A do bëjë ndonjë parti opozitare koalicion me LVV-në? Analisti zbërthen skenaret: Varësisht nga rezultatet…!

Politika

A do bëjë ndonjë parti opozitare koalicion me LVV-në? Analisti zbërthen skenaret: Varësisht nga rezultatet…!

Nga: A.M Më: 16 tetor 2024 Në ora: 15:09
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Partitë politike në vend, kanë nisur vrullshëm parafushatat e tyre elektorale, me zgjedhjet e reja parlametare që pritet të mbahen me 9 shkurt.

Opozita duket se ka gjetur një unitet, ku partitë politike duket se janë marrë vesh që pavarësisht rezultateve në zgjedhjet e ardhshme, të mos bëjnë koalicion me LVV-në.

Kurse, në anën tjetër, partia në pushtet duket të jetë e bindur se do fitojë zgjedhjet pa pasur nevojë të bëjë koalcion me ndonjërën nga partitë opozitare.

Image
Visar Xani

Analisti politik, Visar Xani në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli mbi mundësinë e koalicioneve dhe parafushatat e partive politike.

Së pari, ai u shpreh se pavarësisht atyre që thonë, cilado parti politike që del e para do bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër.

“Partitë politike në Kosovë nuk besoj që do të mund t’i rezistojnë dëshirës për të bërë një koalicion. Cilado parti që del e para, secili subjekt politik, konsideroj që do të jetë në dispozicion për të qenë pjesë e koalicionit të mundshëm dhe varësisht nga rezultatet që marrin ato”.

Krahas kësaj, Xani deklarimet në lidhje me koalcionet e mundshme, i vlerësoi si metoda për ta “rritur pazarin”.

Sipas tij, s’ka parti në opozitë që nuk e do pushtetin dhe që nuk do koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje ose anasjelltas.

“Këto më shumë janë trika për të rritur pazarin, me qëllim që të paktën të mund të marrin diçka më shumë, por në asnjë mënyrë nuk ka një vullnet të tillë, për shkak se nuk e shoh të asnjë parti opozitare që nuk e dëshiron pushtetin dhe që nuk është gati të bëjë koalicion me LVV-në ose anasjelltas”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, analisti politik vlerësoi që edhe LVV me Listën Guxo kanë nevojë për një koalicion që mbështet disa procese të ndjeshme të Koosovës, e për të cilat fuqia politike në Kuvend duhet të jetë dominante.

“Gjithsesi, unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo e kanë të pamundur të qeverisin të vetme, pa marrë parasysh rezultatin. Kjo për shkak që në Kosovë ka jashtëzakonisht procese të ndjeshme, për të cilat nevojitet të ketë mbështetje dhe një fuqi më të madhe politike. Sa do që të kesh elektoratin, fuqia politike në Kuvend duhet të jetë dominante, varësisht nga kauzat e caktuara, me qëllim që të përmbyllen projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me çështje të ndjeshme të Kosovës, siç janë ato të brendshme dhe po ashtu ato ndërkombëtare, siç është çështja e dialogut, ajo e kompromiseve apo edhe e detyrimeve të brendshme që ka Kosova”, përmbylli Visar Xani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat