“Shqiptarët e Kosovës kanë treguar se...”, profesori serb flet për bisedimet Kosovë-Serbi: Ja ‘vështirësitë’ që priten

Politika

“Shqiptarët e Kosovës kanë treguar se...”, profesori serb flet për bisedimet Kosovë-Serbi: Ja ‘vështirësitë’ që priten

Nga: N.E Më: 19 tetor 2024 Në ora: 10:06
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Autoritetet ndërkombëtare por edhe ato të NATO-s gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka ngritur shqetësime për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Operacionet e NATO-s në Kosovë, ishin temë diskutimi edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

Angazhimi i NATO-s për siguri në Kosovë nuk ndryshon. Këtë e theksoi edhe Rutte, i cili tha se anëtarët e NATO-s do të vazhdojnë të punojnë për sigurinë në rajon. “Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, ka thënë sekretari Rutte.

Siguria është njëra anë, kurse ecja përpara në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve është ana tjetër. Këtu ka vite që ngecja e situatës rrit tensionet. Rutte shprehet i vetëdijshëm për këtë. “Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim”, ka vazhduar Rutte.

Ndërsa, profesori serb Ivan Videonviç thotë se dialogut po i vjen fundi.

Videnoviç në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se për palën serbe më e vështira është njohja de facto e pavarësisë së Kosovës, ndërsa për palën e Kosovës është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri në mënyrë efektive dhe kushtetuese.

“E shoh që këtij dialogu po i vjen fundi dhe se të dyja palët i kanë lënë për në fund pyetjet më të vështira, ose siç do të thoshte kryeministri i ndjerë Gjingjiq, “gëlltitja e bretkosave më të mëdha”. Për palën serbe është një njohje de facto e pavarësisë së Kosovës. Edhe pse, të themi të vërtetën, edhe ai segment ka përparuar dukshëm, për shembull me Deklaratën e sapo nënshkruar të Dubrovnikut për Ukrainën, të cilën Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani e nënshkruan duke e njohur njëri-tjetrin si kryetarë të barabartë shtetesh. Për palën kosovare sigurisht që është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri, në një mënyrë që do të jetë efektive dhe kushtetuese, por nuk do të jetë shtet brenda shtetit, apo Republika Srpska e re”, deklaron Videnoviç.

Image
Ivan Videonviç

Sipas tij, nuk është lëvizja më e mirë politike që kryeministri Kurti të kushtëzojë bisedimet e mëtejshme me ekstradim të terroristit Radojçiq.

“Sado e kuptueshme të jetë, mendoj se nuk është politikisht lëvizja më e mirë e kryeministrit Kurti që të kushtëzojë bisedimet e mëtejshme me ekstradimin e terroristit Radoiçiq. D.m.th. ajo që do të thoshim në Serbi, “therja e një kau për një kilogram mish”, d.m.th. duke rrezikuar një rezultat të madh historik - një përfitim të vogël dhe të menjëhershëm politik”, shton Videnoviç.

I pyetur sesi i ka parë bisedimet, Videnoviç, thotë se janë gjëja më e mirë që ka ndodhur mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ai thotë se Serbia ka ndryshuar dhe përfundimi i këtyre bisedimeve dhe marrëveshja ligjërisht obligative do të ndryshojë perceptimin e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovë.

“Mendoj se këto bisedime janë gjëja më e mirë që ka ndodhur mes serbëve dhe shqiptarëve që nga viti 1912. Sa fat që ndodhën 30 vjet më parë, në vend që të kishin atë luftë të tmerrshme në 1998/99 dhe krimet e bëra. Për më tepër, sa me fat është që Serbia ndryshoi vërtet në vitin 2000 dhe që, në vend që të përpiqej të kthente humbjet e Millosheviqit, në vitin 2008 ishte e para që njohu Kosovën dhe zgjati dorën e miqësisë dhe pajtimit, e cila, me planin e Ahtisarit, do të ishte vetëm në interesin e saj real Serbia. Mendoj se përfundimi i këtyre bisedimeve dhe marrëveshja ligjërisht obligative do të ndryshojë perceptimin e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës, i cili tashmë ka ndryshuar shumë nga mbrojtja e vendosur e policisë së Kosovës në Banjska dhe tërheqja poshtëruese e terroristëve në Serbi. Shqiptarët e Kosovës kanë treguar se e duan vendin e tyre siç është, se nuk kanë pretendime për territore jashtë Kosovës, se kanë politikanë të mençur dhe të arsimuar, se dinë ta organizojnë vendin e tyre dhe ta mbrojnë atë. Serbëve mund të mos u pëlqen kjo, por e vlerësojnë”, përfundon profesori serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat