Zbardhen “prapaskenat” e deklaratës së Lajçak-ut – ky mund të jetë skenari i radhës për dialogun!

Politika

Zbardhen “prapaskenat” e deklaratës së Lajçak-ut – ky mund të jetë skenari i radhës për dialogun!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 tetor 2024 Në ora: 10:00
Miroslav Lajçak

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qe një kohë shumë të gjatë.

Ani pse ka pasur takime, marrëveshje të nënshkruara dhe presion nga ndërkombëtarët për normalizim të raporteve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe duket larg të ndodhë.

Është Serbia ajo e cila në vazhdimësi po krijon tensione në veri të vendit, po parashtron kërkesa dhe nuk është e gatshme për bisedime me Kosovën.

Por së fundmi vëmendjen e mori një deklaratë e emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian po përgatitet për progres të shpejtë në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, të cilat do të mbahen në shkurt të vitit 2025.

Ani se vetë atij mandati i përfundon në janar, Lajçak ka thënë se nuk pritet përparim para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar progres, menjëherë pas zgjedhjeve.

“Dua të jem realist, Kosova po shkon në zgjedhje në shkurt. BE-ja është në një proces tranzicioni. Kështu, mua mu kërkua që ta zgjas mandatin pikërisht që të garantoj vazhdimin gjatë këtij procesi. Procesi po vazhdon, kemi pasur takime në nivel kryenegociatorësh. Por eksperienca jonë politike dhe personale tregon se nuk mund të presësh përparim para zgjedhjeve, por po përgatitemi për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve.” – u shpreh diplomati sllovak gjatë forumit “2BS”.

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sipas emisarit evropian, janë sfida më e madhe strategjike në rajon.

Gjatë kësaj paraqitje, ai ka thënë se 18 muaj pas arritjes së Marrëveshjes në rrugën drejt normalizim, nuk është parë implementim.

Mirëpo të gjendur në këtë situatë a mund të kemi përparim në dialog siç ka paralajmëruar Lajçak?

Ahmeti: Kosova nuk duhet, por as nuk e ka komoditetin të vazhdoj me kompromise të mëtejme

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë se qasja e BE-së ka qenë e njëanshme dhe ka pasur ndikim negativë në procesin dialogues.

Sipas tij, ndryshimi i qasjes së BE duhet të jetë esenciale që të ketë një konsensus final.

Image
Hidajet Ahmeti.

“Nuk mund të ketë rezultate në dialog pa ndryshim në qasje nga BE, pasi kjo e fundit ka qenë e njëanshme në këtë proces. BE duhet të shqyrtoj dhe analizoj në mënyrë retrospektive procesin në dialog, pasi ka shumë marrëveshje të arritura, të cilat nuk po respektohen nga Serbia. Qasja e BE-së duhet të jetë objektive në raport me palët në dialog, pasi me këtë qasje nuk mund, por as nuk duhet të veprohet drejt një konsensusi final”, u shpreh ai.

Analisti më tej, shton që Kosova nuk duhet të vazhdojë me kompromise të mëtejme.

“Kosova nuk duhet, por as nuk e ka komoditetin të vazhdojë me kompromise të mëtejme, të cilat në thelb e dëmtojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Mendoj se finalizimi i bisedimeve nuk do të ndodhë derisa BE-ja ka këtë qasje të njëanshme dhe subjektive në këtë proces”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Burjani: Nëse fiton opozita aktuale pushtetin gjasat rriten për një lloj Asociacioni

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet skeptik për një finalizim të dialogut.

Juristi thekson se Asociacionin që është në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit por që dëmton e njëjta Kosovën nëse zbatohet.

Image
Blerim Burjani

“Për finalizim nuk e besoj, por për vazhdim po. Marrëveshja e Ohrit dhe kushtëzimi i Kosovës për themelimin e Asociacionit që është tema kryesore e kësaj marrëveshjeje nuk jep kurrfarë shprese. Dihet  se Marrëveshja e Ohrit ka favorizuar Serbinë përmes krijimit të një mekanizmi për de-funksional të shtetit të Kosovës, me Kurtin s’ka Asociacion fare”, foli ai.

Në fund, Burjani thotë që një finalizim i bisedimeve do të ishte një fat i madh, derisa nuk përjashton mundësin e Asociacionit nëse opozita e tanishme fiton pushtetin.

“Nëse fiton opozita aktuale pushtetin gjasat rriten për një lloj Asociacioni, do të ishte fat i madh të finalizohet një lloj marrëveshje dhe të hiqen nga agjenda përgjithmonë, kështu si është gjendja s’ka gjë më prej këtij dialogu. Dialog s’ka nuk jam optimist se do të ketë zbatim të Marrëveshjes së Ohrit që insiston BE dhe SHBA”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat