ish Min. Brendshëm R.S, kur konstatohet që ka mbetë gjallë, ky kriminel inskenon aksident me një kamion dhe të tre atentatorët (truproje të R.S) mbesin të vdekur të cilët ma vonë dekorohen, sepse pa fund të vrasjeve, humbje të gjurmëve, eliminimit dhe blerjes së dëshmitarëve, kjo është sa tragjike e po kaq e dhimbshme për një popull të vogël që aq shumë ju gëzua lirisë e që jetoi në ethe pa fund si në kohen e OZN-së”, shpjegon më tej Osman Ferizi.

Ferizi kritikon ashpër edhe institucionet e Kosovës, të cilat qysh me themelimin e Speciales, ndanë buxhet të veçantë për të gjithë të akuzuarit e mundshëm.

“Krimi është individual dhe jo kolektiv si në komunizëm, mos të fshihet askush mbrapa emrit UÇK-së sepse e keni dhier mjaftë, le të flasë drejtësia. Mjerisht sot të akuzuarit në Hagë paguhen nga taksapaguesit e Shtetit, ata që akuzohen për vrasjen e veprimtarëve, patriotëve, ushtarakëve, deri më tani janë paguar mbi 23-milion euro për avokatët e tyre, po ashtu ju paguhen vizitat e familjarëve të tyre (bileta, hotele, ushqimi…), dhe ky është një absurd që unë pyes; Kush është “Patrioti” e kush është “Tradhtari”!?!? Për mua është tradhtar dhe i shitur ai që i ka vra veprimtarët, ushtarakët, gazetarët shqiptar”.

Siç thotë Ferizi, të akuzuarit në Speciale janë degraduesit më të mëdhenj të UÇK-së.

“Pse këta të akuzuar nëse ndihen të pafajshëm morën avokatët më të shtrenjtë në botë? Pse këta ish komandant, drejtues të Shtetit nuk bënë kërkesë për ndihmë financiare për mbrojtje te Dhomat e Specializuara (ZPS), por te Qeveria e Kosovës, kjo dihet sepse ZPS do kërkonte çdo llogari bankare, pasuri të tundshme e të pa tundshme, pra këta jo vetëm që shkaktuan plagë te shumë familje por këta po e zhvatin prapë Shtetin, po i ruajnë paratë e tyre të vjedhura, po ia qesin faqen e Zezë UÇK-së duke u fshehur si lepuj se ne nuk kemi pas ndikim e autoritet në zona të caktuara. Këta janë degraduesit më të mëdhenj të UÇK-së, cila është krenaria e tyre sot”, deklaron Ferizi.

“Nëse edhe kjo shpresë e fundit vritet për të marrë drejtësi e ndëshkim për ato vrasje makabre, familjarëve nuk ju mbetet tjetër veç të bëjnë vetë drejtësi duke u kthyer në kodin e Kanunit. Këto janë pasoja kur gomari i prinë atit, dhe këtu vie në shprehje thënia e dijetarit Japonez Mado: “ Më mirë një luftëtar në kopsht, sesa një kopshtar apo bari në front”, përfundon ish pjesëtari i grupit të armatosur të dhjetorit 1991, të prirë nga heroi Sali Çekaj, Osman Ferizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat