Për 8 muaj 119 ushtarë braktisën FSK-në, eksperti i sigurisë “zbulon” arsyet: Duhet veprime urgjente për të…

Politika

Për 8 muaj 119 ushtarë braktisën FSK-në, eksperti i sigurisë “zbulon” arsyet: Duhet veprime urgjente për të…

Nga: Naile Ejupi Më: 9 tetor 2024 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka raportuar të martën në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje me që rast ka thënë se aktualisht kanë vështirësi të shërbimit me ushqim për ushtarët e FSK-së, mirëpo theksoi se po punojnë të krijojnë vetëqëndrueshmëri për sigurimin e ushqimit.

Ai u shpreh se pas skandimit të kontratës të operatorit për furnizim me ushqim janë në një fazë tranzitore, ku po furnizohen përmes kontratave që janë të lidhura nga Autoritetin Qendror të Prokurimit, derisa tha po ndihmohen vetëm me personel nga Mensa e studentëve dhe Shërbimi Korrektues.

Ai gjithashtu ka folur edhe për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, ku tha se deri tani gjatë vitit 2024 janë larguar 119 ushtarë vullnetarisht, mirëpo shtoi se për 300 pozita të reja të rekrutimit kanë aplikuar 1555 persona.

Ministri Maqedonci ka shtuar se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të klasifikuar me asnjë operatorë për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së, por pranoi se një kontratë e njëjtë fillimisht është klasifikuar dhe më pas deklasifikuar, por që nuk dha detaje të tjera pasi tha diskutimi në komision duhet të bëhet me dyer të mbyllura.

“Aktualisht jemi në koordinim dhe në punë e sipër për të zgjidhur çështjen e shërbimit të ushqimit. Kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe porsa të përfundojë ne do të japim informacion shtesë. Fokusi ynë është që të ndërtojmë një koncept të ri që do të garanton vetëqëndrueshmëri në ushqim për FSK-në. Koncept i cili do të praktikohet në vazhdimësi. Normalisht ne jemi në një situatë pak më të vështirë këtë periudhë për shkak të stagnimit të kësaj çështje të kontratës dhe tranzicionit të shërbimit të ushqimit me kapacitete vetanake, duke shfrytëzuar furnizimin me autoritetin qendror të prokurimit. Arsyet që kanë ardhur deri këtu janë kryesisht për shkak të tej zgjatjes në aspektin e viteve të problemit të furnizimit të qëndrueshëm të FSK-së. Prej vitit 2015 deri në vitin 2024 për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata ekstrem emergjente për çështjen e ushqimit. Kjo ka bërë që ne të vlerësojmë që ne duhet të shikojmë dhe analizojmë këtë aspekt dhe kemi ardhur në përfundim se ne duhet të bëjmë një zgjidhje afatgjate për çështjen e ushqimit”, u shpreh ai.

Numri i braktisjes së FSK-së nga ana e ushtarëve është kritikuar në media, ndërsa lidhur me këtë çështje në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Sipas tij, një statistikë e tillë tregon që brenda pjesës së uniformuar ka rritje të pakënaqësisë për procese.

“Një statistikë e tillë e largimit nga rreshti ushtarak është tregues që brenda pjesës së uniformuar kemi rritje të pakënaqësisë për proceset qofshin ato meritokracisë qofshin ekonomike/sociale që kanë rënduar pozitën e personelit ushtarak”, ka thënë Shala.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, duhet menduar për veprimet që të parandalohet ky trend.

“Niveli politik do të duhej të mendojë një mori veprimesh emergjente, por edhe atyre strategjike për të parandaluar që ky trend të jetë me përmasa më të larta në vitet vijuese”, ka shtuar eksperti.

Ai ka shtuar se ka keq menaxhim në nivel politik për buxhet për ushtar.

“Mos harrojmë që për të bërë një ushtar buxhetit të Kosovës i kalon shifrën prej 10.000 euro dhe një nënoficer, specialist dhe oficer kalojnë shifrat mbi 100.000 euro. Pra, përpos dëmtimit të buxhetit të vendit po kemi edhe një keq menaxhim nga niveli politik për të bërë një zgjedhje optimale të qëndrueshme për personelin dhe duhet të kemi përgjithësi”, ka përfunduar Shala.

Theksojmë se detaje më të mëdha arsyet e largimit dhe pozitat e tyre i dha ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në FSK, kolonelë, Arife Halili.

Ajo tha se përveç largimit të 119 pjesëtarëve të FSK-së deri tani ka pasur edhe 77 pensionime.

“Në bazë të deklarimeve të vetë pjesëtarëve që kanë bërë për ndërprerje të shërbimit, mbi 80 për qind janë migrim jashtë vendit dhe bashkim familjarë. Ka një numër prej tyre që nuk duan të tregojnë dhe thonë vetëm për shkaqe personale. Ka edhe shkaqe të tjera që është një përqindje shumë e vogël që janë specifikuar në kërkesat e tyre. Në këtë numër 119 janë edhe ata që kanë bërë kërkesa dhe ndërprenë shërbimin në fund të tetorit apo fillim të nëntorit. Në gradën ushtarë kemi 71 pjesëtarë që kanë ndërprerë shërbimin për këtë vit. 22 janë në gradën e parë të nënoficerit, 17 janë me gradën e dytë të nënoficerit, kurse grada euro 7, euro 8 dhe euro 9 që janë nënoficer nuk kemi ndërprerje të shërbimit…Është grada rreshter dhe rreshter shtabor, ndërkaq në gradën e togerit dhe majorit e kemi një ndërprerje të shërbimit vullnetar”,  ka shtuar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat