“Islami politik” prapa “Listës për familjen” të AKR-së dhe PD-së? - Zbërthehen dyshimet

Politika

“Islami politik” prapa “Listës për familjen” të AKR-së dhe PD-së? - Zbërthehen dyshimet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 tetor 2024 Në ora: 10:04
Lista për familjen

Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Partia e Drejtësisë (PD), janë regjistruar si koalicion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në gusht të këtij viti dhe do të garojnë së bashku në zgjedhjet e 9 shkurtit.

 “Lista për familjen”, është emri i tyre, ndërsa pritjet për zgjedhje janë të larta.

Zëdhënësi i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se ata nga zgjedhjet presin t’i fitojnë 10 deputetë dhe të jenë faktor me rëndësi gjatë krijimit të qeverisë së re.

Image
Vesel Makolli

Familja në qendër

Sipas tij, target kryesor i tyre është zhvillimi ekonomik vjetor dyshifror.

“Nga "Lista për Familjen", presim shumë. Presim qe t'i kemi rreth 10 deputet dhe të jemi faktor me rëndësi gjatë krijimit të qeverisë së re. Koncepti ynë është prosperiteti i vendit në çdo aspekt, duke filluar nga familja, zhvillimi ekonomik, shëndetësor, arsimor, infrastrukturor dhe ngritja e nivelit të përgjithshëm kulturor. Familja është gjithçka në këtë jetë, është qeliza themelore e kombit dhe shtetit, andaj sa më e shëndosh dhe e iluminume që të jetë familja, aq më i zhvilluar dhe më i kulturuar do të jetë kombi - shteti. Në këtë kontekst jemi të bashkuar në koalicionin "Lista për Familje", ne AKR-ja dhe PD-ja. AKR-ja dhe presidenti jonë z. Behgjet Pacolli, kemi qëndrime dhe bindje demokratike - liberale dhe në programin tonë, target kryesor është zhvillimi ekonomik vjetor dyshifror, i cili do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, me çka do t'i stoponim emigrimet e mëdha të rinisë sonë”, deklaron Makolli.

Aleanca Kosova e Re, sipas statutit të saj, ka orientim liberal demokratik të qendrës, ndërsa Partia e Drejtësisë është konservatore, ndërsa sipas Makollit ata duhet ta harmonziojnë programin e tyre zgjedhor dhe qëndrimet e tyre.

“Në koalicionin tonë kemi edhe pjesën të themi konzervative, andaj është e kuptueshme që duhet ta harmonizojmë programin tonë zgjedhor dhe qëndrimet tona, në interes të zhvillimit demokratik dhe social të shoqërisë sonë dhe në interes të Republikës sonë në rrafshin ndërkombëtar. Kur themi në rrafshin ndërkombëtar, mendojmë në ngritjen e rejtingut të vendit tonë, përmirësimi i marrëdhënieve me miqtë tanë ndërkombëtar dhe koordinim i veprimeve tona me ta në të ardhmen, në veçanti me nunin e pavarësisë sonë SHBA-t. Kombi jonë i praktikon të tri besimet monoteiste, por gjithmonë kemi qenë në të njëjtat gjatësi valore, kur kemi pasur të bëjmë me interesat e kombit dhe shtetit”, pohon sekretari.

Sipas tij, koalicioni i tyre nuk do të jetë i ndikuar nga feja islame dhe rregullat e saja.

 “Njëjtë është vepruar kur është shpallur shteti shqiptar në vitin 1912 dhe gjatë luftës dhe krijimit të shtetit të Kosovës, kur kombi dhe shteti kanë qenë mbi të gjitha. Njëjtë duhet të jetë edhe sot, dhe në të ardhmen duhet të punohet dhe të veprohet për një familje të shëndosh dhe të kulturuar, pa ndarë kulturën e djepit të civilizimit botëror Evropës.  Dihet që shumica e kosovarëve (atyre që janë besimtar) i përkasin fesë islame, por kjo nuk do të thotë që koalicioni do të jetë i ndikuar nga feja islame dhe rregullat e saja, përkundrazi do të kemi program në suaza demokratike- liberale dhe në kontekst të synimeve tona për t’u bërë anëtarë i BE-së. NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara”, shton sekretari.

Edhe kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka thënë se pavarësisht se në përbërjen e “Listës për familjen” ka drejtues dhe anëtarë që e praktikojnë fenë islame, ky koalicion, me të cilin do të garojnë disa subjekte politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, nuk do të ketë sfond fetar në të bërit politikë.

Sipas tij “mbrojtja e vlerave tradicionale familjare” është kauza që i ka bërë bashkë ata.

 “Nuk do ta dëgjoni asnjërin prej protagonistëve të koalicionit tonë që do të hyjë në debate me tema fetare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë.

Sesa mund t’i besohet kësaj deklarate dhe nëse është vetëm kamuflim duke ditur historikun dhe veprimtarinë e PD-së ndër vite, ka folur analisti Ali Hertica.

Politika dhe feja

Image
Ali Hertica

Sipas tij, brenda këtij lloji kishte pak idealizëm e shumë pragmatizëm dhe interesa të mirëfillta pushteti dhe karriere.

“Formim i  Listës për familjen  po konsideroj si fenomen traumik  tek një pjesë e konsiderueshme e grupimit të deputetëve të pa kënaqur, ku sigurisht brenda këtij grupimi si në çdo grupim politik ku shpesh interesat ndërthuren me nevojat, llogaritë personale e me ideale apo qëndrime, ka pasur edhe persona që qëndruan me idenë se do të ishin zyrtarisht përfaqësues politik të saj e për pasojë do të kishin karrierën e garantuar dhe privilegje të garantuara. Familja shqiptare, si shtylla kryesore e ekzistencës së kombit tonë, ka qenë dhe duhet të mbetet në harmoni të plotë me zakonet fetare, qofshin ato islame, katolike apo të religjioneve të tjera. Krijimi i subjektit të ri është çështje urgjente politike dhe morale, Për të ketë kuptuar se kush ishin këta mjafton të kuptojnë faktin se ishin sulur për të marrë poste edhe nga dy herë”.

“Ndonjëherë këtë e kishin bërë duke pasur mandatin e deputetit dhe për shkak të nevojës që kishin deputetet e pa kënaqur nga VV për grupin parlamentar, ata e kushtëzimin këtë të fundit duke marrë çfarë të donin e duke u sjellë si të donin. Në fakt, brenda këtij lloj kishte pak idealizëm e shumë pragmatizëm dhe interesa të mirëfillta pushteti dhe karriere. Këta kishin pak lidhje me kauzat e vërteta të Aganit dhe parti si  PD  apo edhe të tjerëve me të cilët rezistonin apo qëndronin siç është AKR e Pacollit. AKR, një parti e dëshmuar për frymën liberale, e pastër si loti, ka vendosur që në këto zgjedhje të hyjë në koalicion me Partinë e Drejtësisë dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët që nga fillimi janë përballur dhe kanë ngritur zërin për mbrojtjen e vlerave të shenjta të familjes shqiptare. Jemi dëshmitarë se në këtë periudhë, familja është duke u përballur me sfida të pazakonta, që kanë për qëllim tjetërsimin e kulturës dhe zakoneve tona tradicionale dhe patriotike.. “, shprehet Hertica.

Sipas tij, asnjë subjekt politik nuk duhet të jetë i mbështjellë nga feja dhe kësisoj feja dhe politika duhet të jenë sa më larg njëra tjetrës.

Çdo parti politike ka kamuflimin e saj  që ta mbështjell veten deri sa ta merr pushtetin, thotë Hertica, gjersa shton se ky kamuflim humb besimin e qytetarëve.

 “As një subjekt politik nuk duhet të jetë e mbështjellë me petkun e fesë dhe nuk duhet që feja dhe politika të jenë sa ma larg njëra- tjetrës sepse atëherë do ishte shtet islamik apo katolik.  Raporti ndërmjet fesë dhe politikës, impakti i ndërsjellët, mundësia e ndërhyrjes në punët e njëra-tjetrës të institucioneve fetare dhe atyre shtetërore me karakter laik, janë çështje që prej kohësh po vazhdojnë ta mbulojnë hapësirën dërmuese të debatit publik në shoqërinë tonë. Këto, aq sa janë të nevojshme dhe të rëndësishme për t’u trajtuar kolektivisht, po aq edhe mund të nxisin emocione dhe mosmarrëveshje në mes të palëve që debatojnë, Feja dhe politika janë dy forma të rëndësishme të veprimtarisë shoqërore, ndër më të vjetrat. Nga një pikëvështrim sociologjik, edhe feja konsiderohet si një produkt dhe formë e caktuar e vetëdijes shoqërore. Njeriu pra është kafshë politike dhe metafizike e religjioz. Çdo parti politike ka kamuflimin e saj  që ta mbështjell veten deri sa ta merr pushtetin  ku partitë politike, vlerësohen se po e humbin në vazhdimësi besimin e qytetarëve të Kosovës, mirëpo  çdoherë duhet nisur nga historiku dhe platforma politike e subjektit politik që buron nga brendësia dhe ideologjia e saj në veprim”, përfundon Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat