Lejimi i importit nga Serbia, Bytyçi tregon suksesin e madh që e arriti Kurti

Politika

Lejimi i importit nga Serbia, Bytyçi tregon suksesin e madh që e arriti Kurti

Nga: P.R. Më: 9 tetor 2024 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Në pikën e kalimit kufitar në Merdare, dje filloi zbatimi i vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës për lejimin e importit të të gjitha mallrave me origjinë nga Serbia, 16 muaj pasi ishin ndaluar me një vendim të qeverisë Kurti.

Vendimi për moslejimin e qarkullimit të mallrave serbe në Kosovë ishte marrë kur xhandarmëria serbe mori peng para më shumë se një viti tre policë të Kosovës. Përmes një plani të sajuar mirë, por edhe të frymëzuar politikisht, strukturat serbe të sigurisë asokohe hynë në territorin e Kosovës dhe në befasi kapën tre policë shqiptarë që patrullonin në kufi me Serbinë.

E krejt kjo, sipas profesor Enver Bytyçit, ishte një ngjarje shokuese, e cila kishte për qëllim poshtërimin e forcave të sigurisë dhe policisë të Kosovës, por më vonë ngjarjet e Banjskës bënë që të poshtërohej Serbia në raport me këto forca.

Image
Enver Bytyçi

Bota është e rrumbullakët dhe karma kthehet. Serbia pësoi më 24 shtator 2023 jo vetëm humbjen e rëndë, por edhe një lloj poshtërimi, sepse në pak kohë iu asgjësuan ose neutralizuan së paku 100 forca terroriste komando me armatim modern të kohëve të fundit. Nga kush? Nga ata policët që u morën peng disa muaj më parë. E vërteta është se ndalimi i mallrave serbe që të hyjnë në Kosovë u bë edhe për shkak të kontrabandës. Banjska dhe armatimi i gjetur në kishën e saj dëshmuan se në Kosovë hynin armë dhe municion pa limit nën maskën e qarkullimit të mallrave. Ndaj dhe qeveria e Kosovës e ndaloi këtë. Bashkësia ndërkombëtare në Perëndim nuk qe e kënaqur me këtë vendim. Pati kritika prej tyre. Ndërsa muajt e javët e fundit zëri më kritik ishte ai i Gjermanisë. Disa e lidhin këtë qëndrim kritik të Berlinit me marrëveshjen e Scholz dhe Vuçiq për lituimin. Disa të tjerë me situatën gjeopolitike, sidomos në Ukrainë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Siç thotë ai, Gjermania ishte dhe është e shqetësuar për suksesin e Procesit të Berlinit, ndaj kishte një presion të madh ndaj Kosovës.

“Kosova ishte kocka e pathyeshme për të kundërshtuar Minishengenin ose atë që u quajt Open Balkan. Mirëpo ndalimi i qarkullimit të mallrave me Serbinë nuk vinte vetëm në kundërshtim me Open Balkan. Vinte edhe në kundërshtim me Procesin e Berlinit. Ne e dimë se Open Balkan ishte mbivendosje e qëllimshme e Procesit të Berlinit, sepse liderët autokratë të Serbisë dhe Shqipërisë nuk duronin kontrollin gjerman dhe evropian të zbatimit të principeve me të cilat u krijua CEFTA dhe vetë iniciativa e këtij procesi. Ne i patëm dëgjuar këta liderë kur thonin “Nuk na duhen financimet evropiane në kuadër të Procesit të Berlini, ne e financojmë vetë Open Balkan”!”, shton Bytyçi, sipas të cilit, gjithçka ishte ndërtuar me skemën e izolimit të Kosovës.

“Dhe pikërisht në momentin kur Open Balkan po shuhej, qeverisë së Kosovës iu desh të vendoste moslejimin e mallrave serbe në këtë vend. Arsyetimi ishte solid, i pakundërshtueshëm. Pra duhej ndaluar kontrabanda, sidomos e armëve, dhe duhej ndërprerë përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Por kjo ishte edhe shuplakë për Procesin e Berlinit, i cili u krijua pikërisht për lëvizjen e lirë të mallrave midis të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuptim autoritetet e Berlinit kishin të drejtë në kritikat dhe kërkesat e tyre. Megjithatë autoritetet e qeverisë së Kosovës rezistuan. Jam i bindur se ata donin të nxirrnin përfitime për Kosovën. Dhe mendoj se ia arritën këtij qëllimi”.

“Bisedimet midis palëve, sidomos midis zotit Bislimi dhe ndërmjetësit gjerman të dialogut, Sarazin, zgjatën disi shumë, megjithatë përfunduan me sukses. U ra dakord që mallrat serbe të hyjnë në Kosovë vetëm përmes pikës kufitare të Merdares. Nuk do të qarkullojnë përmes pikave kufitare në veri të vendit e madje as në verilindje nga pjesa e Anamoravës. Kjo sepse pika kufitare e Merdares është më e përdorur, më atraktive, më e modernizuar. Por edhe se në një pikë kufitare ka mundësi që të kryhet modernizimi i shpejtë i saj, duke vënë aty skanera dhe mjete kontrolli, me të cilat bëhet i mundur parandalimi i plotë i kontrabandës, përfshirë dhe armët”, shpjegon profesor Bytyçi.

Ai thotë se vendimi që qeveria e Kosovës mori, i hap rrugë vazhdimit të pjesëmarrjes aktive të Kosovës në Procesin e Berlinit.

Më 14 tetor kryeministri Kurti do të jetë aktiv në takimin e radhës të këtij procesi që zhvillohet në Berlin. Pra, nuk diskutohet më rreziku i pezullimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit. Realisht nëse kalkulojmë pezullimin me hapjen e pikës kufitare të Merdares për mallrat e Serbisë, atëherë lehtësisht mund të dallojmë se interesi i Kosovës është hapja e asaj pike. Ndërsa kufizimi i këtyre mallrave të Serbisë vetëm në Merdare është sukses i madh i bisedimeve midis palës së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë. Kjo duhet kuptuar mirë”, shprehet Bytyçi.

Ndaj dhe nuk besoj se zënë vend kritikat e opozitës e përpjekja e saj për t’u tallur se “Kurti u tërhoq”! Nëse nuk tërhiqej e do të pezullohej Kosova nga Procesi i Berlinit, atëherë kritikat ndaj Kurtit do të ishin shumë më të rrepta. Por mbi të gjitha ishte interesi i Kosovës të arrihej kjo marrëveshje. Përshëndetja që ambasadori gjerman në Prishtinë i bëri dakordimit dhe vendimit të qeverisë, afirmoi dakordësinë e Berlinit me këtë vendim”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat