Zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë opozitare “bëhen bashkë” kundër LVV-së - vijnë disa mesazhe të forta nga pushteti!

Politika

Zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë opozitare “bëhen bashkë” kundër LVV-së - vijnë disa mesazhe të forta nga pushteti!

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 15 tetor 2024 Në ora: 08:00
Liderët e partive opozitare

Partitë politike në vend, tani veçse kanë filluar me parafushatat e tyre zgjedhore.

Po zhvillohet një ‘luftë’ e madhe kundër partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, derisa partitë opozitare kanë vendosur vija të kuqe ndaj saj, me shpresë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do ta rrëzojnë nga pushteti.

Ndonëse, deri tani nuk dukej se partitë opozitare kishin ndonjë marrëveshje bashkëpunimi apo koordinimi mes tyre për ta refuzuar LVV-në, kjo gjë u konfirmua së fundi nga Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai bëri të ditur se partitë opozitare të vendit kanë biseduar me njëra-tjetrën që të mos bëjnë koalicione me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila tashmë është në krye të vendit duke qeverisur.

Megjithëse, Tahiri potencoi se nuk ka ndonjë marrëveshje të detajuar mes opozitës, një gjë është dakorduar se nuk do ketë koalicion me LVV-në.

“Nuk ka garanci, janë disa tema të rëndësishme së pari për të ndodhur qeveria e ardhshme, duhet të vendoset një kriter kush është i pari e kush është i dyti”.

“Kjo është ekskluzive pasi po flasim, nuk ka diskutim brenda partive opozitare për kriterin për formën apo kush a është ai që del i pari, varet shumë i pari”.

“Ka dakordancë që nuk shkojmë me LVV-në”, ka thënë Tahiri.

Por, në realitet sa kanë fuqi politike, partitë në opozitë që ta rrëzojnë nga pushteti LVV-në, duke parë mbështetjen masive që ka kjo e fundit?

Batusha: Do t’i mposhtim keqas opozitën

Kurse, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha këto deklarata të Tahirit i cilësoi si absurde.

Image
Agon Batusha

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se opozita është në siklet të madh, pasi e di që LVV do fitojë sërish në zgjedhjet e ardhshme

“Është absurde që një subjekt opozitar para zgjedhjeve të japë deklarata të tilla. Këtë e bëjnë nga sikleti i madh që e kanë si nga qeverisja e deritanishme dhe fitorja në ardhje e LVV-së”.

Gjithashtu, deputeti i LVV-së paralajmëroi opozitën që të përgatiten për humbje, pasi do i mposhtin ‘keqas’ në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Se sa do të fitojmë e konfirmojnë vetë opozita me deklarata, madje Haradinaj deklaroi që edhe me Listën Serbe bën koalicion vetëm për të mos lejuar VV-në të qeverisë. Pra, ne do t’i mposhtim keqas opozitën sepse kanë humbur rrugën, kanë humbur taxhinë dhe kanë humbur vizionin”, përfundoi Agon Batusha.

Gacaferi: LVV-GUXO me 9 shkurt do fitojnë edhe me bindshëm se në zgjedhjet e fundit!

E për këtë deklaratë të Tahirit, ka folur edhe anëtari i Listës Guxo, Luan Gacaferi.

Image
Luan Gacaferi.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se opozita mund të bashkëpunojë dhe bisedojë mes vete, por që fitorja e LVV dhe Guxo është e sigurt.

Madje, anëtari i Listës Guxo u shpreh optimist, se koalicioni i tyre do fitojë më bindshëm se në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

“Partitë opozitare mund të bisedojnë më njëra tjetrën sa herë të duan e kur të duan, por një gjë është e sigurt, LVV GUXO s’do ketë nevojë për koalicionin me asnjërën parti opozitare, sepse do i fitojë zgjedhjet me rezultat edhe më të mirë se në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021!

LVV-GUXO me 9 shkurt do fitojnë edhe me bindshëm se në zgjedhjet e fundit!" - përfundoi Luan Gacaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat