“Nuk do të ketë koalicion LVV-PDK”, analistët komentojnë deklaratën e Hamzës – flasin për mundësitë e koalicioneve zgjedhore

Politika

“Nuk do të ketë koalicion LVV-PDK”, analistët komentojnë deklaratën e Hamzës – flasin për mundësitë e koalicioneve zgjedhore

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 tetor 2024 Në ora: 12:01
Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në njërën nga intervistat të dhënë së fundi nuk e ka përjashtuar një koalicion me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetevendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Në vitin 2019 këtu në Debat Plus nuk kam vendosur vija të kuqe, pse. Të gjitha partitë janë të Kosovës. Partitë i votojnë qytetarët e Kosovës. Nuk jam prej atyre që thonë vetëm ata që e votojnë PDK-në janë të mirë. E them që ka njerëz të mriz edhe ne PDK, edhe në LDK, edhe LVV, edhe në partitë tjera. Nuk jam prej atyre që; nëse je me mua je i mirë e nëse nuk je me mua je i keq. Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit, koncepte politike është më i pranueshëm me partitë në opozitë. Me LVV-në për shkak të dallimeve konceptuale, të kaluarës nuk është koalicion i preferuar. Por, vijat e kuqe janë treguar të paqëndrueshme dhe një diçka që nuk e kam bërë të kaluarën, dhe nuk e kam ditur a janë të qëndrueshme a s’janë krejt, nuk e bëj as sot, kur e kam parë sot që kanë dështuar”, ka thënë Hamza.

Por, analistët politikë e përjashtojnë një koalicion në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Nuk ka koalicion VV-PDK

“Nuk besoj të ketë një koalicion në mes PDK-së dhe VV-së, përkundër deklaratave të kandidatit për kryeministër të PDK-së z, Bedri Hamza, për shkak të divergjencave në mes dy partive politike, por edhe faktorit tjetër që është shumë më rëndësi e që është se z. Kurti është shumë i paparashikuar, gjë që kjo e bën jo të besueshëm si partner qeveritar në koalicion me partitë e tjera politike, në veçanti për PDK-në dhe LDK-në”, shprehet analisti Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri.

Sipas tij, qasja e Vetëvendosjes e bën të pamundur një koalicion qoftë me PDK-në apo LDK-në.

“Kjo është dëshmuar edhe gjatë koalicionit të LVV -së me LDK-në të asaj periudhe të shkurtër të qeverisë Kurti 1 . Dhe nuk është vetëm kjo, por edhe mënyra e funksionimit të LVV-së si një parti centraliste, me mungesë të theksuar të demokracisë së brendshme, me sistemin qeverisës parti-shtet, e bënë të pamundur që njëra nga partitë e mëdha PDK apo LDK të bashkqeverisin me Kurtin”, deklaron Haziri.

Haziri paralajmëron krizë politike në Kosovë nëse asnjëra nga partitë nuk fiton shumicën për të formuar Qeverinë.

“Sa i përket koalicioneve të ardhshme, mendoj se do t’i determinojnë rezultatet pas 9 shkurtit, ku edhe mund të shfaqet edhe krizë politike dhe institucionale si rezultat i mos bërjes së shumicës nga partitë politike qofte ajo e cila do të dal e para apo edhe partia e dytë”, përfundon Nexhat Haziri.

Pushteti, qëllimi i PDK-së

Kurse, analisti Faton Mehmeti thekson se qëllimi i vetëm i PDK-së është pushteti.

Image
Faton Mehmeti

“S’ka asgjë të re në qëndrimin e PDK-së, ata s’kanë parime. Qëllimi i tyre është pushteti, profesioni i tyre është tregtia, çdo gjë e shohin në kuadër të pazarit. Mendojnë dhe synojnë të vijnë në pushtet me pazare me VV-në, duke e joshur me mundësinë e bashkëpunimit”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, Vetëvendosje duhet ta mbajë sa më larg pushtetit PDK-në, për të cilën thotë se është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës në këto vite.

“Në anën tjetër VV duhet të mbajë sa më larg pushtetit PDK-në, si e keqja më e madhe e kësaj shoqërie për 20 vjet pas lufte. Nuk është më rëndësi qëndrimi i PDK, me rëndësi është a do i thyej parimet e veta VV për mos koalicion me PDK-në, kjo mbetet të shihet”, shprehet Mehmeti.

“Por, nëse Vetëvendosje bën koalicion me PDK do të bëhet si ajo, kështu edhe rënia e saj do të jetë e shpejtë dhe e pashmangshme”, përfundon analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat