Parashikohet ‘fundi politik’ i Haradinajt, pas akuzave se Kurti po punon bashkë me Vuçiqin!

Politika

Parashikohet ‘fundi politik’ i Haradinajt, pas akuzave se Kurti po punon bashkë me Vuçiqin!

Nga: A.M. Më: 6 tetor 2024 Në ora: 16:54
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Së fundi, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka lëshuar sërish disa akuza të rënda, ku tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë agjendë të përbashkët dhe se punojnë bashkë.

“Vuçiqi dhe Kurti janë bashkë, janë me një agjendë, punojnë bashkë. Kur Vuçiqi është ngushtë, e bën naj budallaki Albini dhe e nxjerr prej krizave atë, kur Albini është ngushtë, e bën ai ndonjë krim e sulm terrorist si ai në Banjskë dhe e nxjerr prej problemit Albinin”, ka thënë Haradinaj.

E këto akuza të Haradinajt ndaj Kurtit, i ka kritikuar ashpër analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se opozitarët me akuza të tillë po mundohen t’i mbulojnë “ndyrësitë e veta korruptive”.

Por, sipas tij nuk do arrijnë ta mashtrojnë opinionin publik, pasi qytetarët i njohin mirë njerëzit si Haradinaj.

Image
Gani Qarri.

“Në fakt me gjithë pretendimet se nëse kritikojnë Kurtin, opozitarët e inkriminuar do ta lajnë ndyrësitë e veta korruptive e kriminale në të kaluarën, me demagogjinë se ata qëndrojnë në një linjë me aleatët, aktet e tyre, nuk mund ti lajë drini as deti, edhe pse ata duke ngushëlluar veten me oportunizma të tilla, mendojnë se po mashtrojnë edhe opinionin vendor, i cili për fat, i njeh shumë mirë njerëzit si Haradinaj & Co dhe bëmat e tyre të neveritshme, që nga vjedhja e grumbullimi marramendës i pasurive të kundërligjshme deri te aventurat renegate, kundër shtetit dhe popullit të Kosovës, për ndarjen e vendit dhe shitjen e rreth 11 mijë hektarëve tokë të Kosovës, mbi 2500 hektar FYROM-it dhe mese 8300 hektar tjerë Malit të Zi”.

Kësisoj, Qarri tha se akuzën se Kurti ka agjendë të përbashkët me Vucciqn e bëjnë vetëm njerëzit e dështuar, e në këtë rast parashikoi se Haradinaj me partinë e tij do të bien nën prag zgjedhor.

“Andaj akuza të tilla si kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili insiston deri në primitivizëm të neveritshëm duke lënduar publikisht ndjesitë kombëtare, njerëzore e politike të të gjithë njerëzve normal, se kinse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paskan agjendë të përbashkët dhe gjoja, ata edhe "punuakan" bashkë, pa dhënë shpjegim se për çfarë pune dhe në ç`drejtim e agjendë paskan gjet të bashkëpunojnë viktima me xhelatin, si kryeministri Kurti ish i burgosur politik dhe i zënë rob nga Serbia, si dhe krimineli Vuçiq që edhe në kohën e okupimit ushtarak e policor të Kosovës nga Serbia fashiste ishte ministër i informatave në Qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, këtë mund ta thotë vetëm një i dështuar gjithanshëm, i cili pritet përfundimisht, të bie edhe nën pragun zgjedhor dhe të depozitohet në arkivat e të dështuarve më tragji-komik të historisë më të re të Kosovës”, theksoi ai.

Më tej, analisti politik kritikoi sistemin e drejtësisë për heshtje dhe mos reagim ndaj këtyre shpifjeve dhe akuzave të vazhdueshme që Haradinaj po ia bën Kurtit.

Në këtë rast, ai përmendi edhe takimet e Haradinajt me kryekriminelin Radoicciq.

“Vetëm mungese totale e drejtësisë së njëmendtë dhe prokurorëve të guximshëm në Kosovë, lejon të kalojnë në heshtje shpifje të tilla sharlatane, si  vazhdimësia e akuzave të paturpshme të Haradinajt ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar kaq paturpësisht viktimën e terrorit të Serbisë, për lidhje me Serbinë dhe Vuçiqin, derisa qeverinë e para pak viteve të PAN-it, vet Haradinaj mundi ta kompozonte, vetëm me ndihmën e Vuçiqit dhe miku i tij më i ngushtë, me të cilin përveç ndejave private në shtëpitë e kryekriminelit të veriut, si Milan Radojçiqi. Haradinaj-Radojçiqin e priste me nderime shtetërore edhe në zyrën e kryeministrit, duke turpëruar gjithë shqiptarët dhe bërë qesharake tërë udhëheqjen "shtetërore" të Kosovës, para shqiptarëve dhe gjithë botës”, shpjegoi Qarri.

Në fund, shtoi se këto akuza më shumë e dëmtojnë Haradinajn se sa Kurtin, derisa beson se këto janë akuzat e fundit që bëhen ngaa pozita e një partie parlamentare.

Duke pasur parasysh maksimën popullore, se vetëm i fyeri dhe i shari, të shajnë e akuzojnë pa fakte, akuzat e paturp të Haradinajt, më shumë do ta dëmtojnë vet Haradinajn se sa Kryeministrin e Kosovës, madje besojë shumë se këto do të jenë akuzat e fundit të Haradinajt, nga pozita e një partie "parlamentare", ngase mandatin e ardhshëm, ai mund të "mrizojë" bashkë me Limën, në vende të padukshme për publikun, duke bërë plane ku ti fshehin pasuritë dhe parat e grumbulluara kundërligjshëm, sepse përfundimisht po vije momenti i dhënies llogari, para drejtësisë dhe kthimit të atyre që i kanë përvetësuar nga populli dhe shteti i Kosovës, në mënyrë kundërligjore, ku nuk pritet të kalojnë fort mirë, pikërisht njerëzit si Haradinaj”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat