Kosovës po i hiqen sanksionet ndërkombëtare? Mirëpritet lajmi i madh i ministrit Maqedonci

Politika

Kosovës po i hiqen sanksionet ndërkombëtare? Mirëpritet lajmi i madh i ministrit Maqedonci

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 tetor 2024 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ditë më parë ka njoftuar se FSK-ja do të jetë pjesë e stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2025”, duke shtuar se për stërvitjet “Defender Europe 2023” ka pasur stërvitje me vendet aleate.

Ai ka thënë se gjatë kësaj qeverisjeje së kabinetit Kurti, është rritur blerja e pajisjeve ushtarake, por me çmime më të ulëta se viteve të kaluara.

“6.000 për qind e rritjeve të investimeve në armatim. Është e pakonceptueshme që në periudhën 20218-2020 janë më pak se katër milionë euro blerje të armatimit, e nga 2021-a deri në 2023 janë 238 milionë euro blerje për armatim…Përmes këtyre blerjeve i kemi kursyer miliona euro nga buxheti i Kosovës. Sisteme Bayraktar, sisteme strategjike Javelin, që jemi në proces të ekzekutimit të pagesave për t’i pasur si pjesë e inventarit. Ka edhe shumë sisteme të tjera që po prokurohen dhe janë sisteme të rëndësishme për fuqizim të kapaciteteve luftarake. Mund të themi që jo vetëm që s’ka qenë më e fuqishme, por ushtria jona është e krahasueshme me vendet e Ballkanit dhe i tejkalon shumë prej tyre”, ka thënë Maqedonci.

Më herët, Kosova ishte një nga vendet nikoqire të stërvitjes “Defender Europe”, por ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj të vitit të kaluar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.

Ky do të ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Mirëpo, lajmi që dha ministri Maqedonci për pjesëmarrje në ushtarake “Defender Europe 2025” po konsiderohet si një ogur i mire se Kosovës dalëngadalë po i hiqen sanksionet ndërkomëbtare.

Tahiraj: Në këto stërvitje marrin pjesë ushtri të fuqishme me shumë përvojë, FSK-ja do përfitoj shumë nga këto përvoja

Image
Saim Tahiraj

Lidhur me këtë ҫështje për ‘Bota sot’ ka folur veprimtari dhe ushtaraku, Saim Tahiraj. Ai thotë se, nëse ky lajm është i vërtet dhe nuk përdoret vetëm si propagandë elektorale, duhet t’i gëzohemi.

“Pjesëmarrja e FSK-së në stërvitjet ushtarake Defender Evrope 2025 e ka rëndësin e veqantë sepse FSK-ja është një ushtri e re, në ndërtim e sipër. Kur dihet fakti se në këto stërvitje marrin pjesë ushtri të fuqishme me shumë përvojë, FSK-ja do përfitoj shumë nga këto përvoja”, vlerëson Tahiraj.

Ai thekson se cilado qeveri që do të jetë në pushtet edhe në vitin e ardhshëm, duhet treguar maturi në veprimet e saj, duke u koordinuar me aleatët dhe me SHBA-në, në veҫanti.

“Kjo Qeveri dhe cilado vjen pas zgjedhjeve në fillim të vitit 2015, duhet të mendohen mirë për veprime të pamatura dhe të pakoordinuara me aleatet, e në veçanti me SHBA. Nëse ky lajm del i vërtet, jo domosdoshmërish do të thotë fillimi i shfuqizimit të sanksioneve, sepse kjo varet se si do të sillet qeveria në bisedime me ndërmjetësuesit Evropian dhe veçanërisht me SHBA-në. Duhet maturi, koordinim dhe vetëm koordinim me SHBA-të, çdo rrugëtim tjetër dërgon në vetizolim”, thotë Tahiraj.

Elezi: Forca e Sigurisë së Kosovës është mirë e strukturuar dhe ka sigurisht shumë nevojë që të marrë pjesë në trajnimet e tilla

Po ashtu, lidhur me këtë ҫështje, ka folur edhe njohësi i sigurisë, Bedri Elezi. Ai thotë se, deklarata e ministrit të Forcës së Sigurisë, Ejup Maqedonci, se Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në stërvitjet Europë Defender 2025, është një lajm shumë i mire.

Image
Bedri Elezi

“Dha një tregues se sa i përket sanksioneve ka lëvizje konkrete drejt desanksionimit të Republikës së Kosovës. Por, siç duket, ky lloj distancimi po ndodh në mënyrë graduale, duke u siguruar se Kosova zbaton të gjitha zotimet e saj, sa i përket çështjeve për të cilat është sanksionuar”, thekson Elezi për ‘Bota sot’.

Ai shton se, Forca e Sigurisë së Kosovës është mirë e strukturuar dhe ka sigurisht shumë nevojë që të marrë pjesë në trajnimet e tilla sepse siç e dimë rruga e saj është e qartë dhe se në të ardhmen e shkurt, se sigurisht Kosovës i duhet të jetë në kuadër të familjes më të madhe, dhe sigurisht të aleancave të atij, NATO.

“Në fakt, përjashtimi i Kosovës në këto trajnime ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në performancën dhe përgatitjen profesionale të Forcës Civile të Kosovës, por që në fakt ne presim se këto zhvillime, të cilat do të ndodhin dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të marrë pjesë në organizimet që kanë të bëjnë me stërvitjet ushtarake të cilat organizohen nga NATO, atëherë mund të themi se edhe për proceset apo procedurat drejt anëtarësimit në këtë familje, janë më të përshpejtuar”.

“Ju e dini që Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktin e saj Bashkimi Evropian dhe vendet të cilat kanë mbështetur Kosovën dhe të drejtën, janë munduar që maksimalisht të japin sinjalet e Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat dhe kështu Kosova dhe Forcat e Sigurisë së saj mos të pezullohet nga programi i saj për autopërfshirje. Dhe mund të themi se sa më shpejt duhet të vullojnë trajnimet e tjera, të cilat nuk janë pjesë e ushtrisë, ushtarakët Defenderë 2025, por që janë trajnime profesionale dhe se janë tjetër anë profesionalizmi tek Forca e Sigurisë të Kosovës”, vlerëson eksperti Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat