Pas zhbllokimit të CEFTA-s, kërkohet heqja e sanksioneve ndaj Kosovës

Politika

Pas zhbllokimit të CEFTA-s, kërkohet heqja e sanksioneve ndaj Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 16 tetor 2024 Në ora: 17:12
Foto ilustrim

Javën e kaluar, Kosova hoqi bllokadën ndaj mallrave serbe. Në këtë mënyrë u zhbllokua edhe CEFTA, ku tani e tutje shteti ynë do të përfaqësohet nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe jo nga UNMIK-u siç ka qenë deri më tani.

“Nga sot, në takimet e komiteteve të përbashkëta, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut. Pjesëmarrja përmes UNMIK-ut në CEFTA është larguar përfundimisht, kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit të Kosovës për ta rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm”, tha javën e kaluar Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari.

E analistët politikë, thonë se hapi i radhës nga Bashkimi Evropian duhet të jetë heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, masa këto që po e penalizojnë tash e sa kohë Kosovën.

Suspendimi i sanksioneve

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, thotë se sanksionet ndaj Kosovës duhet sa më parë të suspendohen.

Image
Gani Qarri

“Në fakt, qysh pas votimeve të qeta të referendumit, prillin e këtij viti në komunat veriore, Kosova ka përmbushur plotësisht, kushtin kryesor ndërkombëtar, votime që vërtetë kaluan në atmosferë tërësisht të shtensionuar, mbarëvajtjen e të cilave edhe kësaj radhe, e prishi dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e ashtuquajtura "lista srpska" dhe presidenti kriminel serb A. Vuçiq nga Beogradi, andaj pas atij zhvillimi sanksionet kundër vendit tonë, vërtetë e kanë humbur tërësisht kuptimin dhe pa asnjë vonesë, ato duhet të suspendohen menjëherë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij,  ky është hapi i radhës që duhet të ndërmerret nga Bashkimi Evropian, si dhe t’i kërkohet Serbisë dorëzimi i terroristëve të sulmit në Banjskë.

“Por pasi nuk ndodhi heqja e tyre atëherë, sidomos tani pas zhbllokimit edhe të CEFTA-s, heqja e sanksioneve ndaj Kosovës, do duhej të ishte hapi parimor i radhës nga BE dhe pa asnjë vonesë të mëtejme, të suspendohen masat e vendosura padrejtësisht, si dhe të ndëshkohet dhe sanksionohet urgjentisht Serbia, e cila edhe pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kundër akterve të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, edhe një vit pas këtij akti, po heziton ti dorëzoj kryeterroristin Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësit e tjerë të agresionit të armatosur, të cilët vranë në pritë edhe policinë në detyrë, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, por përkundër të gjithave, ata vazhdojnë të gëzojnë mbrojtjen e shtetit serb dhe të jetojnë të lirë në Serbi, gjë që nuk ndodhë askund në botë, ndërsa BE dhe faktori ndërkombëtar, vazhdojnë të heshtin”, thekson Qarri.

Por kur mund të hiqen sanksionet ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian?

“Në fakt me gjithë përfoljet se kinse Bashkimi Evropian ka krijuar një mekanizëm për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, duket se nga frika, që ky sukses do ti faturohet kryeministrit Kurti dhe sjellë vota shtesë atij, në zgjedhjet e reja, heqja e sanksioneve ndaj Kosovës, nuk do të vije derisa të mos ik Borelli dhe pritet të realizohet vetëm nga përbërja e freskuar e strukturave drejtuese të BE-së nën udhëheqjen e re politike pas ardhjes në krye të BE-së, të zonjës së nderuar Kaja Kallas, si kryediplomate e BE-së,  gjë që ka filluar ta shqetësojë edhe presidentin kriminel serb dhe pasardhësin dhe ministrin e informatave të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, i cili i mësuar qysh nga ajo kohë, nuk ka hequr dorë asnjëherë dhe pa fije turpi, ende vazhdon të ndërhy në vijimësi në punët e brendshme të Republikës së Kosovës”, përfundon analisti Gani Qarri,

Përfitimet e Kosovës

Kurse Faton Mehmeti, analist politik, shprehet se Kosova përfitoi me heqjen e bllokadës ndaj produkteve serbe.

“Kosova ka bërë një veprim shumë te mençur me sanksionet ndaj mallrave serbe. Ato i hoqi në këmbim të heqjes së sanksioneve nga CEFTA-s dhe shumën afër 900 milionë dollarë që pritet të ndahet nga BE. Derisa, produktet serbe janë zëvendësuar dhe më s’po gjejnë vend në Kosovë pas heqjes së sanksioneve. Shikoni sa maune hyjnë në ditë nga Kosova, 80% më pak se para sanksioneve”, thotë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Kosova zhvilloi një ‘pazar’ fitimprurës, për çka duhet të falënderohet Gjermania.

“Kështu që qeveria ka vepruar më mend në këtë rast. Kosova pritët të përfitojë edhe mbështetje tjera financiare nga BE, me CEFTA-në që është shumë përfituese për vendin tonë mos të përfaqësohet më nga UNMIK, por nga institucionet tona. Për këtë duhet falënderuar edhe Gjermania, që ka mbështet Kosovën në këtë “pazar” mjaft fitimprurës”, përfundon Faton Mehmeti.

Ndryshe, nga BE nuk është dhënë ndonjë shpresë për heqjen e masave. Madje zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë se nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo .

“Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”, u përgjigj Stano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat