Nga Byroja për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme te sovraniteti në veri – Pse LVV pritet të fitojë prapë në zgjedhje: Koalicion me...

Politika

Nga Byroja për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme te sovraniteti në veri – Pse LVV pritet të fitojë prapë në zgjedhje: Koalicion me...

Nga: M.Lakna Më: 18 tetor 2024 Në ora: 10:15
Kryeministri Kurti në Gjermani

Ndonëse jemi edhe tre muaj larg zgjedhjeve parlamentare në vend, partitë politike i kanë filluar përpjekjet e tyre për ta bërë elektoratin për vete.

LVV (Lëvizja Vetëvendosje) duket se është e sigurt se do ta fitojë mandatin e radhës të qeverisjes.

Një fitore e tillë çfarë e synon LVV bashkë me “GUXO” dhe Alternativën, mund t’u japë atyre mundësinë që ta formojnë Qeverinë si koalicion parazgjedhor.

Por, gjithsesi kjo do të varet nga numri i ulëseve në Kuvend, përkatësisht nga përqindja e votave që do të marrin.

Nëse rezultati është i ngushtë, mund të jetë e nevojshme të krijohen koalicione.

Por, raportet e Lëvizjes Vetëvendosje me partitë opozitare kanë qenë në vazhdimësi të “acaruara” dhe mundësia për bashkëpunim ndërmjet tyre është shumë e vogël.

Së fundi opozita është aktivizuar shumë në akuzat e saj kundër Qeverisë Kurti.

Këto mund të interpretohen si një formë presioni për të negociuar "pazare" politike në të ardhmen, sidomos nëse LVV ka nevojë për mbështetje për ta formuar Qeverinë.

Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli publicisti Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm janë edhe një zhvillim historik, që do të mbahen mend si zgjedhjet e para të rregullta parlamentare, qysh nga shpallja e pavarësisë së vendit tonë në vitin 2008 të cilat, pas lufte, po organizohen në Kosovën e lirë!

Përveç Vetëvendosjes, ai shprehet se të gjitha subjektet tjera kanë dëshmuar dobësi në udhëheqjen e vendit.

“Vetëvendosje, është partia e parë dhe e vetme në Kosovë, deri më tani, që ka arrit të marrë mbi 50% të votave të qytetarëve dhe ka quar mandatin qeverisës deri në fund, akt që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, me asnjërën nga partitë tjera, madje edhe kur partitë e inkriminuara opozitare, nga dy apo edhe më tepër se tri sosh, kanë hyrë në koalicione, kanë befasuar vetëm për të keq qytetarët, me rrëzimet e vetvetes nga qeverisja dhe krijimin e qëllimshëm të situatave të jashtëzakonshme, vetëm për të shkuar në zgjedhje të reja të parakohshme.

Kështu që përveç LVV-së, të gjitha partitë tjera, kanë dëshmuar dobësi të jashtëzakonshme dhe pazotësi të theksuara për udhëheqjen e shtetit me paaftësi të mëdha për qeverisje të mirëfilltë të vendit, për shkak të hajnisë, nepotizmit dhe parregullsive tjera të theksuara, për çka edhe kanë marrë kritika të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar, duke mos arrit për më tepër se 13 vite, as liberalizimin e vizave dhe izoluar Kosovën totalisht nga bota demokratike”, është shprehur Qarri.

Andaj, publicisti ka rikutjuar se në zgjedhjet e kaluara, partitë që ishin në pushtet përfundimisht morën dënimin e merituar nga votuesi dhe shkuan atje ku e meritonin, pra të “mrizonin” në opozitë.

Qarri, tutje ka përmendur edhe sukseset e Qeverisë Kurti 2.

“Qeveria aktuale, përveç realizimit të premtimit për liberalizimin e vizave, dhe shtrirjen e plot të sovranitetit shtetëror deri në cepin e fundit të pjesës veriore të Kosovës, ka shpallur organizata terroriste të ashtuquajturat "brigadë e veriut" dhe "mbrojtja civile", si dhe ka dëbuar në Serbi pjesëtarët e tyre, ndaloi referendumet dhe mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, largoi me sukses tabelat ilegale; "Gl","Pz" "Pr" dhe ato me sinkronizimet ilegale "Km", duke zëvendësuar ato me tabelat e ligjshme të shtetit të Kosovës, si në gjithë vendin.

Qeveri Kurti imponoi njohjen e tabelave RKS dhe dokumenteve të Republikës së Kosovës, edhe nga Serbia, duke hequr pagesat dhe eliminuar pengesat tjera që u shkaktoheshin shoferëve me tabela të Kosovës, në pikat kufitare me Serbinë, qoftë edhe për tu futur, apo kaluar vetëm transit nëpër Serbi, mundi terroristët serb, që kryen agresionin e armatosur në Banjë të Zveçanit dhe mbylli komunat paralele serbe, ndaloi dinarin serb dhe shoi të gjitha strukturat ilegale të Serbisë veçanërisht në veri por edhe në pjesët tjera të Republikës së Kosovës.

Kurse, së fundi Qeveria Kurti korri edhe një fitore bindëse, duke i hequr autorizimin edhe UNMIK-ut, ta prezantoi "Kosovën" dhe marrë mbi vete përfaqësimin e shtetit të Kosovës në CEFTA, ku megjithëse Kosova ishte pranuar qysh më 2007, ajo ngeli nën kushtin që të përfaqësohej vetëm nga UNMIK, madje me gjithë pengesat dhe obstruksionet e panumërta opozitare, ka arritur të miratojë edhe shumë ligje, si dhe ti reformojë pjesërisht edhe disa pjesë të drejtësisë së kalbur, duke formuar edhe Byronë për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme etj”, ka nënvizuar ai.

Ai ka rikujtuar edhe miratimin e ligjit dhe krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, duke thënë se kjo është një arsye e fortë që Qeveria Kurti të fitojë edhe një mandat.

“Kështu që besojë fort se populli i Kosovës, i di mirë, do ti ketë të gjitha këto parasysh dhe do t`ia ofrojë mundësinë z. Kurti, ti fitojë edhe njëherë zgjedhjet, veçanërisht tani pas miratimit të ligjit dhe krijimit të Byrosë për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, me shpresën se në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, përveç kriminelëve serb edhe disa nga politikanët e korruptuar, rrjetet e nëntokës kriminale, fajdexhinjtë dhe grupet mafioze të inkriminuara politike, njëjtë si në Kroaci, ku disa vite më parë u burgos për korrupsion ish kryeministri Sanader, edhe të korruptuarit dhe kriminelët politik në Kosovë, përfundimisht do të detyrohen ti kthejnë pasuritë e vjedhura, marrin dënimin e merituar dhe shkojnë për shumë vite në burg, gjë që mund të realizohet, vetëm nëse Qeveria Kurti, serish i fiton zgjedhjet.

Për aq më tepër, vendosja e rendit dhe e ligjit si dhe dënimi i kriminelëve dhe shuarja e rrjeteve kriminale, janë edhe kusht primar për Republikën e Kosovës, nëse mëton të avancojë në rrugën e integrimit evropian dhe atë euro-atlantike, si premisat kryesore për rrumbullakimin e shtetësisë së plotë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, deri te pranimi i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur me të drejta të plota, në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara, në OKB”, është shprehur publicisti.

Qarri i ka konsideruar si të pajustifikueshme akuzat që aktualisht opozita po ia bën Qeverisë.

“Sa u takon zgjedhjeve të 9 shkurtit, veçanërisht partitë e inkriminuara opozitare politike, duke e ditur mirë, se nëse i humbin zgjedhjet edhe kësaj radhe, veçanërisht pas miratimit të ligjeve të nevojshme dhe krijimit të Byrosë për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, ndonjërin apo edhe disa prej udhëheqësve të partive të inkriminuara, mund ti pres burgu i sigurt, për bëmat e tyre kriminale e korruptive, kanë filluar me shumë turr, jo vetëm para kohe, por edhe me zhurma të mëdha dhe obstruksione të ndyta, agjenturore, që janë specialitet destruktiv dhe pjesë e betejave oportuniste të tyre, për vjeljen e votave me mashtrim, të qytetarëve.

Akuza të pajustifikueshme deri te obstruksionet më të ulëta e tërësisht të pakripë agjenturore, në një vend dhe popull kaq të vogël si Kosova, krejt këto, në emër të fushatës zgjedhore, pa qenë në gjendje, madje asnjëra prej partive të inkriminuara opozitare, as kësaj radhe, ti premtojnë popullit të Kosovës, dhe deklarojë publikisht para votuesit, se nuk do të veprojnë më, si në të kaluarën, nuk do ta vjedhin djersën e pasurinë e qytetarëve të Kosovës dhe do të jenë në gjendje të krijojnë qeverinë pa dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë të ashtuquajturën "listë serbe", të cilën e ka deklasuar tërësisht Qeveria Kurti, dhe ia ka nxjerr krejtësisht "bojën" siç thotë populli!

Partitë e inkriminuara, përsëri as pas katër vitesh të qëndrimit në opozitë, nuk po gjejnë guxim të betohen, as të kenë kurajë të marrin përsipër para qytetarëve, se kësaj radhe do ta qojnë qeverisjen deri në fund të mandatit, dhe jo serish, vetëm pas një viti, të kacafyten për pazare dhe interesa të ngushta me njëra tjetrën dhe shpallin zgjedhje të parakohshme, njëjtë si në të kaluarën, duke shtresuar edhe votuesit me zgjedhjet e përvitshme”, ka potencuar ai.

Në fitoren e ardhshme të VV-së, sipas publicistit Gani Qarri, do të ndikojnë edhe sukseset e Qeverisë Kurti në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit.

“Kështu që duke njohur të kaluarën e dyshimtë korruptive e kriminale, të udhëheqësve të partive të inkriminuara, kaçikun e tyre të vogël drejtues, e krejtësisht të topitur politik dhe paaftësitë e theksuara udhëheqëse, pas të arriturave të deritanishme në vendosjen e rendit e të ligjit, shtrirjen e sovranitetit të plotë shtetëror në veri të vendit, miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe reformimin e pjesshëm të drejtësisë, ndalimin e referendumeve dhe zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, shuarjen e strukturave paralele serbe, zëvendësimin me sukses të plotë të targave ilegale me ato ligjore të Republikës së Kosovës në veri, mundjen e kriminelëve e terroristëve serb me në krye kryeterroristin Millan Radojçiq, ndalimin e dinarit serb dhe shuarjen e organizatave terroriste serbe në Kosovë, LVV ka arsye bindëse të shpresoj serish në fitore të sigurt”, ka theksuar ai.

Por, çka nëse LVV dhe koalicioni i saj parazgjedhor nuk do të mund ta krijojnë të vetme Qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit?

“Madje edhe nëse rastësisht Vetëvendosja, nuk arrin ta bëj qeverinë e vetme, besojë se do të gjenden njerëz, dhe parti opozitare, për formimin e Qeverisë së ardhme, koalicion të cilin, duke pasur parasysh vendimet e mëdha, që nën trysninë e fortë të faktorit ndërkombëtar, mandatin vijues, Kosova mund apo edhe do të detyrohet të ndërmarrë me shumicën dërmuese të votave të deputetëve në Kuvend, hipotetikisht ndoshta do ta preferonte edhe vet kryeministri Kurti.

Andaj akuzat që aktualisht po bëhen nga opozita, janë një krrokamë dëshpëruese dhe një formë lutje e llojit, ndaj VV-s për të siguruar radhën e hyrjes në "pazare" politike, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, për krijimin e qeverisë së ardhme me partinë fituese!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat