Ushtria serbe afër kufirit me Kosovën, kërkohet mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë – eksperti zbardh “prapaskenat”!

Politika

Ushtria serbe afër kufirit me Kosovën, kërkohet mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë – eksperti zbardh “prapaskenat”!

Nga: A.M. Më: 15 tetor 2024 Në ora: 16:01
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Serbia ka provokuar sërish, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht afër Komunës së Kamenicës.

Duke shpërndarë disa fotografi në Facebook, Kurti ka thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.

E për këtë ngjarje dhe provokim te palës serbe, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Si fillim, ai tha se informacioni i Kurtit për lëvizjen e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovës është shqetësues.

Image
Bedri Elezi.

Elezi kërkoi nga kryeministri, që në rast se ka informacione të sakta, ta mbledhë urgjent Këshillin e Sigurisë dhe të koordinohet me NATO-n.

“Deklarata e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe publikimi i fotografive ku shihen pjesëtarët e ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Republikën e Kosovës është vërtetë informacion shqetësuese. Por, ne nuk jemi të kënaqur vetëm me këtë mënyrë të trajtimit të çështjes, vetëm me komunikim të publiku.

Mirëpo, në rast se Kurti ka informacione të sakta për situatën, atëherë duhet urgjentisht të mbledh Këshillin e Sigurisë së Kosovë, ta trajtojë çështjen dhe të konstatojë shkeljet që janë bërë bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe njëkohësisht të veprojë sa më parë në raport me garantuesin e sovranitetit të Kosovës, NATO-n, e cila përmes KFOR-it e zbaton ruajtjen e kufijve apo sovranitetin e territorit të shtetit tonë”, u shpreh eksperti.

Krahas kësaj, Elezi potencoi se duke parë situatën, institucionet e Kosovë në koordinim me partnerët e sigurisë ndërkombëtare, duhet të ndërmarrin të gjitha masat, përfshirë ato tekniko-ushtarake apo policore

“Në këtë rast ne mendojmë që Kosova realisht është e ekspozuar para një situatë të rëndë të sigurisë, por që veprimet e institucioneve të Kosovës duhet të jenë konform detyrave dhe përgjegjësive që kanë, të ndërmerren të gjitha aktivitetet (masat), përfshirë ato tekniko-ushtarake apo policore dhe njëkohësisht komunikimi të jetë i pandërprerë apo i veçantë me forcat ndërkombëtare të cilat partner të sigurisë së Kosovës.

Në fakt neve nuk jemi të informuar nëse ka pasur edhe raste të tjera para këtij publikimi, ditëve të fund apo javët e fundit, apo thjesht Kryeministri e bëri për ta shkëput të vëmendje nga çështja e ushqimit të FSK-së, ku ne kemi konstatuar që paralajmërimi i komandantit se FSK do pezullojë aktivitetet për shkak të ushqimit, atëherë do të kemi edhe cenim të sigurisë. Duhet të theksojmë që, Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtri e Kosovës dhe e njëjta është partner i NATO-s që garanton sovranitetin e Republikës sonë”.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë tha se këto lëvizje të ushtrisë serbe përveç provokuese, mund të jenë edhe defokusuese, me qëllim që të paralajmërojnë se rreziku Kosovës mund t'i vijë edhe nga pjesa tjetër e vendit, Kamenica në këtë rast, dhe jo vetëm nga veriu.

“Andaj, ne mendojmë që ndoshta raste të tilla ku forcat e ushtrisë së Serbisë kanë shkelur marrëveshjen e Kumanovës, janë dhe mbeten evidente, por që në këtë rast ka reaguar kryeministri thjesht ndoshta për të zhvendos vëmendjen nga zhvillimet, siç thashë, që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ne duhet të konstatojmë në aspektin e sigurisë që këto lëvizje mund të konsiderohen provokim nga Serbia, mund të jenë të natyrës për të defokusu, mund të themi, edhe forcat e NATO-s nga aktivitetet e tyre që kanë të bëjnë në veriun e Mitrovicës për të konstatu se rreziku Kosovës mund t'i vijë edhe nga pjesa tjetër, siç është kufiri me Kamenicën dhe në këtë rast të kemi zhvendosje ndoshta edhe të forcave të NATO-s edhe në drejtim të zonës tjetër kufitare, kështu që mos të ketë një koncentrim të shtuar siç e ka aktualisht në veriun e Mitrovicës”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat