Bojkoti ndaj kryeministrit serb, komentohet veprimi i ministrave shqiptarë në Maqedoninë Veriore

Politika

Bojkoti ndaj kryeministrit serb, komentohet veprimi i ministrave shqiptarë në Maqedoninë Veriore

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 tetor 2024 Në ora: 14:23
Pamje nga pritja e kryeministrit të Serbisë Millosh Vujçeviq

Të hënë që kaloi, kryeministri i Serbisë Millosh Vujçeviq, ka realizuar vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ai atje është pritur nga kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

Por, ajo që ishte mbase jo e befasishme, ishte bojkoti i këtij takimi nga ministrat shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri maqedonas homologun e tij serb e ka pritur vetëm me ministrat maqedonas në kabinetin e tij.

Deri në këtë moment nuk ka qëndrim zyrtar nga Koalicioni VLEN, nëse të njëjtët kanë vendosur ta bojkotojnë kryeministrin serb.

Ndryshe, Koalicioni shqiptar VLEN në Qeverinë e RMV-së përfaqësohet me gjashtë ministra, derisa Izet Mexhiti mban edhe pozitën e zv. kryeministrit të parë.

Shabani: Mendoj se është veprim i duhur

Politologu Amir Shabani, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se mos pritja e Vuçeviqit nga ministrat shqiptarë ishte vendim i duhur, për vet faktin se Serbia është aleate e ngushtë e Rusisë.

Image
Amir Shabani

Sipas tij, partia në pushtet po bën disa politika të dyshimta tani për tani, ndërsa koalicioni shqiptar në qeveri VLEN ka vepruar saktë në këtë rast.

“Po, më datë 7 tetor 2024 kryeministri serb Millosh Vuçeviq ishte për vizitë zyrtare në Shkup dhe i njëjti nuk u prit në ceremoninë e pritjes nga ministrat shqiptarë në qeveri.

Mendoj se është veprim i duhur, për faktin se Serbia siç dihet tani më është aleate e ngushtë e Rusisë, vendit ku gjithë bota perëndimore i ka vënë sanksione, ndërsa Serbia akoma jo. Serbia promovoi së pari edhe Open Balkan, duke nënvlerësuar Procesin e Berlinit, duke dekoruar ambasadorin rus në OKB për mosvotim ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe kështu me radhë.

Kështu që partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE po bën disa politika të dyshimta tani për tani, gjë që e rrezikon edhe kursin euro-atlantik të vendit, ndërsa koalicioni shqiptar në qeveri VLEN ka vepruar saktë në këtë rast”.

Mehazi: Takimet diplomatike shtetërore gjatë vizitave e takimeve duhet të jenë xhentëlmene dhe para armiqëve

I kundërt në opinion me Shabanin është profesori Sulejman Mehazi.

Mehazi thotë se, takimet diplomatike shtetërore gjatë vizitave e takimeve duhet të jenë xhentëlmenë dhe para armiqve, duke shtuar se partia në pushtet duhet të ketë sjellje e veprime shtetërore e kurrsesi veprime ideologjike partiake.

“Edhe pse elita politike serbe shpreh urrejtje të madhe ndaj shqiptarëve e veçanërisht ndaj Kosovës, megjithatë takimet diplomatike shtetërore gjatë vizitave e takimeve duhet të jenë xhentëlmenë dhe para armiqve, në këtë rast koalicioni shqiptar në pushtet VLEN-i është dashur të sillet si nikoqire e mirë ndaj vizitës së Kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviqit, i cili në mënyrë protokollare e zyrtare vizitoi Shkupin duke u takuar me homologun e tij të RMV-së, Hristian Mickoskin. Të VLEN-it duhet ta dinë që janë në pushtet se diplomacia shtetërore dallon rrënjësisht nga ideologjitë politike partiake, se partia në pushtet duhet të ketë sjellje e veprime shtetërore e kurrsesi veprime ideologjike partiake. Të Vlenit duhet të jenë të vlefshëm, të sjellshëm dhe të ndërgjegjshëm njëjtë si para diplomatëve evropianë, po ashtu dhe para elitës politike serbe që vizitojnë RMV-në e VLEN-it”, thekson ai.

Image
Sulejman Mehazi

Ai e quan të papranueshme mos takimin e krye kuvendarit Afrim Gashi me kryeministrin serb.

Profesori hedh dyshime, se mos ndoshta “VLENI është dirigjuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që asnjëri prej ministrave të VLEN-it të mos takohen me Kryeministrit serb, Vuçeviqin?”.

“Është e papranueshme që autoriteti i dytë në RMV-së, Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, të mos takohej me Kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviqin, nëse jo për diç tjetër, po vetëm për t'ia shprehur pakënaqësinë e koalicionit Vlen ndaj politikës nacionaliste serbe ndaj Kosovës. Bile do ishte mirë që krye parlamentari, Afrim Gashi, të dilte tog me kryeministrin e Serbisë, Vuçeviqin, para gazetarëve e mediave për të shprehur qëndrimet e tij dhe të RMV-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Mos ndoshta VLENI është dirigjuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që asnjëri prej ministrave të VLEN-it të mos takohen me Kryeministrit serb, Vuçeviqin?”, deklaron ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat