Kritikoi Qeverinë për heqjen masës së sigurisë ndaj Serbisë – analistët kanë këtë paralajmërim për opozitën!

Politika

Kritikoi Qeverinë për heqjen masës së sigurisë ndaj Serbisë – analistët kanë këtë paralajmërim për opozitën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 tetor 2024 Në ora: 15:45
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Të hënën që po e lëmë pas kryeministri Kurti ka konfirmuar se në pikën kufitare me Serbinë, Merdare, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.

Ai ka thënë se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar.

“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”, është shprehur Kurti.

E këtë vendim të Kurtit e kanë mirëpritur edhe ndërkombëtarët.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier u shpreh i kënaqur me vendimin për heqjen e ndalimit për mallrat serbe.

“Jam i kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën, në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne i vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA.

Gjermania, që insistoi në heqjen e kësaj mase madje kërcënoi Kosovën me përjashtim nga Procesi i Berlinit, gjithashtu mirëpriti vendimin.

“Tregtia e lirë jo vetëm që nxit ekonomitë lokale e rajonale, por gjithashtu hap dyert për pjesëmarrje në iniciativat rajonale dhe evropiane”, tha Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë.

Por, tani që Qeveria gjeti përkrahje nga ndërkombëtarët, gjë që është kërkuar në vazhdimësi nga të gjithë e posaçërisht opozita, e njëjta po e sheh këtë lëvizje para zgjedhjeve.

Ndër ta është kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, thotë se shefi i qeverisë aktuale Albin Kurti, punon për interes të Serbisë.

“Ashtu siç kam thënë ky nuk punon për Kosovën, pra ky punon për Serbinë. Serbia e fiton të drejtën për t’i shitur mallrat e veta në Kosovë, pa asnjë fitore për Kosovën”, u shpreh kreu i AAK-së.

E si mund të vlerësohet një reagim i tillë nga opozita kur veprimet e Qeverisë janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve?

Elezaj: Kurti i është bërë e qartë në takimet e tij në Poloni, ditë më parë, se nëse nuk i largon këto masa ai po i rrezikon interesat e Kosovës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai thotë heqja e kufizimeve për hyrjen e mallrave serbe në Kosovë ka ardhur si rezultat i presionit të madh gjerman, nëse dëshiron Kosova të jetë në procesin e Berlinit.

Image
Rexhep Elezaj

Ndër tjera analisti përmend edhe pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e sotme në CEFT-as.

“Njoftimi i kryeministrit Kurti të hënën se qeveria e Kosovës i ka hequr kufizimet për hyrjen e mallrave serbe në Kosovë në pikën kufitare në Mërdare, ka ardhur si rezultat i presionit të madh gjerman, përmes të dërguarit të tij për Ballkanin perëndimorë, z. Manuel Sarrazin, që Kosova t’ia heq masat e sigurisë për qarkullim të lirë të mallrave serbe në Kosovë, po qese dëshiron të jetë e kyçur në procesin e Berlinit, konform kushteve dhe rregullave të parapara me Marrëveshjen e CEFT-së, të cilën Kosova ende nuk e ka nënshkruar, më mirë me thënë, nga e cila është larguar në vitin 2021.

Siç dihet, qeveria e Kosovës e ka refuzuar kushtin e saj që në atë organizatë Kosovën ta përfaqësojë UNMIK-u, ndërsa në takimin e sotme të CEFT-as Kosova do të përfaqësohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe ç ‘është më e keqja me fusnotë, gjë të cilën qeveria Kurti nuk ka mundur ta heq, pranë premtimit nga zyrtarë të saj, se statusi i Kosovës pas pak kohësh do jetë i barabartë me anëtarët tjerë dhe pa fusnotë”, u shpreh ai.

Ndër tjera analisti thekson që ky veprim i Qeverisë është i duhuri përndryshe Kosova do të rrezikohej të përjashtohet nga procesi i Berlinit.

Gjithashtu ai e sheh negative edhe mos anëtarësimin e Kosovës në organizatat kyçe ndërkombëtare.

“Natyrisht, se vendimin e qeverisë Kurti për heqjen e kësaj mase të sigurisë për mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë, janë mirëpritur nga faktorët ndërkombëtarë, sepse janë këto rregulla dhe kushte me të cilat Kosova është pajtuar në parim, ngase qarkullimi i mallrave dhe tregu i lirë mes vendeve të Ballkanit perëndimorë, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, është kusht për t’iu afruar anëtarësimit në BE. Prandaj qeveria e Kosovës është dashur ta heq këtë barrierë, përndryshe rrezikonte që të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, dhe ky gabim nuk guxonte kurrsesi t’i ndodhë shtetit të Kosovës, kur dihet se edhe ashtu vendi ynë qe 16 vite nuk është anëtarësuar në organizatat kyçe ndërkombëtare, dhe kjo është një ngecje e madhe në shtet-ndërtimin e Kosovës, si dhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe OKB”, shpjegon Elezaj.

Në biseda e sipër, analisti thotë që sa i përket kritikave të opozitës ndaj kryeministrit Kurti për heqjen e kësaj mase për mallrat serbe, unë i shikoj vetëm në prizmin e fushatës zgjedhore, sepse nuk besoj se ata janë aq të marrë sa me qenë kundër pjesëmarrjes së Kosovë si shtet në takimet e CEFT-as.

“Pra, kryeministrit Kurti i është bërë e qartë në takimet e tij në Poloni, ditë më parë, se nëse nuk i largon këto masa ai po i rrezikon interesat e Kosovës si dhe ndihmat ekonomike dhe financiare brenda paketës financiare që i është ndarë 6 vendeve të Ballkanit perëndimorë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe masave të BE-së për zhvillimin e këtyre vendeve, nga i cili Kosova do përfiton shuma të mëdha të ndihmave financiare. 

Sa i përket kritikave të opozitës ndaj kryeministrit Kurti për heqjen e kësaj mase për mallrat serbe, unë i shikoj vetëm në prizmin e fushatës zgjedhore, sepse nuk besoj se ata janë aq të marrë sa me qenë kundër pjesëmarrjes së Kosovë si shtet në takimet e CEFT-as, sidomos në Procesin e Berlinit, nga i cili Kosova ka pasur vetëm përfitime të mëdha ekonomike dhe financiare, por edhe politike”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk është e habitshme se opozita kritikon

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, opozita nuk është e drejtë në kritika, pasi e njëjta del në kundërshtim me vetën çdoherë.

“Nuk është e habitshme se opozita kritikon, kur vendosi ndalesë e njëjta opozitë kritikonte se po largohemi me ndërkombëtarët, tani pse e hoqi. Janë dyfytyrëshe, nuk befasohet nga ata që për 20 vjet e kanë vjedh këtë vend, janë po të njëjtit hipokritë”, potencoi ai.

Në fund, analisti thekson që qeveria pas këtij veprimi do të jetë e ftuar në Berlin dhe se Serbia do të humbëse në këtë mes.

“Pas këtij veprime pritët që të largohen sanksionet ndaj Kosovës dhe të jetë e ftuar në Berlin, derisa me këtë hap qeveria ka përfituar. Në anën tjetër, sado që lejohen mallrat serbe tregu është zëvendësuar me produkte tjera, andaj ato vetëm formalisht do të jenë prezentë se nuk konsumohen me nga qytetarët. Nga gjithë kjo situatë humbëse është Serbia dhe propaganda e opozitës”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat