Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit në pikëpyetje – çfarë pritet të ndodhë pas presionit të Gjermanisë?

Politika

Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit në pikëpyetje – çfarë pritet të ndodhë pas presionit të Gjermanisë?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 tetor 2024 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë.

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe diplomatë të tjerë gjermanë gjatë vizitave të shpeshta që patën në javët e fundit në Kosovë, patën përmendur mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit po qe se Qeveria e Kosovës nuk i heq masat ndaj mallrave serbe.

Së fundi, u raportua se Kosova ka marrë vendim për largimin e masës ndaj produkteve serbe, por që ende nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

Ky vendim do t’i hapte rrugë pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit.

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe u vendos më 14 qershor të 2023, në të njëjtën ditë kur forcat serbe i patën rrëmbyer tre zyrtarë policorë të Kosovës përgjatë patrullimit të brezit kufitar me Serbinë.

Nga dhjetori i vitit 2021, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të OKB-së, (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.

Koci: Kosova duhet të bëjë krejt ç'është e mundur që të marrë pjesë në takimin e Berlinit

Kurse, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci u shpreh se kërkesa e shtetit gjerman ndaj Kosovës për heqjen e pengesave të importeve serbe, tregon se ndaj vendit tonë po mbahet një qëndrim asimetrik.

Megjithatë, Koci tha se Kosova duhet të bëjë krejt ç' është e mundur që të marrë pjesë në takimin e Berlinit.

Image
Melazim Koci

“Kërkesa e Gjermanisë drejtuar Kosovës që të heqë pengesat për importet serbe, si parakusht për pjesëmarrje në takimin e Procesit të Berlinit sërish dëshmon se ndaj Kosovës ka një qëndrim asimetrik.  Pra, rregullisht Kosovës i kërkohet diçka që nuk u kërkohet tjerëve. Bosnja gjithashtu ka barriera në raport me Kosovën, por asaj nuk i kërkohet heqja e tyre. Pavarësisht kësaj, Kosova duhet të bëjë krejt ç' është e mundur që të marrë pjesë në takimin e Berlinit. Kemi të bëjmë me Procesin e Berlinit të cilin Kosova (bashkë me Bosnjën dhe Malin e Zi) e ka kërkuar me këmbëngulje. Kosova kontribuoi shumë në zhbërjen e Ballkanit të Hapur (si projekt ekskluzivisht i Serbisë) dhe do të ishte goditje e rëndë që tani të mungoj në Procesin e Berlinit”.

Krahas kësaj, Koci përmendi edhe kërkesën e Kosovës, për sigurimin e skanerëve për kontroll të mallrave serbe, ku tha se kjo është një kërkesë e duhur, që ndërkombëtarët duhet ta pranonin.

“Zyrtarët në Prishtinë kanë pohuar se çështja mund të zgjidhet nëse Gjermania (ose ndonjë vend tjetër) i siguron Kosovës skanerët për kontrollimin e mallrave serbe. Kjo është një kërkesë krejtësisht teknike dhe lehtë e realizueshme. Nëse këta skanerë nuk arrijnë brenda pak ditësh dhe Kosova refuzon ndonjë kompromis tjetër (që mbase nuk është bërë publik) dhe rezulton me suspendim të Kosovës nga Procesi i Berlinit, ky do te ishte thellim i izolimit. Kjo është pak e mundur, sepse kemi të bëjmë me një kërkesë teknike (skanerët) që nuk do duhej të paraqiste problem”.

Në fund, ai shtoi se pavarësisht të gjithave, po dëshmohet një qëndrim jo i duhur ndaj Kosovës, nga ana e Gjermanisë.

Marrë në tërësi ky rast sërish dëshmon për qëndrimin jo të drejtë (kësaj radhe të Gjermanisë) ndaj Kosovës.

Shpresoj që kjo çështje do të tejkalohet dhe se Kosova do të zë vendin e vet në takimin e Procesit të Berlinit”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.

Shabani: Kosova është afër lejimit të produkteve nga Serbia në tregun e saj pas presionit nga Gjermania

E në lidhje me këtë temë, foli edhe njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.

Image
Amir Shabani

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Kosova do i lejoj produktet serbe në treg pas presionit të Gjermanisë, derisa theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit.

“Kosova është afër lejimit të produkteve nga Serbia në tregun e saj pas presionit nga Gjermania.

Gjermania paralajmëroi Kosovën se mosrespektimi i CEFTA-s duke mos lejuar produktet serbe në tregun e saj mund të rezultojë në përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit.

Nisma e Procesit të Berlinit synon të nxisë rritjen ekonomike në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe të avancojë integrimin e tyre në BE”, nënvizoi ai.

Më tej, Shabani tha se përjashtimi nga Procesi i Berlinit do të ishte lajm i keq për Kosovën.

“Sa i përket një gjendjeje të tillë, që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, kjo padyshim se është një lajm i keq dhe degradim i rrugës euroatlantike të Kosovës. Mirëpo, nga ana tjetër, disa marrëveshje janë të tilla që duhet pranuar diçka për të fituar diçka.

Pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një domosdoshmëri gjeopolitike. Shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor janë të zhgënjyer sepse vendet nuk janë bërë anëtare të BE-së pavarësisht se kanë marrë premtimin më shumë se 20 vjet më parë”.

Ndër të tjera, ai kërkoi që përveç presionit ndaj Kosovës për pranimin e mallrave serbe, duhet shtypur edhe Serbinë për çdo destabilizim dhe konflikt të krijuar në rajon

“Kosova deri më tani ka refuzuar ofertën e Gjermanisë për të hequr ndalimin e mallrave serbe në këmbim të statusit të plotë në CEFTA. Nga ana e BE-së kërkohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, gjë që nuk duket se shkon lehtë. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor i vetmi vend që ka aleancë me Rusinë është Serbia, andaj përveç shtypjes së Kosovës për pranimin e mallrave serbe, duhet shtypur edhe Serbinë për çdo destabilizim dhe konflikt të krijuar në rajon”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat