“Kurti ka vepruar mirë”/ Komentohet vendimi i kryeministrit për lejimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Bosnjës

Politika

“Kurti ka vepruar mirë”/ Komentohet vendimi i kryeministrit për lejimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Bosnjës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 tetor 2024 Në ora: 19:58
Albin Kurti

Procesi i Berlinit është mbajtur dje (e hënë) në kryeqytetin gjerman, ku edhe u shënua dhjetë vjetori i parë i kësaj nisme.

Pjesë e kësaj ngjarjeje ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Para të pranishmëve, Kurti njoftoi se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Herecegovinës.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament - unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

Reagim për këtë ka pasur nga kreu i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se në Bosnje, qytetarët e Kosovës mund të hyjnë vetëm duke përdorur dokumentet serbe.

“Gjatë dhjetë vjetëve të Procesit të Berlinit, asnjë vend nga Ballkani nuk është afruar me BE-në dhe nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë në pesë vjetët e ardhshme. Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe për këtë arsye nuk mund të pranojë asnjë lloj bisede përveç marrëdhënieve zyrtare me Serbinë.

Ata që duan të vijnë këtu mund ta bëjnë këtë me dokumente të lëshuara nga Republika e Serbisë dhe për këtë nuk ka problem”.

Lama: Kurti shtriu dorën diplomatike – vendim i mirë

Image
Alma Lama

Ish-ambasadorja Alma Lama në një përgjigje për “Bota sot”, shprehet se ky është një vendim i mirë i Kurtit, pasi ai e ka shtrirë dorën diplomatike ndaj Bosnjës e po ashtu ka respektuar marrëveshjen e procesit të Berlinit për lëvizje të lirë në rajon.

Mirëpo, ajo thotë se republika serbska nuk do ta pranojë një gjë të tillë dhe do të vazhdojë ta mbajë peng Bosnjën.

“Me anë të këtij vendimi të njëanshëm mendoj se kryeministri Kurti ka vepruar mirë duke shtrirë dorën diplomatike ndaj shtetit të Bosnjës dhe qytetarëve te saj që dëshirojnë të vijnë në Kosovë, por edhe duke respektuar marrëveshjen e procesit të Berlinit për lëvizjen e lirë në rajon. Sa për republika Serbska ajo e mban peng shtetin e Bosnjës për të mos e njohur Kosovën dhe se nuk do të lejojë reciprocitet, se paku në këtë fazë.

Në rrafshin praktik lëvizja pa viza drejt Bosnjës është një lehtësim për ata boshnjakë që kanë të afërm të tyre në Kosovë apo që duan të zhvillojnë marrëdhënie tregtare me Kosovën”, thotë Lama.

Shabani: Synimi i samiteve të Procesit të Berlinit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor

Image
Amir Shabani

Njohësi i integrimeve evropiane, Amir Shabani për “Bota sot”, thotë se Procesi i Berlinit ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit.

Ai thekson se kjo çfarë ka deklaruar kryeministri Kurti, duket të jetë një progres drejt integrimit të rajonit.

“Me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit që po manifestohet në kryeqytetin gjerman, Kurti tha se ky projekt i inicuar nga ish-kancelarja Angela Merkel ka sjellë përparim të rëndësishëm deri më tash, por se duhen edhe më shumë veprime dhe angazhime.

Derisa qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, ata duhet të pajisen me viza për të shkuar në Bosnje e Hercegovinë. Ngjashëm, edhe ata të Bosnjës që duan të hyjnë në Kosovë. Kjo, për faktin se Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Synimi i samiteve të Procesit të Berlinit, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gradualisht t’i afrojnë ato më pranë BE-së, njëkohësisht edhe të realizojnë marrëveshjen bilaterale mes vete brenda rajonit, ku kjo e fundit që ka deklaruar kryeministri Kurti, duket të ketë një progres drejt integrimit të rajonit”, përmbyll ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat