Ushtria në kufi me Kosovën, çfarë mesazhi po dërgon Serbia? Ja dekonspirimi që i bëri Kurti - Vuçiqit

Politika

Ushtria në kufi me Kosovën, çfarë mesazhi po dërgon Serbia? Ja dekonspirimi që i bëri Kurti - Vuçiqit

Nga: P.R Më: 15 tetor 2024 Në ora: 11:56
Serbia ka sjellë trupat ushtarake rreth 50 metra afër vijës kufitare në komunën e Kamenicës

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Serbia ka sjellë trupat ushtarake rreth 50 metra afër vijës kufitare në komunën e Kamenicës.

Kurti madje ka publikuar edhe publikuar disa fotografi të forcave serbe duke e cilësuar provokim lëvizjen e trupave afër kufirit.

“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkroi kryeministri Kurti.

Po ashtu, edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një veturë që dyshohet të jetë e Xhandarmërisë serbe ka shkelur vijën ndarëse kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe! Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe. Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror”.

“Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi. Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

E lidhur me këto lëvizje të Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

"Lëvizja e trupave ushtarake të Serbisë drejt Kosovës është një temë shumëvjeçare. Kjo lëvizje është bërë rutinë e autoriteteve të Beogradit që nga viti 2004, kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së, hoqi detyrimin e Serbisë që ushtria e saj të mos afrohej në drejtim të Kosovës për 20 km në brendësi të territorit të saj. Madje u hoq dhe qëndrimi i policisë dhe xhandarmërisë serbe pesë km lart kufirit me Kosovën. Prej asaj kohe, kur këto pengesa iu hoqën Serbisë, ushtria, policia dhe xhandarmëria e këtij vendi ka provokuar në vazhdimësi territorin e Kosovës, qytetarët e saj si dhe forcat e sigurisë së saj", thotë profesor Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi nënvizon se me kërcënimin me ushtri, Serbia po dërgon një mesazh të qartë ndaj Kosovës.

"Para pak ditësh kryeministri Kurti tha se ushtria serbe është parë vetëm 50 m afër kufirit me Kosovën në zonën e Kamenicës. Këto forca ushtarake u larguan vetëm kur panë se po filmoheshin nga grupet e vëzhgimit të policisë dhe forcave special të Kosovës. Largimi kur ato po filmoheshin dëshmon se Serbia është ajo që ka qenë gjithmonë: - Hedh gurin dhe fsheh dorën. Provokon e nga ana tjetër akuzon Kosovën për provokime. Akuzon si ajo pros….ta, që thotë “T’ia them sa nuk më ka thënë”! Pra akuzon, me qëllim që të zhvleftësojë akuzat e Kosovës për diversionet e Beogradit kundër territorit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Është në traditën serbe të hiqet si “e fortë”, derisa kupton se forca e saj është një iluzion. I madhi Rugova kishte paralajmëruar që në vitin 1991 Serbinë se “Edhe ju jeni një popull i vogël”! Prandaj nuk është në interesin tuaj të luftoni kundër Kosovës. Megjithatë propaganda nacional-shoviniste e Serbisë vazhdon të predikojë “forcën dhe epërsinë ushtarake, politike dhe ekonomike” të vendit të saj. Vazhdon metodat e vjetra të kërcënimeve dhe presioneve të vazhdueshme, sidomos kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj", shton Bytyçi.

Më tej, ai thotë se demonstrimi ushtarak në kufi, është shprehje e kërcënimit më të madh, madje me agresion ushtarak kundër Kosovës.

"Së paku ky është mesazhi. Prandaj dhe kërkesa e kryeministrit Kurti që t’i vendosen Serbisë fasha territori, deri ku ajo mund të afrojë ushtrinë e saj në drejtim të Kosovës është një kërkesë me vend. Heqja e zonës tampon prej 0 km për ushtrinë dhe 5 km për policinë ka rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Por ka rrezikuar dhe rrezikon edhe integritetin e forcave të NATO-s, KFOR në Kosovë. Rrezikimi i KFOR do të ishte arsye e mjaftueshme për të vendos kufizimet e fillimit për lëvizjen e ushtrisë serbe në drejtim të Kosovës. Këtë kërkesë të Kurtit dhe zbatimin e saj e bën të imperative lufta në Ukrainë dhe agresioni rus kundër saj, si dhe përpjekjet e Kremlinit për të rihapur vatrën e konfliktit në Ballkan", shprehet Bytyçi.

"Megjithatë nuk shoh ndonjë mundësi që Fuqitë e Mëdha të rikthejnë kufizimin e lëvizjes së ushtrisë dhe policisë së Serbisë në territorin e saj. Por është interesant se si Beogradi e justifikoi lëvizjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën. Tha se ushtria po monitoronte trafikun e lëndëve drusore midis të të dy vendeve. Një absurditet i tillë mori përgjigjen e ministrit të Kosovës të Mbrojtjes, kur shtroi pyetjen se “Qysh kur ushtria në Serbi merret me çështjet e trafiqeve të lëndëve drusore”! Ironia e tij është vërtet e hollë dhe shpotitëse, sepse nuk ka ushtri në botë që të ketë objekt të saj trafiqet, sidomos të lëndëve drusore. Ndërkohë në përgjigjen e autoriteteve të Beogradit duket se ka shqetësim për dekonspirimin e lëvizjeve të ushtrisë. Duket qartë se këto autoritete nuk duan që në opinionin perëndimor euro-amerikan të ketë dyshime, nëse Serbia është e gatshme të destabilizojë Ballkanin ose jo".

Bytyçi thotë se Vuçiq dëshiron që të vazhdojë të luajë rolin e “djalit të mirë” në sytë e Perëndimit.

"Dhe këtë imazh ia dëmton dekonspirimi që i bëri Kurti lëvizjeve të ushtrisë së tij në drejtim të territorit të Kosovës. Në fakt edhe evropianët, ashtu si amerikanët i dinë para Kosovës dhe zotit Kurti lëvizjet e ushtrisë serbe. Por sa kohë që ato nuk dekonspirohen, qendrat euro-amerikane heshtin dhe bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sepse taktizojnë me “lëshime” ndaj presidentit serb në këmbim të ndryshimit të aleancave të tij nga Lindja në Perëndim. Aq shumë janë opsesionuar diplomatët perëndimorë ndaj idesë se “Vuçiq mund ta kthejë faqen e historisë serbe”, sa kanë rënë në një iluzion utopik, i cili do të shndërrohet në bumerang për ta. Do të isha kurioz të dija që sot se çfarë do të bënin këta diplomatë kur elita politike, akademike dhe religjioze e Serbisë t’i thotë Perëndimit “Jo, ne nuk heqim dorë nga aleanca dhe mbështetja që na jep Rusia” dhe të vazhdojë politikat e marrëdhënieve ushtarake, politike, strategjike, ekonomike, energjetike me Rusinë", shpjegon profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se denoncimi i kryeministrit Kurti ia ka vlejtur.

"Është një nga provat e shumta që zbulon fytyrën e vërtetë të presidenti Vuçiq. Ndërkohë jam shumë optimist se Kosova i ka tashmë kapacitetet që të garantojë siguri në kufijtë e saj dhe ta mbrojë me sukses territorin e saj. Ajo ka dhënë shumë prova për këtë. Megjithatë e shoh të arsyeshme dhe të nevojshme të shpallet emergjenca kombëtare e Kosovës për të garantuar sigurinë e vendit, duke shpallur orientimin e financimeve të mëdha në moderinizimin e ushtrisë, policisë e forcave të armatosura, si dhe fuqizimin e mbrojtjes. Por më së pari duhet krijuar bindja se Kosova mund të mbrohet edhe vetë nga një agresion serb", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat