Komentohet deklarata e Kasanof për Asociacionin – vjen paralajmërimi i fuqishëm!

Politika

Komentohet deklarata e Kasanof për Asociacionin – vjen paralajmërimi i fuqishëm!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 tetor 2024 Në ora: 10:23
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, pritet në një takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtin, 10 tetor.

 

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, ka vizituar Kosovën javën që po lëmë pas.

Kasanof zhvilloi takime me liderët e vendit, opozitën dhe shoqërinë civile

Natyrisht që Kasanof preki shumë tema të rëndësishme për Kosovën, ndër to edhe dialogu.

Kasanof në një bashkëbisedim me gazetarë në Prishtinë, ka thënë se SHBA e përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe pret që Kosova dhe Serbia që të përmbushin të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja Bruksel-Ohër.

Gjithashtu, ai tha se kjo përfshinë për Kosovën edhe dërgimin e Draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

Emisari amerikan ka deklaruar se SHBA koordinohet ngusht me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak.

“SHBA mbetet një përkrahëse e fuqishme e dialogut të BE-së. SHBA pret që Kosova dhe Serbia do të përmbushin të gjitha zotimet e bëra në dialog dhe nën Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit dhe kjo përfshinë për Kosovën dërgimin e Draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Kasanof.

Duke u bazuar në këtë deklaratë të emisarti amerikan, a po rikthehet presioni për Asociacion?

Shabani: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit nuk duhet shikuar se a po zbatohet vetëm nga ana e Kosovës

Image
Amir Shabani

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Amir Shabani.

Ai e sheh të padrejtë presionin për Asociacion pasi që me menaxhimin e atyre komunave nga ana e serbëve do formohet një Republika Sërpska e dytë nga ajo e Bosnjës.

“Insistimi i faktorit ndërkombëtar për materializimin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duket i padrejtë, si shumë insistime tjera që i bëhen, pasi që me menaxhimin e atyre komunave nga ana e serbëve do formohet një Republika Sërpska e dytë nga ajo e Bosnjës”, u shpreh ai.

Më tej, njohësi shtoi që Marrëveshja e Brukselit po zbatohet vetëm nga Kosova dhe BE nuk ka bërë nxitje të mjaftueshme ndaj Serbisë për zbatim.

Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit nuk duhet shikuar se a po zbatohet vetëm nga ana e Kosovës, por monitorimi duhet qenë paralelisht për dyja palët. Serbia ka ushtruar dhunë dhe ka nxitur destabilizim në rajon, andaj rrjedhimisht edhe duhet ndjerë fajtore dhe të zbatojë kërkesat e Kosovës me garancën e BE-së.

Mendoj se derisa BE-ja nuk bën nxitje drejt kësaj qasje, gjasat për konflikt në Ballkanin Perëndimor mund të rriten”, foli Shabani për “Bota sot”.

Qarri: Asociacioni është kërkesë e rrezikshme për Kosovën

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti politikë Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka treguar një kronologji të situatës duke filluar nga Marrëveshje e 27 shkurtit e vitit 2023 e deri tek tërheqja e letrës së Bërnabiq.

Ai tutje përmendi edhe Serwerin duke shtuar që i njëjti ka theksuar që Asociacioni do të bëhet në fazën e fundit të bisedimeve, kur edhe Serbia ta njohë Kosovën.

“Marrëveshja e 27 shkurtit të vitit 2023, e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, si dhe dakordimi i aneksit me 11 pika të Marrëveshjes më 18 mars 2023, në Ohër, ndërmjet të dy vendeve, pas dërgimit të letrës së ish kryeministres serbe Ana Bërnabiq në dhjetor të vitit 2023, BE-së në Bruksel, se Serbia edhe zyrtarisht është tërhequr nga Marrëveshje, që parashihte respektimin e integritetit territorial të Kosovës, dhe obligonte Serbinë të mos e kundërshtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kjo ka bërë që nga atëherë të bllokohet dialogu dhe ndërmarrja e hapave të nevojshëm për zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes, jo me fajin e Kosovës, por me fajet e hegjemonisë serbomëdha të Aleksandër Vuçiqit, i cili akoma shpreh publikisht, pretendimet e hapura territoriale, ndaj vendit tonë.

Ndaj megjithëse në vizitën e emisarit amerikan, Aleksander Kasanof, që këto ditë zhvilloi në Serbi dhe Kosovë, ai kërkoi që Marrëveshja Bruksel-Ohër të zbatohet, dhe para se Serbia ta tërheq letrën e dërguar dhjetorin e kaluar BE-së, për mos pranimin e marrëveshjes, Kosova ta çojë Draftin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, përveç hezitimit të udhëheqjes kosovare, edhe analisti e profesori i mirënjohur dhe njohësi i spikatur amerikan i çështjeve të Ballkanit nga Universiteti John Hopkins, Daniel Serwer, shprehet se Kosova, asociacionin mund ta formonte, vetëm në fazën e fundit të bisedimeve, kur edhe Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës”, shpjegoi analisti.

Qarri në bisedë e sipër thotë që ndërkombëtarët duhet të marrin masa për njohje të Kosovës nga Serbia dhe se pa ato Kosova nuk rrezikon shtetësinë dhe integritetin e vet territorial.

“Derisa as vet faktori ndërkombëtar, ende nuk e miraton procesin e aktivizimit të njohjeve të shtetit të Kosovës, zbatimi i marrëveshjes pa njohje nga Serbia, pa anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me theks të veçantë, pa anëtarësimin e Kosovës në NATO, siç shprehet edhe vet presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani, Kosova rrezikon shtetësinë dhe integritetin e vet territorial, barrë të cilën, duke njohur orekset e sëmura të Serbisë, për gllabërimin e territoreve më jetike të vendit tonë, Kosova pa garanci ndërkombëtare të sigurisë me shkrim, nuk guxon ta marr këtë barrë të rrezikshme, mbi vete, duke e ditur qartë, se nuk ka kapacitete të nevojshme të armatimit bashkëkohor dhe potencial të mjaftueshëm ushtarak, për ta mbrojtur territorin e vet me forcë, në rast të agresionit nga Serbia, siç po vepron aktualisht Rusia në Ukrainë.

Shto kësaj faktin tjetër të frikshëm, se derisa Kosova ka kohë që kërkon anëtarësimin e saj në NATO dhe aktivizimin e njohjeve ndërkombëtare nga miqtë e saj, në këmbim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, faktori ndërkombëtar, mbanë qëndrim aq të pabalancuar e jo proporcional ndaj Kosovës, sa që përveç mos pranimit të vendit tonë as në Këshillin e Evropës, edhe pa ekzistimin e asociacionit një etnik serb, Kosova në territorin e vet kushtetues, pengohet ta hapë për qarkullim të automjeteve edhe urën mbi lumin Ibër, e cila lidh qytetin e Mitrovicës, që vërtetë është absurd i paprecedent”, thotë ai.

Në fund analisti nënvizoi që kërksa për Asociacion nuk është realiste momentalisht dhe e rrezikshme për Kosovën pasi po bëhet para zgjedhjeve të SHBA dhe Kosovës.

“Argumente të cilat bëjnë që Kosova e krijuar nga vet SHBA dhe BE, si shtet multi-etnik, të mos ketë besim, të lëshohet në aventura si asociacionet një etnike serbe, pa njohjen paraprake nga Serbia, anëtarësimin e Kosovës në OKB, garancinë me dokument të shkruar të sigurisë nga miqtë amerikan e evropian dhe pranimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike të NATO-së, si ombrellë e garantimit të paprekshmërisë së territorit të Kosovës, nga Serbia hegjemoniste.

Të gjitha këto flasin edhe njëherë më tepër-publikisht, si për z. Kasanof ashtu edhe për miqtë e Kosovës, se Kosova e vogël e cila edhe për vete, ende nuk e ka rrumbullakuar plotësisht shtetësinë dhe gjendet në shtet-ndërtim, nuk mund ti hyjë një valle me rrezikshmëri kaq të madhe. Kërkesa për asociacionin serb, momentalisht nuk është realiste, e për rrjedhojë as e zbatueshme në terren, veçanërisht tani, kur gjendemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve të reja në Kosovë dhe mu në prag të votimeve presidenciale që më 5 nëntor do të zhvillohen në SHBA, pas të cilave nuk dihet saktësisht se kush do të jetë president i ri i SHBA-ve dhe cili nga diplomatët do të caktohet si i dërguar special i SHBA-ve për bisedimet Kosovë-Serbi, ndryshime që pas ardhjes së zonjës Kaja Kallas, si kryediplomate e BE-së, mund ta ndryshojnë tërësisht edhe formatin dhe platformën e bisedimeve të ardhme, ndërmjet të dy vendeve dialoguese”, përfundoi analisti Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat