“Ishte miqësore”, sinjal pozitiv vizita e zyrtarit amerikan në Kosovë – ja çfarë pritet nga zëvendësuesi i Escobar-it

Politika

“Ishte miqësore”, sinjal pozitiv vizita e zyrtarit amerikan në Kosovë – ja çfarë pritet nga zëvendësuesi i Escobar-it

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 12 tetor 2024 Në ora: 12:00
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof.

Gjatë kësaj javë, në një vizitë dyditëshe në Kosovë qëndroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof.

Ai gjatë kësaj vizite zhvilloi disa takime, përfshirë ato me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, si dhe me udhëheqësit e tjerë të institucioneve dhe partive politike në vend.

Në një komunikatë të presidences së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.

Në komunikatë citohet presidentja Vjosa Osmani të ketë “shtruar nevojën e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara” si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, “që forcon sigurinë e vendit por edhe në stabilitetin e rajonit”.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof shkroi në rrjetet sociale se kanë trajtuar disa tema që lidhen “në fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit të dyanshëm dhe sinergjinë në fusha me interes të përbashkët”.

Kasanof vizitoi Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin.

Kasanof erdhi në Prishtinë pas një vizite në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë gjatë kësaj jave.

Në Serbi, ai u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi edhe për Kosovën, sipas liderit serb.

Mirëpo, se çfarë pritet nga Kasanof, a do arrijë ai të japë më shumë se Escobar dhe si do ndikojë emërimi i tij për Kosovën, folën njohësit e çështjeve politike.

Bilalli: Shpresojmë që në raport me Serbinë do jetë mė i drejtëpërdrejt me qëllim të stopimit të politikave destruktive të qeveris serb

Si fillim, njohësi i çështjeve politike, Lutfi Bilalli në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se kjo vizitë e Kasanof tregon interesin dhe rëndësinë e madhe që SHBA i kushton stabilitetit të rajonit të Ballkanit.

Image
Lutfi Bilalli

Ai potencoi se çdo emisar amerikan përfaqëson dhe përcjell qëndrimin e politikës amerikane si faktor kyç, megjithatë shpreson që Kasanof t’i bëj presion Serbisë për t’u larguar nga Rusia.

“Sipas mendimit tim, turni i emisarit amerikan Alexander Kasanof për Ballkanin, i cili ka vizituar Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën, tregon rëndësinë dhe interesin e SHBA-së që ka për stabilitetin e rajonit. Çdo emisar amerikan përfaqëson dhe përcjell qëndrimin e politikës amerikane si faktor kyç dhe më i rëndësishmi në gjeopolitikën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që Kasanof si njohës i mirë i rrethanave politike, diplomatike dhe të sigurisė në Evropën Lindore e nė veçanti njohës i mirė i politikës ruse, ai do di t’iu bëjë të qartë lidershipit serb që të heqin dorë ndaj planeve destabilizuese ruse në Ballkan”.

Krahas kësaj, Bilalli shpreson që Kasanof të tregohet më i drejtëpërdrejt me Serbinë, për dallim nga emisarët e kaluar.

Megjithatë, në këtë pikë deklaroi se nuk mund të pritet ndonjë hap i rëndësishëm në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Shpresojmë që në raport me Serbinë do jetë mė i drejtëpërdrejt me qëllim të stopimit të politikave destruktive të qeveris serbe dhe influencës ruse në shtetin serb. Edhe pse nuk pritet ndonjė hap i rëndësishëm në bisedimet e Brukselit, mbase zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë do stopojnë rrjedhjen e këtij procesi. Pas formimit tė qeverisë së re në Kosovë, dinamika dhe zbatimi i marrëveshjeve në raportet Kosovë-Serbi do marrë epilog më të “shpejtë”. Në këtë drejtim roli i emisarit amerikan, Kasanof do jetë më së vendimtar”, shpejgoi ai.

Ndër të tjera, tregoi se a është pozitive për Kosovën, caktimi i Kasanofit si emisar amerikan për Ballkanin.

“Për Kosovën është pozitive që Kasanof njeh mirë politikën dhe strategjinë ruse në drejtim të Ballkanit dhe inspirimin pro-rus të Serbisë dhe serbëve. A do arrijmë që ta shfrytëzojmë këtë avantazh për perfundim të favorshëm të tërë kësaj maratone të bisedimeve me Serbinë mbetet të shihet në një të ardhme jo të largët”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

Mehazi: Kemi shpresa se Kosova para të dërguarit të ri të SHBA-së, Kasanof, do jetë më proamerikane sesa ish i dërguari, Gabriel Escobar

Edhe profesori Sulejman Mehazi u tregua optimist për Kasanof, ku shpresoi që do jetë më i arsyeshëm se Escobari.

Ai për “Bota sot” shpreson se emisari i rij do t’i jap një frymë më pozitive dialogut Kosovë-Serbi.

Image
Sulejman Mehazi

“Vizita e të dërguarit të ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof në Kosovë dhe takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe kryeministrin, Albin Kurtin, është i mirë se ardhur duke besuar se do jetë më i arsyeshëm e më i drejtë ndaj Kosovës përballë Serbisë sesa i dërguari paraprak amerikan Gabriel Escobari, se do i jep një frymë më pozitive Kosovës gjatë dialogut me Serbinë, se nuk do jetë aq anues sikurse ish i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, i cili hapur ishte në anën e Serbisë”, nënvizoi profesori.

Krahas kësaj, Meazi citoi disa deklarata shpresëdhënëse të Kasanof.

“Deklaratat e të dërguarit amerikan, Alexander Kasanof, para gazetarëve japin shpresa se do jetë më vepruese ndaj dialogut, Kosovë- Serbi, duke "ritheksuar dëshirën për një partneritet më efektiv", dhe, se SHBA-të presin "që Serbia dhe Kosova të përbushin të gjitha detyrimet e tyre të marra sipas marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit"”.

Në fund, profesori tha se takimet e zyrtarit amerikan me Kurtin e Osmanin kanë qenë shumë këshilluese, miqësore sesa qortuese.

“Prononcimet i tij para mediave kanë kuptime shpresëdhënëse efikasiteti se dialogu duhet sa më shpejt të marrë fund me paqe, se takimi i funksionarit amerikan, Alexander Kasanof, me presidenten, Vjosa Osmanin, dhe kryeministrin, Albin Kurtin, ka qenë më shumë këshilluese, miqësore sesa qortuese e kushtëzuese për Kosovën, e cila me Escobarin Kosova nuk ka qenë bashkërenditëse e mirë me SHBA-të.

Kemi shpresa se Kosova para të dërguarit të ri të SHBA-së, Kasanof, do jetë më proamerikane sesa ish i dërguari, Gabriel Escobar, i cili gjatë dialogut ishte më proserb sesa vetë presidenti i Serbisë, Vuçiqi”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat