Paralajmërohen “befasi” në zgjedhje: Vetëvendosje të ndërtojë raporte të mira, ja me kë mund ta formojë qeverinë

Politika

Paralajmërohen “befasi” në zgjedhje: Vetëvendosje të ndërtojë raporte të mira, ja me kë mund ta formojë qeverinë

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 14 tetor 2024 Në ora: 18:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Se a do të ketë garë të fortë ndërmjet partive politike në zgjedhjet e reja që priten të mbahen brenda pak muajsh, këtë ҫështje a ka ‘qartësuar’ deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu.

Ai ka thënë në një intervistë për ‘Bota sot’ se, gara do të jetë për vendin e dytë, sepse, sipas tij, fituesi s’ka alternativë.

Ai shprehu bindjen se nuk do të ketë nevojë për një koalicion, sepse përmes votës masive popullore do të prodhohet një qeveri që nuk mund të kushtëzohet.

“Mendoj se gara do të zhvillohet për vendin e dytë, sepse fituesi mendoj se nuk ka alternativë as në këto zgjedhje. Qytetarët gjatë gjithë mandatit i kanë dhënë mbështetje të madhe Kryeministrit dhe Qeverisë dhe mendoj se kjo do të reflektohet edhe në rezultatin e zgjedhjeve që po vijnë. Për pjesën e kandidaturave, ato mbeten për t’u parë, sepse janë disa procese të brendshme statutare të cilat do të nxjerrin listën e kandidatëve”, vlerëson ai.

Lidhur me këtë ҫështje ka folur analisti politik dhe veprimtari në Zvicër, Saim Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj

Ai thotë se këto deklarata janë normale kur dihet se tani veç jemi në fushatë elektorale.

Tahiraj: VV-ja do ketë rënie të përqindjes, por mendoj se do jetë e para prapë me një përqindje më të ulët

“Secila parti politik jep deklarata të tilla për fitoren e partisë që i përket. Por nëse e shikojmë gjendjen reale në teren, mendoj se do të ketë ndryshime në votimet e shkurtit.  VV-ja do ketë rënie të përqindjes, por mendoj se do jetë e para prapë me një përqindje më të ulët. Ndërsa LDK do ketë rritje të përqindjes, mendoj se do e dyfishon”, vlerëson ai.

Por sipas tij, problemi do jetë se a do ketë mundësi VV-ja të gjejë aleat me formuar Qeverinë, nëse jo do i jepet mundësi partisë së dytë që me opozitën aktuale ta formojë Qeverinë.

“VV-së i ka ra autoriteti në elektorat, plus partitë opozitare nuk e kanë më atë urrejtjen që ishte krijuar në opinion në zgjedhjet paraprake. LDK e ka përmirësuar shumë imazhin që kishte humbur në zgjedhjet paraprake, gjithashtu edhe PDK është stabilizuar. Do jetë një fushatë e ashpër me akuza dhe kundër akuza, uroj të kalojmë pa eskalime ekstreme”, thotë Tahiraj për ‘Bota sot’.

Shkodra: Deputetët e LVV-së edhe nëse dalin të parët, nuk besoj se do të munden ta formojnë qeverinë pa ndonjë parti tjetër

Image
Magbule Shkodra

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo thotë se, sa i përket deklaratës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë garë vetëm për vendin e dytë, mund edhe të jetë ashtu.

“Pra Lëvizja Vetëvendosje me siguri që ndoshta do të jetë e para, por pyetja që shtrohet është me sa përqindje pra do të fitoj Lëvizja Vetëvendosje. Mendimi im është se rezultati i zgjedhjeve të kaluara sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të përsëritet, prandaj deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të koncentrohen në atë se në zgjedhjet e ardhshme edhe nëse dalin të parët, nuk besoj se do të munden ta formojnë qeverinë pa ndonjë parti tjetër në koalicion”, thotë Shkodra.

Ajo thotë, se partitë duhet të ndërtojnë raporte të mira, pasi nuk dihet se kush do të jetë në vendin e dytë e të tretë, ndërsa LVV-ja nuk do të marrë përqindjen e njëjtë sikur në zgjedhjet e kaluara.

“Prandaj është mirë që të ndërtojnë raporte të mira, sepse nuk do të dihet kush do të jetë partia e dytë apo e tretë dhe me aq sa unë e shoh nga disponimi i qytetarëve, kështu që bisedoj, dëgjoj e nga sondazhet e ndryshme, vërej që Lëvizja Vetëvendosje më nuk do t’i marrë përqindjen e votave që i ka marrë në zgjedhjet e kaluara, kështu që patjetër duhet të qeverisë në koalicion me ndonjë parti tjetër”, vlerëson ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat