Prapaskenat e publikimit të “audio incizimeve dhe përgjimeve” me cak Vetëvendosjen, analistët zbërthejnë qëllimin e tyre: Pasqyrojnë një...

Politika

Prapaskenat e publikimit të “audio incizimeve dhe përgjimeve” me cak Vetëvendosjen, analistët zbërthejnë qëllimin e tyre: Pasqyrojnë një...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 tetor 2024 Në ora: 20:26
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtarët e saj janë bërë “cak” i mediave dhe opozitës.

Kur ende s’ka kaluar ende një javë që nga publikimi i audioinçizimeve ku pretendohet se shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, dakordësohet me terroristin Milan Radojçiq për pagën minimale dhe për të çuar një kandidat shqiptar në Gjykatën Kushtetuese, janë duke u publikuar biseda në media që pretendohet se i përkasin koordinatores së komiteteve profesionale në Lëvizje Vetëvendosje, Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin, gjatë kohës sa ishte shef i KEK-ut. Sipas raportimeve, bisedat tregojnë skandale në fushën e energjisë.

Publikimi i këtyre bisedave dhe përgjimeve, sipas analistëve, tregon se fushata ka filluar dhe do të jetë e ashpër. Sipas tyre, biseda të tilla cenojnë narracionin publik të partisë në pushtet dhe opozita mund të ngritët, nëse dinë si t’i shfrytëzojë ato.

Analisti Afrim Kasolli, thotë se përgjimet po pasqyrojnë një realitet “sekret”, të ndryshëm nga pretendimet publike të Vetëvendosjes.

Sipas tij, efekti i tyre do të shihet në zgjedhje.

“Se sa do të kenë efekt këto përgjime mbetet të shihet. Kjo mund të verifikohet vetëm më 9 shkurt. Natyrisht, biseda të tilla e lëndojnë dhe cenojnë narracionin publik të partisë në pushtet. Sepse ato e pasqyrojnë një realitet “sekret” të ndryshëm nga pretendimet publike të Vetëvendosjes. Pra ato tregojnë se edhe kjo parti qenka koordinuar dhe paska negociuar me Listën Serbe, për nevoja të menaxhimit ditor të politikës, e jo ashtu siç ka pohuar. Kurse në rastin e dytë sa i përket komunikimit të Dejona Mihlallit me Nagip Krasniqin tregon për një strategji të lidhjes së drejtpërdrejtë të eksponentëve të partisë me ndërmarrjet publike ekonomike. Pra prej Nagip Krasnqit nuk kërkon llogari dhe përgjegjësi, bie fjala ministrja Rivanolli, apo ndonjë anëtar i komisioneve parlamentare që e mbulojnë sferën energjetike, por një aktiviste partiake që qëndron mbi të dy. Ku edhe institucionet qeverisëse dhe kompanitë publike i nënshtrohen një autoriteti “ilegal” partiak”, shprehet Kasolli.

Image
Analisti Afrim Kasolli

I pyetur nëse mediat kontribuojnë që opozita të ngritët apo të bie, Kasolli thotë se kjo varet sesi opozita i shfrytëzon këto skandale.

Sipas tij, nuk varet nga media rezultati i opozitës.

“Sa po kontribuojnë mediat që opozita të ngritet apo të bie? Kjo varet se si opozita i shfrytëzon këto skandale. Nuk varet shumë nga mediat. Por më shumë nga puna e tyre me opinionin publik. Se sa ato ia dalin që ta bindin këtë fundit se janë alternativë ndaj këtij pushteti. Dhe nëse dështojnë në këtë mision, atëherë nuk mund të ketë asnjë instrument tjetër që i shpëton. Përkundrazi ka rrezik që çdo të relativizohet deri në ekstrem dhe qytetarët të pushtohen nga një rezignim politik ku në sytë tyre të gjitha partitë janë të njëllojta dhe të mos shohin asnjë dritë në fund të tunelit nga gjendja ku jemi katandisur”, pohon analisti.

Pushteti me reagim ndaj përgjimeve po tenton që t’i kundërpërgjigjet me një narracion dhe interpretim alternativ, thotë Kasolli, gjersa shton se pushteti tenton që ta reduktojë krejt betejën politike në retorikë të zhveshur nga realiteti, propagandë dhe ndarje ekstreme në raportet “mik-armik”.

“Përgjimet dhe publikimi i bisedave a nënkupton fushatë tashmë të ashpër ende pa filluar zyrtarisht ajo? Po, deri më tani pushteti ndaj këtyre përgjimeve, ka reaguar vetëm duke tentuar për t’i denigruar si jo kredibile, luftë hibride ndaj kësaj qeverie, produkt të Inteligjencës Artificiale, dhe që kanë origjinë armiqësore ndaj Kosovës. Mirëpo, këto pretendime deri më tani nuk i kanë mbështetur në asnjë fakt të verifikuar. Një reagim i tillë tregon se pushteti po tenton që atyre t’u kundërpërgjigjet me një narracion dhe interpretim alternativ, duke e reduktuar krejt betejën politike në retorikë të zhveshur nga realiteti, propagandë dhe ndarje ekstreme në raportet “mik-armik”. Atëherë pa dyshim se në këtë mënyrë galvazniohet deri në ekstrem klima politike dhe beteja do të zhvillohet se kush do të jetë më shkathët ta indoktrinojë shoqërinë dhe jo mbi projekte konkrete dhe plane zhvillimore”, përfundon Kasolli.

Për përgjimet e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lilës me terroristin Milan Radojçiq, ishte mbajtur edhe seancë në kuvend, seancë kjo e bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, të mërkurën opozita mbajti seancë të jashtëzakonshme për përgjimet e publikuara, derisa pozita nuk ishte e pranishme.

Në këtë seancë, u diskutua po ashtu edhe për raportimet për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe përgjimet e publikuara.

Analisti Blerim Burjani thotë se këto përgjime do të ndikojnë negativisht te Lëvizja Vetëvendosje.

Ai thotë se opozita duhet të jetë më aktive, më e përgatitur, më e gjallë në dhënien e argumenteve pse Vetëvendosje nuk duhet të qeverisë dhe ta di ta shfrytëzojë gjendjen momentale.

“Normalisht që këto përgjime mund të ndikojnë negativisht për VV. Tani ata nuk janë në gjendje as ta shkarkojnë nga shefi i grupit parlamentar Mimozën e VV-së, sepse tani është koha e parafushatës zgjedhore dhe situatë është kritike, andaj duhet të jenë të matur kështu duken veprimet e VV-së. Opozita duhet të jetë më aktive, më e përgatitur, më e gjallë në dhënien e argumenteve pse Vetëvendosje nuk duhet të qeverisë. Mendoj se LDK mund të jetë më favorizuese nëse krahasohet me PDK-në dhe AAK-në. Mediat favorizojnë opozitën në kuptim medial, tani varet sesa dinë opozita ta shfrytëzojë gjendjen momentale, ka mundësi shumë që opozita të fuqizohet kjo për shkak të shumë të metave në qeverisjen e VV-së që në politikën e brendshme asgjë signifikante nuk ka bë, në përjashtim rritjen e pensioneve tjera ka shumë dështime dhe veriun që vlerësohet se ka arritur ta ndryshojë gjendjen”, shprehet Burjani.

Image
Analisti Blerim Burjani

Publikimin e përgjimeve në këtë kohë, Burjani e sheh si tregues se ka fushatë dhe do të ketë edhe më të ashpër.

“Përgjimet dhe publikimi i tyre në këtë kohë është tregues se ka fushatë dhe do të ketë fushatë më të ashpër. Publikimi i këtyre përgjimeve është shumë i dyshimtë që në këtë kohë të publikojnë gjëra të tilla dhe nuk dihet as kush i jep këto përgjime, ndërsa ma e keqja është që për këto nuk reagon prokuroria që të zbulohet prejardhja e këtyre përgjimeve. Pra, hetimet e këtyre përgjimeve duhet të bëhen si autenciteti i përgjimeve, kjo është punë e organeve të rendit. Më shumë dëm public po i bën VV-së Dejona, ajo po shpërfaqë shumë dyshime”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat