A do ta rrëzojë LDK-ja Albin Kurtin më 9 shkurt?

Politika

A do ta rrëzojë LDK-ja Albin Kurtin më 9 shkurt?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 17 tetor 2024 Në ora: 14:16
Albin Kurti- Lumir Abdixhiku

Edhe pse jemi tre muaj larg zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025, tanimë një ‘luftë’ ë ashpër politike po zhvillohet në mes të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare.

E në shumë sondazhe të matjes së opinionit publik, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e para 4 viteve kishte shënuar rezultatin më të keq zgjedhor në historinë e saj.

LDK e bindur në fitore

Por pavarësisht kësaj, nga LDK shprehen të bindur se LDK do të arrijë fitore me 9 shkurt, duke rrëzuar kështu nga posti i kryeministrit liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, LDK me plot të drejt e synon fitoren e zgjedhjeve. LDK, ka ekip të jashtëzakonshëm, i ka kapacitetet më të përgatitura në vend, e ka programin “Rruga e Re”, i cili buron nga nevojat e vendit dhe zëri i qytetarëve, ku precizohen projektet zhvillimore në vlerë prej 5 miliard euro, dhe mbi të gjitha e në krye të të gjithë këtij misioni e ka njeriun më të përgatitur, të parin e saj, Lumir Abdixhiku, i cili do të jetë edhe i pari i Qeverisë së Kosovës”, thotë për “Bota sot” deputeti dhe nënkryetari i LDK-së, Anton Quni.

Image
Anton Quni

Sipas tij, me fitoren e LDK-së nuk do të humb askush, por do të fitojë Kosova.

“Puna e madhe që është bërë në LDK në riorganizimin e brendshëm, pastaj në programin qeverisës me profesionistët më të mirë, përfshirë dhe komunikimin e vazhdueshëm në teren me të gjithë qytetarët, na fuqizojnë besimin për fitoren tonë të merituar, si domosdoshmëri për ngritjen dhe zhvillimin e Kosovës. Nga fitorja e LDK-së nuk do të humb askush, do të fiton çdokush; do të fiton Kosova”, thekson deputeti Anton Quni.

Se LDK do të shënojë fitore, i bindur shprehet edhe deputeti, Armend Zemaj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë formuese dhe bartëse e Qeverisë së ardhshme. Nuk kemi dyshime për këtë, sepse kemi program i cili zhvillon Kosovën dhe e nxjerre nga ky dështimi dhe stagnimi katër vjeçar nga qeveria Kurti”, deklaron Zemaj për “Bota sot”.

Image
Armend Zemaj

Siç thotë ai, qeveria Kurti do të mbetet në histori si dëshpërimi dhe mashtrimi më i madh elektoral në Kosovë.

“LDK është e popullit dhe ashtu do jetë gjithmonë, andaj edhe rikthimi jonë është domosdoshmëri. Kurti dhe qeveria e tij do mbeten dëshpërimi më i madh i një mashtrimi elektoral”, thotë deputeti Armend Zemaj.

Qeveria Kurti, qeveria me e suksesshme në historinë e deritashme

Por ndryshe mendon deputeti i partisë Guxo, Haxhi Avdyli, parti kjo e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Jo vetëm pritjet por edhe matjet e opinionit publik tregojnë që koalicioni VV-Guxo-Alternativa do vërtetojë dhe tejkalojë fitoren e vitit 2021. Qytetari i Kosovës e ka parë dhe po vlerëson që kjo qeveri ka bërë punë të madhe në shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të Kosovës, është përkujdes që asnjë qytetar të mos mbetet prapa dhe pa përkrahje financiare, po ashtu janë bërë edhe reforma në shumë sektorë”, shprehet Avdyli për “Bota sot”.

Image
Haxhi Avdyli

Sipas tij, pavarësisht shpifjeve dhe luftës që po zhvillohet ndaj qeverisë Kurti, ajo do të mbetet në historinë e deritashme si qeveria më e suksesshme në Kosovë.

“Po ashtu qytetari ka ndje në lëkurën e tij modelin e qeverisjeve të kaluara përplot skandale korruptive, dhe e varur nga Srpska. Dhe ka parë edhe ketë qeveri që përkundër shpifjeve e luftës se madhe për të destabilizuar nga faktor brenda e jashtë e shpifjeve, po lë një trashëgimi te madhe të suksesit tonë si shtet. Dallimi është i madh, prandaj përkrahja pres vetëm të rritet edhe mbi 50% e vitit 2021”, përfundon deputeti Haxhi Avdyli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat