“Turp i radhës dhe ka origjinën te...” veprimtari nga Amerika “shpërthen”: Kush i frikësohet diasporës?

Politika

“Turp i radhës dhe ka origjinën te...” veprimtari nga Amerika “shpërthen”: Kush i frikësohet diasporës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 tetor 2024 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025, ndërsa regjistrimi i qytetarëve jashtë Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhje vazhdon ende.

Periudha e regjistrimit për votim jashtë Kosovës, ka filluar më datën 29 gusht 2024 dhe përfundon më 26 dhjetor 2024.

Gjersa po vazhdon ende periudha e regjistrimit, në Kosovë ka deklarime se diaspora nuk do të duhet të votojë, kjo pasi sipas tyre, ata përfshihen emocionalisht dhe nuk e njohin realitetin në Kosovë.

Kontributi i jashtëzakonshëm i diasporës

Avokati Ardian Bajraktari thotë se e drejta për t’u votuar është e drejtë kushtetuese dhe nga votimi nuk duhet të përjashtohet asnjë qytetar që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.

Image
Avokati Ardian Bajraktari

“Çështja, përkatësisht e drejta për të zgjedhë dhe të zgjidhet është një e drejtë kushtetuese, ku neni 45, paragrafi 1 i Kushtetutës ua garanton këtë të drejtë çdo shtetasi të Republikës së Kosovës. Për më tepër ky paragraf përcakton si në vijim: Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”, deklaron Barjaktari.

Ai thotë se e drejta e votës nuk duhet t’i privohet pjesëtarëve të diasporës, kjo pasi sipas tij, ata kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin.

“Prandaj, çdo person i cili ka shtetësi të Republikës së Kosovës dhe ka arritur moshën 18 vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, nuk mund të privohet nga kjo e drejtë, e qa më tepër për pjesëtarët e diasporës sonë të cilët në të gjitha etapat e historisë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin”, shprehet avokati.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte bërë me dije se nga verifikimi i fletëvotimeve nga diaspora, nga 43 mijë e 477 pako të dërguara kishin aprovuar 56 mijë e 610, kurse kishin refuzuar 22 mijë e 591.

Sipas të dhënave që kishte publikuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për zgjedhjet e 14 shkurtit diaspora kishte pasur interesimin më të madh për të votuar krahasuar me zgjedhjet e viteve të kaluara.

Nga 56 mijë e 610 vota të aprovuara nga jashtë, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LVV kishte fituar 44 mijë e 252 vota. PDK kishte marr 5 mijë e 32 vota, LDK me 4 mijë e 294 dhe AAK me 1 mijë e 112 vota.

Ndërsa, veprimtari shqiptar në Amerikë, Ramazan Bekteshi, pyet se kush i frikësohet diasporës.

Kush i frikësohet diasporës?

Image
Ramazan Bekteshi

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bekteshi thotë se kushdo që merr guxim të deklarojë se diaspora nuk duhet të përfshihet në zgjedhje, sepse përfshihen emocionalisht është mashtrim i madh.

“Kush i frikësohet diasporës? Kushdo qoftë ai që merr guxim të deklarojë, se diaspora nuk duhet të përfshihet në zgjedhje, sepse sipas tyre, ata përfshihen emocionalisht, ky është një mashtrim i madh dhe besoj se e ka origjinën nga partitë që e zhvatën shtetin me dekada, dhe ata janë të vetëdijshme për fuqinë e mërgatës dhe se ajo nuk fal kur i përmbyset buka”, deklaron Bekteshi.

Ai thekson se kush thotë se mërgata nuk e njeh realitetin në mëmëdhe, e thotë qëllimisht për të ndërprerë bashkëveprimin me mërgatën në proceset shoqërore të demokratizimit të vendit.

Tutje, sipas tij, diaspora është shoqëri vitale më e çmueshmja e shoqërisë.

“Turpi tjetër i radhës është kur thuhet, se mërgata nuk e njeh realitetin në mëmëdhe, kjo është edhe një farse e qëllimshme për të ndërpre bashkëveprimin me mërgatën në proceset shoqërore të demokratizimit të vendit. Tani, në epokën digjitale pak ka rëndësi se në ç’ vend ndodhesh për të marr informacione të bollshme, biles kemi edhe hiper-informacione çoroditëse nga disa TV studio, që çdo dit pa ndërpre mbjellin urrejtje, përçarje dhe defetizëm në shoqërinë tonë, sikur të ishin paguar për një mision të tillë. Diaspora është një shoqëri vitale më e çmueshmja e shoqërisë sonë. Ajo nuk është vetëm furnizuese e hambarit të Kosovës por dhe damari që i jep jetë më të rehatshme mirëqenies sonë, ekonomisë dhe financave tona dhe më shumë. Diaspora është ambasadorja jonë më reprezentative kudo që ndodhet, dhe ajo ndodhet në qendrat më me ndikim në botë. Diaspora e nënvlerësuar turpshëm nga klasa politike por edhe nga klasa akademike kurrë s’është dekurajuar, por gjithmonë ka lëviz aty ku është interesi kombëtar. Nuk e di nëse pa diasporë a do të kishte sistem paralel të rezistencës në kohë okupimi gjatë viteve të 90-ta, a do të kishte pavarësi pa lobimin epik të diasporës në qendra ku vendoset fati i popujve”, nënvizon Bekteshi.

Ai shpreh dëshirën që edhe politikanët e Kosovës të përfshihen emocionalisht me vendin e tyre si diaspora.

“Do të dëshiroja fort që edhe politikanët Kosovar të përfshihen emocionalisht me vendin tyre si diaspora, por, fatkeqësisht ata përfshihen emocionalisht pas posteve, e të mirave materiale dhe interesave personale. Do të doja, që politikanët që riciklohen në politikë pa ndërpre dhe me bark të pangopshëm, e me gojë të çakallit të tërhiqen nga politika dhe tua lëshojnë vendin të tjerëve me meritor, pa lidhje politike që e presin shansin jetësorë, sepse ata vetë deklarojnë se çdonjëri në Kosovë i paska nga 2-3 milionë! Do të doja që parlamentarët e përjetshëm si gjest moral ta lëshojnë parlamentin, se mu këta persona nuk kanë bë parlamentarizëm por ç’parlamentarizëm, kanë qenë zë neveritës militantësh vetëm për interesa të partive të tyre por jo për interes kombëtar. Janë mu ata që kanë sjellë vendime fatale për vendin, dhe këto më janë të ditshme, sepse nga këto vendime vazhdojmë të vuajmë përditë, derisa vendit i është rrezikuar seriozisht sovraniteti”, shton Bekteshi.

Në fund, ai shton se partitë i frikësohen diasporës dhe kanë dalë me një ide të turpshme dhe qesharake.

“Dyshojmë se partitë që i frikësohen diasporës, tani, para zgjedhjeve kanë dalë me një ide të turpshme dhe qesharake, që të përjashtohet diaspora nga zgjedhjet e përgjithshme. Ata e duan diasporën vetëm si mjet për shfrytëzim dhe jo si faktor relevant që të mund të vendosi për fatin e vendit, kur dihet se sa i madh është “uragani” i diasporës dhe sa impakt ka për të ardhmen e vendit. Është koha që TV studiot dhe politikanët mos ta trajtojnë diasporën vetëm si punëtorë krahu, “gasterbajtere”, “shatsa”, e “gërnaçë”, që vinë në atdhe vetëm për të ndrequr dhëmbët”, përfundon veprimtari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat