“Kosova nuk e ka luksin të...” - Zhbllokimi i mallrave serbe: Pjekuri politike apo taktikë? Flet publicisti nga Gjermania

Politika

“Kosova nuk e ka luksin të...” - Zhbllokimi i mallrave serbe: Pjekuri politike apo taktikë? Flet publicisti nga Gjermania

Nga: M.Lakna Më: 8 tetor 2024 Në ora: 16:01
Foto ilustrim: Kryeministri Albin Kurti në Portin e Hamburgut duke parë Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X

Qeveria e Republikës së Kosovës, njoftoi dje (e hënë) se ka vendosur të heqë kufizimin ndaj importit të mallrave nga Serbia në pikën kufitare në Merdare, ndërsa të martën ky pikëkalim u hap për mallrat serbe.

Burime diplomatike në BE thanë për REL se Gjermania ka punuar për ta zgjidhur çështjen e kësaj bllokade, ndërsa të hënën, Gjermania i ka njoftuar edhe vendet e tjera për ecurinë e bisedimeve me Kosovën dhe me Serbinë.

Vendimi i Qeverisë erdhi mes “kërcënimeve” se Kosova mund të përjashtohej marrëveshja e CEFTA-s dhe rrjedhimisht edhe nga Procesi i Berlinit.

Publicisti që jeton dhe vepron në Gjermani, Zejnullah Jakupi e konsideron si të drejt vendimin e Qeverisë për heqjen e masës së sigurisë për mallrat nga Serbia.

Jakupi tha për gazetën “Bota sot” se ky vendim tregoi pjekuri të kryeministrit Kurti, ndërsa ka theksuar se vendimi paraprak ishte si masë preventive për sigurinë.

“Vendimi ka qenë shumë i drejtë dhe me kohë ashtu si është kërkuar. E kam theksuar edhe ditë më parë se kërkesa e Gjermanisë ka qenë e drejtë, sepse nuk mund të ketë pengim të lëvizjes së lirë të mallrave, ideve dhe njerëzve, sepse kjo është normë dhe vlerë e Evropës Perëndimore është njëherit edhe bazamenti i Tregut të Lirë. Prandaj me këtë vendim Albin Kurti tregoi pjekuri politike dhe fluiditet në vendime duke kuptuar dhe duke njohur realitetin gjeopolitik në terren. Kjo është në të vërtetë realpolitika konform me Marrëveshjen e CEFTA-s. Ky vendim njashtu tregon se kjo ka qenë masë taktike, pra, bllokimi ka qenë i drejtë, ka qenë bllokadë për t’i treguar SHBA-ve dhe BE-së se qeveria e Kosovës e kishte seriozisht, prandaj duhet të thuhet se bllokimi e kishte bërë qeveria vetëm për të penguar hyrjen e armatimit nga Serbia, ishte masë preventive për sigurinë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.

E sipas publicistit Jakupi kjo kërkesë e kryeministrit është legjitime dhe tregon se Qeveria dëshiron bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

“Kjo kërkesë është legjitime dhe tregon se Albin Kurti dhe qeveria dëshiron bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për ta siguruar paçen në Kosovë dhe më gjerë, masë që i përgjigjet edhe interesit strategjik të ruajtjes së stabilitetit për të cilin KFOR është në Kosovë. Për të qenë transparent dhe koordinues Albin Kurti duhet ta befasojë Bashkësinë Ndërkombëtare në takimin e Berlinit më 14 tetor duke u dakorduar me BE-në dhe SHBA-në se do t’i respektojë zotimet dhe natyrisht të pres nga BE për tu pajisur me skaner dhe deri sa t’i pranojë ose të pajiset me to të bëhet kontrolli analog. Vendimet e tilla janë të mira dhe të duhura, sepse kjo e forcon pozitën e Kosovës karshi Serbisë dhe tregon gatishmëri për dialogun tutje mes dyja shteteve i cili duhet të përfundojë me arritjen e marrëveshjen e paçes, njohjen reciproke dhe regjistrimin e marrëveshjes në OKB. Ky vendim e ndryshon edhe masën e BE-së ndaj Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Zejnullah Jakupi

Jakupi është shprehur se kjo ka qenë masa për të penguar infiltrime të armatimit nga Serbia nga grupe kriminale.

“Bllokimi i masave ndaj Serbisë pati efektin sepse kështu u sensibilizua Bashkësia Ndërkombëtare për problemin në fjalë, pa këtë bllokadë vështirë se do kuptohej qëllimi i qeverisë dhe natyrisht me këtë tani Albin Kurti kërkon edhe garanci ndërkombëtare. Gjithsesi Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se çështjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës nuk mund ta ruajë pa bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe kjo nganjëherë sikur nuk kuptohet ose po lihet të kuptohet se qeveria mund ta sigurojë sovranitetin territorial pa koordinim, në fakt sovraniteti i Kosovës garantohet nga KFOR-i, vendimet e SHBA-ve dhe BE-së kur janë unike dhe na kërkohen me ngulmë duhet respektuar, në fakt sovraniteti është në duar të KFOR-it. Pra as themelimin e Gjandarmërisë si iniciativë për të ofruar më shumë siguri në veri dhe në gjithë territorin e Republikë së Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të bëhet pa koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare. Se kjo nuk shkon pa koordinim e vërtetoi shembulli aktual i Hungarisë kur presidentit Urban u kritikua dhe mori notë proteste nga BE që të mos nxjerr ligje për të mbrojtur "sovranitetin" e shtetit nëse ky ligj do të binte ndesh me rregullat e BE-së”, ka potencuar ai.

Po ashtu, Jakupi ka thënë se presioni që bëri Gjermania ishte me vend dhe nuk duhet të keqkuptohet, por të mendohet mirë për vendimet tjera që mund të merren në të ardhmen.

“Në çështjen e dialogut me Serbinë duhet tutje të potencohet roli stabilizues i dyja shteteve, sidomos ai i Serbisë duhet të jetë gjithashtu bashkëpunues, të mos bëjë loja provokuese ndaj Kosovës për konsum të brendshëm si i ka bërë në të kaluarën. Kosova nuk e ka luksin të lëshohet në aventura të tilla. Duhet ta respektojë marrëveshjen e CEFTA-së, dhe nuk ka nevojë t’i frikësohet se kjo do të ndikojë në zgjedhje të 9 shkurt-it 2025. Kur janë në pyetje interesat vitale të Kosovës, të shtetit, nuk duhet të humbur kohë dhe përmes kësaj ta rrezikojmë integrimin në BE dhe të marrim tutje kritika dhe masa sanksionuese”, ka përfunduar Jakupi.

Ndryshe, kryeministri Kurti ka paralajmëruar se mallrat do të zhbllokohen edhe në pikat tjera kufitare me Serbinë, kur të sigurohen skanerët nga aleatët ndërkombëtarë.

Shefi i Qeverisë tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian e më së shumti Gjermania, që t’i sigurojnë Kosovës këto pajisje, pasi “vetë kanë thënë se do të përpiqen t’ua sigurojnë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat