Në ditët e fundit të mandatit, ish-ambasadori holandez ‘godet’ Lajçakun: Nuk do të ndodhë asgjë javën tjetër!

Politika

Në ditët e fundit të mandatit, ish-ambasadori holandez ‘godet’ Lajçakun: Nuk do të ndodhë asgjë javën tjetër!

Nga: A.M. Më: 17 tetor 2024 Në ora: 22:57
Mirosllav Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi ka stagnuar tash e një kohë.

Mirëpo, sot u bë e ditur se javën e ardhshme, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo në nivel të kryenegociatorëve.

Kështu thanë burimet diplomatike në Bashkimin Evropian, pa dhënë hollësi për takimet.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Nuk dihet nëse Lajçak do arrijë t’i bindë Bislimin e Petkoviqin për të zhvilluar një takim të përbashkët, trepalësh.

E në lidhje me atë se çfarë mund të pritet nga ky raund i bisedimeve në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se Lajçak po shpreson të arrijë diçka në ditët e fundit të mandatit të tij.

Image
Robert Bosch.

Bosch vlerësoi se nuk do të ndodhë asgjë e rëndësishme gjatë takimeve të javës së ardhshme, ku tha se duhet pritur komisioni tjetër i BE-së.

“Mendoj se Lajçak në ditët e fundit të mandatit të tij shpreson të arrijë diçka, por pasi ai kurrë nuk kishte qenë i gatshëm t’i bënte presion seriozisht palës serbe, mendoj se edhe tani ai nuk do ta bëjë këtë gjë, që do të thotë se asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë. Duhet të presim komisionin tjetër të BE-së”, tha shkurt Bosch për “Bota sot”.

Kujtojmë se, emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat