“Ulërimat e Rusisë, Serbisë dhe opozitës”/ Geci: Le të hapet ura e Ibrit e të bëhet deti kos!

Politika

“Ulërimat e Rusisë, Serbisë dhe opozitës”/ Geci: Le të hapet ura e Ibrit e të bëhet deti kos!

Nga: N. Sh. Më: 10 tetor 2024 Në ora: 23:04
Ura e Ibrit

Veprimtari i LDK-së, Halil Geci thotë se, njohja e Kosovës ka ndodhur me këta kufij ku sot edhe po mbrohet Kushtetuta e ndërtuar nga vetë amerikanët dhe evropianët, pa “Zajednicë”, pa ekstra territore për manastire, me kufi në Qakorr dhe Zhleb.

Sipas tij, më lehtë ishte të shembet muri e Berlinit, sesa të hapet Ura e Ibrit, ndaj mbase edhe kjo do të ndodhë.

“Britmat e opozitës, britmat e Serbisë, ulërimat e Rusisë, çjerrjet e Grenellit rreth targave, gjë që targat të cilat po qarkullojnë për mrekulli andej dhe këndej kufirit, morën fund, më në fund. Opozita pastaj filloi të kukas u kuku, aman mos na e heqni dinarin! Serbia: Mos e largo dinarin! Rusia: Mos e largo dinarin... Evropa poashtu kuku qysh po e largon valutën tonë, dinari po qarkullon për mrekulli në Serbi”, shprehet Geci teksa kritikon opozitën për deklaratat e tyre karshi qeverisë së Kosovës, për vendimet që po i mërr në veri.

“Bandat e veriut që më miratimin e tradhtarëve opozitarë e kishin vënë flamurin e Serbisë si shenjë kufiri tek Ura e Ibrit, për ta kaluar urën dhe për ta ndërruar një kabllo rryme që serbët nuk e kanë paguar kurrë tash e 25 vjet, duhej bërë kërkesë Radoiçqit për të lejuar që ta ndërrojnë kabllon. Sot bandat e veriut po funksionojnë për mrekulli në Beograd. Po ashtu edhe barrikadat, opozita duke thënë kuku mos i prek se po thotë Europa: “Mbajeni se veriun ua kanë falë me letra Hashimi dhe PDK-ja, dhe Isa, dhe LDK-ja Serbisë, për t’ia jetësuar amanetin Rankoviçit. S’ka më barrikada! Ato tashmë ngordhën, i gllabëroi koha dhe shkuan në pakthim për të mos u kthyer kurrë më”, potencon tutje ai.

Geci shton se, tash simbolet e Republikës në komuna veriore po valojnë për mrekulli!

“Post Telekomi i Serbisë që operonte në veri, sot po operon për mrekulli në Serbi. Po ashtu në Ujman fryhej Polari duke lundruar me barkën e Radoiçiqit, kinse ‘unë shëtis lirshëm’, ndërsa sot të gjithë qytetarët e Kosovës lahen dhe freskohen në të, njëjtë sikur në oborret e tyre. Pra, nëse edhe Ura e Ibrit hapet, le të shtohen sanksionet, ishalla toka na lëshon e deti kos u bëftë! Së paku nuk duhet të nënshkruhet tradhtia në tavolinë siç kanë bërë dy partitë, PDK, LDK dhe liderët e shitur të tyre”, thekson Geci.

Ai shton se, sa për me dhunë, le t’ia mësyejnë, po patëm mundësi, do të mbrohemi, nëse jo, le ta marrin me dhunë, por sipas tij, jo edhe aq lehtë.

“Jo kurrë për pa u mbushur Ibri me gjak! Me gjak e me flijime e fituam një lloj lirie, por edhe me gjak sërish mund ta mbrojmë atë që na takon neve”, përfundon Halil Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat