“Diasporën ta lënë të qetë politikanët e Kosovës”, veprimtari nga mërgata ka vetëm një kërkesë

Politika

“Diasporën ta lënë të qetë politikanët e Kosovës”, veprimtari nga mërgata ka vetëm një kërkesë

Nga: H.O. Më: 17 tetor 2024 Në ora: 20:15
Pamje nga vizita e Albin Kurtit ne Gjermani

Vizitat dhe angazhimet e politikanëve të Kosovës në diasporë tashmë janë shtuar. Sidomos gjatë kohës që jemi pak para zgjedhjeve të reja, liderët politikë vazhdimisht vizitojnë mërgimtarët kudo në diasporë.

Mirëpo cili është entuziami i mërgimtarëve për të votuar në zgjedhjet e reja në Kosovë?

Lidhur me këtë ҫështje, në një intervistë për ‘Bota sot’, pak ditë më parë ka folur veprimtari dhe Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, PhD. Dashnim Hebibi.

Ai ka kërkuar nga zyrtarët politikë të Kosovës, që diasporëm ta lënë të qetë. Sepse sipas tij, dihen aryset e vizitave të tyre në diasporë.

“Kisha dashur që diasporën tonë ta lënë të qetë. Shumë shpesh kemi takime nga Kosova me politikan dhe dihet se për çka vijnë. Diaspora duhet të merret me veten e saj. Tashmë e kemi shtetin e pavarur të Kosovës dhe do të duhej që shteti i Kosovës të kontribuoj më shumë për diasporën dhe jo të shikohet diaspora si fabrikë që prodhon të holla. Nuk dua të ndalem te kontributi i diasporës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Padyshim, se do të duhej që ata që kanë mundësi të investojnë në Kosovë, por edhe kushtet duhet krijuar maksimalisht. Po vijnë gjeneratat e reja të mërgatës dhe kuptohet se nuk është edhe mentaliteti i tyre ekonomikë që të investohet kur për një dokument duhet pritur gjatë dhe probleme të tjera. Sa e sa të rijnë po shkollohen në diasporë, kontributi i tyre do të ishte i mirë për Kosovën, por duhet krijuar kushte”, vlerëson ai.

Image
Dashnim Hebibi

Ai më tutje thotë se, nuk kemi në Kosovë një muze të diasporës.

“Kam kërkuar dhe ju kam drejtuar zyrtarisht për këtë muze ku edhe kam projektin, por nuk kam përgjigje. Do të ishte mirë, që të kemi muzeun e diasporës, ku do të ishte përplot me gjëra të mira të atyre që kanë dhënë jetën për pavarësi, lobistëve, atdhetarëve e bamirësve. Ky muze do të ishte i mirëpritur edhe për gjeneratat e reja të diasporës që po rriten e edukohen larg vendit të të parëve. Nuk besoj se një mërgimtarë, kjo gjenerata e tretë apo e katërt e tjerat që do të vijnë, nuk do të ndalen pa e vizituar muzeun. Sa krijues kemi në diasporë, sa artistë e kështu me radhë. Pastaj shiko shkollën plotësuese shqipe LAPSH-i „Naim Frashëri“ se në çfarë situate është. Nuk është ndihmë nëse vijnë nëpër festa që organizohen nga LAPSH-i por të ndihmohet në projekte konkrete, ku kemi sa të duash. Pastaj, mendoj dhe do të duhej, që diplomacinë e Kosovës nëpër diasporë ta drejtojnë diaspora jonë, sepse kemi sa të duash diplomat që po shkollohen nëpër Evropë e SHBA dhe këta janë fëmijët e atyre mërgimtarëve që gjithçka kanë dhënë që Kosova të jetë e çliruar dhe e pavarur. Kjo do t’i shërbeje lidhjeve më të mira dhe të përjetshme mes diasporës dhe atdheut të të parëve. Nuk dua të zgjatem në këtë temë, sepse nuk ka fund”, thotë Hebibi.

Ai thotë poashtu se, duke qenë i pranishëm në shumë organizime kudo nëpër Evropë e deri në SHBA ku ka diasporë shqiptare, kohëve të fundit ka vënë re dëshpërim nga kjo mënyrë e qeverisjes për këto vitet e fundit.

“Diaspora e Kosovës do ta ketë rastin në zgjedhjet e radhës që të dëshmojë se dje kishte votuar një individ, për të cilin pati besim të verbër, dhe që nesër do të ia japë besimin një individi të ri, i cili, gjatë karrierës së tij politike ka pasur performancë të lakmueshme, me të cilën nuk e ka dëshpëruar askënd. Këtu kujtoj Faik Konicën, Ali Asllanin, Fishtën, Nolin etj. Mendoj, se Kosovës duhet t’i rikthehet edhe atë sa më shpejt që të jetë e mundur, Presidenti, z.Behgjet Pacolli. Ai nuk kishte ardhur dhe nuk vjen për tu pasuruar. Presidenti Pacolli ka vepruar dhe vepron në diasporë dhe koha e tij sa ishte në politikë aktive në Kosovë, ka kaluar nëpër aeroplan duke lobuar për të mirën e Kosovës dhe sukseset dihen. Ta shikojmë gjendjen pa emocione politike. Emocionet duhet lënë anash. Shpesh emocionet mendojmë se janë të mira në shkencë apo politikë”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat