Serbia lëvizi trupat më afër vijës kufitare, reagon Sheholli: “Zbulon” çka duhet të bëjë Kosova

Politika

Serbia lëvizi trupat më afër vijës kufitare, reagon Sheholli: “Zbulon” çka duhet të bëjë Kosova

Nga: Naile Ejupi Më: 14 tetor 2024 Në ora: 22:20
Ushtaret serbë

Shteti serb bëri provokimin e radhës, duke lëvizur trupat e tyre rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, më saktësisht afër komunës së Kamenicës, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën.

Duke shpërndarë edhe fotografi në rrjetin e tij social “Facebook”, Kurti ka bërë të ditur trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka vazhduar duke thënë se Serbia po vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, me qëllim të destabilizimit të rajonit, “megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”.

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, thotë se lëvizjet e ushtrisë serbe tash e 25 vjet janë nën monitorimin e KFOR-it.

Sipas tij, Kosova duhet të jetë vigjilente dhe të ketë koordinim në detaje me KFOR-in.

“Lëvizjet e ushtrisë serbe janë tash e 25 vjet nën monitorim total të forcave të KFOR-it nga Kosova. Kur të kemi një komunikatë të NATO-së atëherë do të jemi shumë më të informuar. Kryeministri Kurti është mirë i informuar për lëvizjet e forcave serbe në kufi me Kosovën dhe besoi që duhet të koordinohet me forcat e NATO-së kur prononcohet për këtë çështje. KFOR-i në Kosovë është alfa dhe omega e sigurisë së kufijve të Kosovës. Serbia është shtet armik i Kosovës e në veçanti i shqiptarëve të Kosovës. Për këtë konstatim askush nuk ka dilema. A po planifikon Serbia sulm të ri terrorist? Serbia është shumë mirë e informuar ( sepse çdo të enjte përfaqësues të lartë të KFOR-it takohen me epror të ushtrisë serbe në Serbi) që çdo përpjekje e saj për të cenuar sovranitetin e Kosovës do ta paguajë shumë shtrenjtë. Ne duhet të jemi vigjilent që të jemi të koordinuar në detaje me KFOR-in”, thotë Sheholli.

Ai ka përmendur edhe masa që duhet të ndërmerren në mënyrë që të parandalohet një sulm i mundshëm terrorist.

“Masat që Kosova duhet ndërmarrë janë: Bashkërendim i detajuar i qeverisë së Kosovës me forcat e KFOR-it, koordinim në detaje të AKI-së me inteligjencën e NATO-së, vëzhgim dhe përcjellje e elementeve të agjenturave armiqësore ( veçanërisht ato pro ruse, serbe e pro kineze) në Kosovë, si dhe koordinim i plotë politik me shtetet aleate të Kosovës e veçanërisht me SHBA-të!”, shton Sheholli.

Theksojmë se ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se “autoritetet e sigurisë”, kanë ndërprerë “kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”.

Në një komunikatë të lëshuar më 13 tetor, autoritetet serbe kanë akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.

“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, është thënë në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat