Zeqiraj i reagon ashpër Visar Ymerit: Komandantët rrast të inkriminuar nuk mund ta mundin fenomenin Kurti

Politika

Zeqiraj i reagon ashpër Visar Ymerit: Komandantët rrast të inkriminuar nuk mund ta mundin fenomenin Kurti

Nga: H.O. Më: 10 tetor 2024 Në ora: 22:02
Visar Ymeri

Veprimtari dhe publicisti, Idriz Zeqiraj në një prononcim për ‘Bota sot’, duke folur për këtë kohë afër zgjedhjeve, ka kritikuar analistët politikë, duke thënë se kanë humbur sensin e masës. Ai në këtë rast ka cituar analistin politik, që dikur ishte edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerin.

“Gërdia për shumësinë e "analistëve", ka kulmuar në opinion, në atë përmasë, sa i fusin të gjithë në emërtesën pezhorative -banalistë-. Ata duke qenë në shërbim të padronëve të tyre, respektivisht të PAN-it, kanë humbur sensin e masës, duke glacuar marrëzishëm, madje pa u skuqur fare. Lukunia e "analistëve" kolektiv dhe unik, në shërbim të PAN-it, në raste të pakta, njëri nga paneli shprehë opinion të kundërt, sa për ta "nxehur" debatin! Citojmë vetëm njërin syrësh, Visar Ymerin, i cili, në njërin nga debatët e fundit, tha: "Kështu duhet të jetë përbërja e qeverisë së ardhshme", duke përcaktuar se "e duhur për Kosovën do të ishte formimi i një qeverie prej partive opozitare!" Me arsyetimin se, gjoja, "Kosovës i duhet stabilitet, bashkëpunim e zhvillim!", thekson ai.

Ai thotë se Ymeri po lobon për PAN-in, ndonëse është i bindur se ‘komandantët’ e inkriminuar nuk mund ta mundin.

Image
Idriz Zeqiraj

“Thënë troç, Visari lobon për PAN-in, i donë "komandantët", sërishmi", në pushtet, madje, hiç më pak se "dy mandate!" Analisti elitë i përnatshëm, Visar Ymeri, amniston, madje në grup, PAN-in, i cili për dy dekada qeverisjeje kriminale, të shoqëruar me krime vrastare politike; hajni zyrtare industriale; shkatërrim të institucioneve, deri në rrezikim të zhbërjes të shtetit. Ai është i vetëdijshëm se ish-bashkëpartiakun e tij, Albin Kurtin, tashmë, "fenomeni Kurti", "komandantët" rrast të inkriminuar nuk mund ta mundin. Andaj, bashkimi i opozitës, përfshi edhe LDK-në, "e ka shansin e artë", siç shprehet ai, për ta hequr qafe Kurtin me Vetëvendosjen e tij”, thotë Zeqiraj.

Ai thotë ndër të tjera se, dihet botërisht, LDK-ja nuk ka pasur as struktura të krimit vrastar dhe as hajnor të organizuar, siç e ka, realisht, PAN-i.

“Por, bartë fajësinë e mbajtjes në pushtet të partive-banda, të koalicionuara në PAN. Edhe pse këtë e bëri një klan, rreth vicioz, brenda LDK-së, i katapultuar me shantazh e terror, në kupolën partiake, megjithatë heshtja nuk justifikohet”, thotë ai.

Zeqiraj thotë poashtu se akuza e opozitës se "Kurti mashtroi shqiptarët e Kosovës, me slloganin e Bashkimit Kombëtar", është lajthitje e qëllimshme e saj, për të mos e përmendur premtimin e madh dhe të shumëpritur nga shqiptarët e përbotshëm: "Kriminelët dhe hajnat në burg".

“Parulla e "bashkimit kombëtar", në atë kohë të pakohë, ishte fajësi e Kurtit me shokë. Sepse ishte dhe është sikur t`i thuash Serbisë dhe ndërkombëtarëve: "Ejani ta ndajmë Kosovën", siç loboi Hashimi me PAN-in e tij, dje dhe sot, duke paguar edhe agjenësi lobuese, që nga Neë York-u e deri në Paris, tashmë, të konfirmuara dhe me dokumente pagese, fakte që bartin elementin e krimit, deri në tradhti kombëtare”, vlerëson Zeqiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat