“Jo Vulin, ju...” – Publicisti i përgjigjet me fakte zv-kryeministrit të Serbisë, që tha se “Kosova është territori që na është vjedhur”

Politika

“Jo Vulin, ju...” – Publicisti i përgjigjet me fakte zv-kryeministrit të Serbisë, që tha se “Kosova është territori që na është vjedhur”

Nga: M.Lakna Më: 17 tetor 2024 Në ora: 09:47
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar ditë më parë se Serbia nuk do ta përmbushë kurrë kërkesën e Everopës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka përmbushur premtimin për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe, ndërsa shton se kur njohu BE-në nga brenda u bë euroskeptik.

Ai ka nënvizuar se Serbia ka pritur 11 vite që BE-ja të përmbushë premtimin e saj, të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

I pyetur nëse mund ta imagjinonte anëtarësimin në BE me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vulin ka thënë se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë.

“Është territori serb që na është vjedhur. Tani nuk mund të thuhet: 'Gjëja më e rëndësishme është që serbët që jetojnë atje të qetësohen dhe t'u jepen disa të drejta'. Evropa nuk kursen as para dhe as mjete të tjera për të rivendosur kufijtë e Ukrainës. Pse nuk vlen kur bëhet fjalë për Serbinë?”, ka theksuar Vulin për Berliner Zeitung, raportojnë mediat serbe.

Këtë deklaratë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” publicisti Gani Mehmeti.

Ai i është drejtuar Vulini-it duke i thënë se janë serbët ata që e kanë vjedhur Kosovën, e cila kurrë nuk ishte territor i Serbisë.

Image
Gani I. Mehmeti

 

“Jo Vulin, ju e vodhët Kosovën, nuk ishte territor serb asnjëherë Vulin thotë për Kosovën « Është territori serb që na është vjedhur ».  Vulin, lexo më shumë, njihu me historinë e vendeve, mos shfaq dëshirat tuaja për pushtimet e tokave të tjera. Ju mendoni ta serbizoni krejt botën me atë « Botën serbe » të « famshme », për çka tregoni dëshirat e juaja për ta pushtuar apo serbizuar botën deri atje ku gjendet edhe një serb i vetëm!!! Po, a ka një shtet në botë sot ku nuk ka edhe popuj tjerë, përveç popullit vendas aty? A e di ti se edhe shqiptarët e kanë marrë botën, dhe zor të jetë ndonjë shtet në botë e të mos ketë shqiptarë! Por, pse është një shqiptar, po qofshin edhe me qindra e mijëra, nuk janë botë shqiptare, përveç atje ku janë tokat shqiptare denbabaden.

Shihet qartë përpjekja juaj për dominim në Gadishullin Ilirik, Europë e Botë. Po dominimi nuk bëhet me pushtime tokash të fqinjve, ajo do bëhej me punë të mira, se ashtu nuk do ju urrente askush. Ju, jeni ata që urreni tjerët, pastaj edhe ata të tjerët ju urrejnë juve. Mjaft keni ecur me gënjeshtra”, ka thënë Mehmeti.

 Publicisti Gani Mehmeti ka shprehur shqetësimin për ambiciet territoriale të Serbisë dhe ka kujtuar vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin serb.

“Ju keni shprehur ambiciet tuaja për të zgjeruar Serbinë, duke përfshirë Kosovën, Republikën Serbe, Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje edhe një pjesë të Shqipërisë, për ta bërë atë më të madhe dhe për të depërtuar në ujërat e Adriatikut, pa pasur asnjëherë të drejtë mbi to", është shprehur ai.

Mehmeti me këtë rast ka përmendur edhe vuajtjet e shqiptarëve nën regjimet serbe nga viti 1912 deri në 1999.

"Diçka që merret me forcë, nëse nuk jepet me dëshirë, duhet të merret me dhunë, ashtu si është marrë. A nuk e ndjeni vuajtjen e shqiptarëve nën regjimet serbe nga viti 1912 deri në 1999, kur ju i detyruat ata të iknin? NATO dhe BE, në thelb, vetëm korrigjuan një gabim të vogël të tyre, duke e pranuar Kosovën si tokë serbe pas vitit 1912 dhe duke ju lënë juve atë. Vulin, ju donit të dëboni popullin shqiptar siç e bëtë në vitin 1878 me Sanxhakun e Nishit dhe e vodhët atë territor shqiptar që ende mbetet nën sundimin tuaj. Shikoni hartat e periudhave kur nuk ishit askund dhe ku tregojnë se ju serbët jeni vendosur në tokat Ilire e Dardane që ishin pjesë e Perandorisë Romake”, përfundoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat